BISEDË ME IMZOT RROK MIRDITËN PËR “FËMIJËT E NGUJUAR”

NDUE DEDAJ

 

Dizinformimi mbi gjakmarrjen dhe fëmijët e ngujuar është një problem për të cilin kemi shkruar disa herë, por prapë konfuzioni ka qenë i pamëshirshëm. Sa herë kemi dashur ta cekim spekullimin me shifra të stërfryra të “fëmijëve të ngujuar”, na e kanë prerë shkurt se mjafton dhe një fëmijë i ngujuar, që shoqatat të ngrenë zërin. Plotësisht dakord, e kemi pohuar me kohë dhe ne këtë, dhe një rast ngujimi dëfton se ngrehina i shoqërisë është ende me themele në ujë, por dhe ta tjetërsojmë e deformojmë realitetin nuk bën. Nëse shifrat nuk kanë rëndësi, siç thuhet ndonjëherë, pse shoqatat e ndryshme i tridhjetëfishojnë ato? Për të thithur fonde? Për të patur më shumë “punë”? A i lejohet shoqërisë civile t’i raportojë shtypit të huaj për qindra fëmijë të ngujuar tek ne? Sapo të klikosh në internet, dalin vetëm shifra të larta, që nisin nga 100 e mbërrijnë në 700 a më shumë fëmijë të ngujuar. Sipas policisë së Shkodrës në këtë qark janë 27 fëmijë të ngujuar, nga të cilët dy studentë. Sikur të jenë pak këto dhe jo një shqetësim serioz për institucionet e vendit e gjer kreun e shtetit, kush e paska të drejtën të bëjë raportime pa u ballafaquar me statistikën zyrtare? Po të drejtën ta ndalojë një mashtrim, që i rëndon gjendjes sociale dhe imazhit të Shqipërisë, a e ka ndokush? Pastaj a është i qenë termi “fëmijë të ngujuar”?… Për të mos vazhduar me analizën tonë, duke e lënë për një shkrim pasardhës, iu drejtuam një autoriteti të lartë ipeshkvnor, Imzot Rrok Mirditës, me një përvojë të gjatë misionare si këtu, si mes malësorëve shqiptarë në Mal të Zi, apo komuniteteve etnike në Nju Jork, me të cilin biseduam në selinë e Argjipeshkvisë në Tiranë.

 

Gjakmarrja e ngujimi, plagë kombëtare që duhen

trajtuar me përgjegjshmëri

 

“Pikë së pari kjo dukuri në dioqezën e Tiranës nuk është sa në ipeshkvitë e tjera, por shumë më pak. Mendoj se shifrat këtu janë të ekzagjeruara. Ka padyshim njerëz të përkushtuar ndaj këtij misioni, por nga disa dhe teprohet e manipulohet. Përdoret Kanuni aty ku nuk ka të bëjë aspak. Ju e dini se fëmijët dhe gratë janë të paprekshëm me Kanun dhe të përjshtuar nga gjakmarrja. Do t’ia vlente shumë që nga një komision të bëhet një studim i detajuar dhe konkret përsa u përket pikërisht këtyre fëmijëve të ngujuar dhe jo të jepen shifra për qëllime të ndryshme. Unë do ta përshëndesja një nismë të tillë. Të verifikohen një për një ku janë e si janë fëmijët e ngujuar, të dimë konkretisht për secilin dhe jo të flitet në përgjithësi. Çdo familje të ketë skedën e vet, siç pasqyrohet rregullisht gjendja e famullisë. E përsëris, duhet që dikush të merret seriozisht me këtë çështje kaq delikate. Dhe mbi këtë bazë të jepet mbështetja e nevojshme ligjore, sociale, financiare etj. Mendoj se mungon një gjë shumë e rëndësishme te ne, aty ku janë në lojë shifrat, përqindjet, njerëzit i lëshojnë ato pa u menduar. Këtu përfshihet dhe kjo puna e fëmijëve të ngujuar dhe e gjakmarrjes. Duke dashur të sigurojnë ndihma nga të huajt, shtohen shifrat, rriten ato artificialisht, në anën tjetër lëndohet imazhi i popullit shqiptar. Të jepen shifra alarmante herë pas here, kjo te të huajt krijon idenë se për këta njerëz, këtë popull, jeta nuk është asgjë. Po ashtu krijohet ideja se jemi dorëzuar para kësaj dukurie, sikur është e pamundur për ta ndrequr këtë punë. Por nuk është ashtu, i kemi mundësitë për ta ndalur gjakmarrjen, por duhet vullnet dhe bashkëpunim mes të gjithëve. E kam thënë me njerëzit e mediave, janë të neveritshme disa lajme që jepen. Kjo është plagë kombëtare shumë e rëndë dhe nuk mund të paraqitet me lehtësi në gazeta e televizione nga njerëz jo profesionistë dhe të papërkushtuar. Për mua në lajmërimin e jetës reale media ka dështuar. Dhe jo vetëm në këtë çështje, por dhe në argëtimin pa lidhje me orë të tëra në TV…”

 

“Misionar pajtimi i vetëshpallur nuk mund të jesh”

 

“Ju përmendët “misionarët” fals, siç i quajtët. Misionarët e paqes është shpërdoruar si term. Misionar i vetëshpallur nuk mund të jesh. Misionarët janë të dërguar nga dikush. Duhet mbajtur parasysh dhe puna që patën bërë në të kaluarën misionet volante të jezuitëve në Veri për zgjidhjen e ngatërresave dhe pajtimin. Më kujtohet një rast në Këllezën të Ulqinit, një ngatërresë e fortë mes një katoliku dhe një myslimani, kur i zoti i shtëpisë, i besimit mysliman, iu thotë ndërmjetësve, mbasi keni ditë se me kë me ardhë (me famullitarin), qoftë e kryer kjo punë. Siç shihet nuk ishte çështje besimi, por misioni, tradite. Ai bëri një gjest të rrallë, pasi fali për hir të meshtarit që ishte i fesë tjetër. Por raste të tilla ka gjithandej. Në një kolegj në Nju Jork një student italian kishte rrahur në grup një shqiptar, kuksian. Më thirrën dhe mua për këtë ngatrresë ndëretnike për t’i dhënë udhë. U mblodhën familjet, jep e merr mes tyre, nuk donin me e fal italianin ata të familjes së djalit të lënduar. Por ishte babai i tij që iu drejtua ndërmjetësve: meqë në këtë punë ka hyrë njeriu i fesë, falë qoftë. As unë nuk e prita me një të ramë zgjidhjen. Nuk kishte dhuratë më të madhe për mua. Nuk ishte as kësaj here çështje besimi, pasi prindi që fali ishte i fesë tjetër, por e kuptonte se ç’është misionari. Ai burrë mysliman e dinte se unë isha famullitar i Nju Jorkut dhe kjo ishte e mjaftueshme për të. Përsëri një rast nga Nju Jorku. Kishte ndodhur një vrasje mes shqiptarësh. Ishte viti 1990 dhe nga Kosova kishin ardhur Mark Krasniqi e Anton Çetta për pajtimet dhe në disporë. Djali që duhej të falte gjakun e të vëllait, iu tha: “Jo faqebardhë qofshi, por jeta e vëllaut tim nuk mund të falet kollaj. Nëse e falim, ia falim vetëm Zotit! Unë do të flas me vllaznit e mi në Kosovë dhe çdo njoftim do t’ua baj me dije nëpërmjet Dom Rrokut.” Dhe nuk vonoi e trokiti në derën time: “Lirisht mundesh me u dhanë fjalën atyre burrave se ne e falem gjakun!” Unë ia përcolla grupit të pajtimit lajmin e mirë. Në Nju Jork kemi patur dhe rastin e një fëmije me ngjyrë që për provokim e lyejnë me bojë të bardhë dhe ky do të ishte incident etnik, pasi donin t’ua linin shqiptarëve. Si thoni vepruam? Së bashku me një grup vullnetarësh, ndërmjetësues në zgjidhjen e konflikteve. (Imzot Rroku na tregon gazetat amerikane ku ishte shkruar për atë ngjarje). Ky është dhe kuptimi modern e pajtimit dhe jo persona të vetëshpallur si pajtimtarë. I solla këto shembuj jo për të rrëfyer diçka vetjake, por misionarët e vërtetë na mungojnë sot. Ata janë të pabujë, nuk bëjnë deklarata, nuk mburren, nuk merren me “shifra”, por me atë çka kanë arritur me njeriun.”

I bashkohemi këtij mesazhi të Imzot Mirditës, me bindjen se e vërteta nuk qendron në ato që reklamojnë disa shoqata për veten, por në njerëzit në nevojë, nëse kanë përfituar apo jo nga “aksioni” i këtyre misionarëve të vetëshpallur. Le të dalin ata e të thonë se cilët misionarë kanë qenë në shtëpinë e tyre (jo sa për të bërë fotografi!) dhe çfarë kanë bërë për ta realisht? Askujt nuk i lejohet të bëjë “heroin” lidhur me ta, natyrisht pa mohuar asgjë të mirë që është bërë në vite për të shuar gjakmarrjen, nga shoqatat jo “popullore”. Së fundi a do të ngrihet komisioni për të cilin flet Imzot Mirdita, që me siguri do të ishte miks: shtetëror, i shoqërisë civile, komuniteteve fetare, mediave? Le të shpresojmë se do të jemi një zë i përbashkuar në këtë mision human, ku meritat vetjake të mbeteshin anonime, t’i shkonin ato Shqipërisë, shëndoshjes së saj nga kriminaliteti dhe integrimit tonë europian.

 

 

“FËMIJËT E NGUJUAR”, MES SHTETIT JOVEPRUES

DHE SHOQËRISË (JO)CIVILE

 

Organet shtetërore nuk kanë një statistikë preçize të ngujimit, si në rastin kur dikush përfshihet në gjakmarrje, si atëherë kur dikush tjetër del prej saj. Pastaj, për seriozitetin e një shoqërie të pjekur, duhet thënë se ka fëmijë të vetëngujuar dhe jo të ngujuar kanunisht, që do të thotë se nuk i ka shtrënguar askush të mbyllen, por janë vetëmbyllur përkohësisht nga frika e ndonjë agresioni nga ana e familjes së dëmtuar, meqë sot nga disa nuk i rrihet as kanunit, as ligjit. Dihet tashmë, jo vetëm është thënë, por dhe është e provuar, se me Kanun askush nuk e ngujonte fëmijën për gjak. Pak rëndësi ka, mund të hidhen moralistët, apo shoqatistët, njëlloj është. Sigurisht që është dy llojesh, por kjo do të ishte një temë më vete, se nuk janë njerëzit e viktimës që duan të hakmerren mbi fëmijët, jemi ne të tjerët që ua “kujtojmë” këtë me padijen dhe padashjen tonë. Por të vimë te thelbi. Thujase pranohet se shteti nuk ka informacionin e nevojshëm për këtë problem, ama është për t’u përshëndetur fakti që ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, qysh në ditët e para në këtë post është fokusuar te ky problem jashtëzakonisht i ndjeshëm, duke u shprehur se atyre fëmijëve, që më shumë se dija u privohet jeta, do t’iu gjendemi pranë. Ministria e Arsimit do të merret seriozisht me këtë dukuri, ka deklaruar ministrja, duke apeluar për një tjetër rol të komunitetit ndaj çështjeve komunitare e nënkuptuar një tjetër qasje të shoqërisë civile në këtë çështje. Vëreni se çfarë konfuzioni ka. “Lezha, shifra alarmante të fëmijëve të ngujuar” është një lajm i freskët i datës 29 tetor 2013 në disa media, për çudi pa përmendur asnjë shifër!? Në një tjetër shkrim flitet për “shifra kontradiktore për fëmijët e ngujuar”, ku një vit më parë një nga shoqatat e pajtimit fliste për 900 fëmijë të ngujuar, ndërsa Ministria e Arsimit jepte shifrën 50 të tillë. Përherë shifrat e këtyre organizmave “civile” janë më të lartë se ato të policisë. “130 fëmijë të ngujuar, apo 140 deputetë të tjetërsuar” është titulli i një artikulli tjetër. Më afër së vërtetës na duket gazeta “Shqiptarja. com”, e cila raportonte se në fillim të këtij viti shkollor 32 nxënës të rrethit të Shkodrës nuk kanë mundur të nisin mësimin për shkaqe gjakmarrje. Sipas misionarëve të paqes që operojnë në këtë qark, fshati Bardhaj ka edhe numrin me të lartë të fëmijëve të ngujuar. “Edhe pse ngujimi i fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare është i ndaluar në Kanun, këta fëmijë e kanë të pamundur të dalin nga shtëpitë, mësimi për ta zhvillohet brenda shtëpive të tyre, ku mësuesit shkojnë për t’u dhënë mësim.” Kjo është Shkodra, rrethina e saj. Këtu është problemi. Dhe këtu të mbetemi, pa përgjithësuar, siç do ta shohim dhe në vijim të këtij shkrimi.

 

Panorama e fëmijëve të ngujuar, sipas burimeve nga terreni

 

Për të ndërtuar sadopak një realitet që nuk e kemi të plotë shtetërisht, kemi folur me struktura të Policisë së Shtetit, drejtues të arsimit në qarqet e Veriut, mësues, gazetarë, veprimtarë të shoqërisë civile dhe ja pamja e dukurisë.

Shkodra: Sipas burimeve nga Drejtora e Policisë, janë 25 fëmijë të ngujuar, nga të cilët njëri në Malësinë e Madhe, si dhe studentë.

Malësia e Madhe: Kadri Ujka, mësues në Koplik, publicist: “Ka patur një fëmijë që është trajtuar nga “Shansi i dytë”. Shifrat e gjakmarrjes janë fiktive, nuk ka një shifër të saktë, ka spekulim e abuzim. Më shumë se gjakmarrje është një krim ordiner. Janë 2 familje në Koplik dhe një në Grizhë me probleme të tilla. Kurse në Shkodër ka disa, në Kiras.”

Lezha: Sipas drejtorit të DAR, Kastriot Kodheli, ka patur vetëm një rast vitin e kaluar në qytetin e Lezhës, një nxënës i klasës së nëntë, që venin mësuesit dhe e mësonin në shtëpi, ndonjëherë merrej dhe në shkollë mbasditesh. Tani ai ka shkuar me fëmiljen në emigracion.

Puka: Drejtori i Zyrës Arsimore, Vladimir Kola: “Deklaroj me përgjegjësi se në rrethin e Pukës nuk ka asnjë fëmijë të ngujuar, vetëm nëse ka ndonjë subjekt që abuzon.” Dhe nga interesimi ynë në njërën nga komunat kështu del, ka patur dy-tre fëmijë që janë kufizuar për disa javë, kanë munguar, apo kanë ardhur të shoqëruar në shkollë, pasi familja e tyre ishte perfshirë në një vrasje për motive të dobëta që mund të çonte në gjakmarrje.

Mirdita: Drejtori i ZA, Viktor Mata: “Për fat të mirë shifra e fëmijëve të ngujuar është zero. Këtë ia kam komunikuar dhe Ministrisë.” Ndërkohë që në dy komuna të këtij rrethi kanë qenë dy raste të një vetëngujimi të përkohshëm, por të paraportuara as në organet arsimore, as në komunë.

Tropoja: Sipas punonjësit e ZA, Naim Sadiku, në këtë rreth nuk figuron asnjë fëmijë i ngujuar, që të trajtohet nga “Shansi i dytë”.

Kukësi: Petrit Palushi, drejtori i Radio-Kukësit, shkrimtar: “Janë zona që nuk e zbatojnë gjakmarrjen, ka patur vetëm tek-tuk raste sporadike, por as nga këto jo që prej 5 vitesh. Ka njëlloj urtësie të çuditshme në këta banorë, vërtet ka sherre, konflikte, por fill ndodhin pajtimet mes tyre. Nuk ka fëmijë të ngujuar në Kukës e Has. Nuk njihet ngujimi i fëmijëve. U interesova dhe në DAR, për të qenë i saktë, e njëjta gjë m’u tha. Por ka disa shoqata pajtimi që spekullojnë.”

Kurbini: Mësuesi i “Shansit të dytë”, Fran Nezha: “Kemi pas dy fëmijë të ngujuar, i kemi mësuar për 6 muaj në shtëpitë e tyre. Është bërë mësim me ta dy-tre herë në javë. Ishte më shumë vetizolim. Ngujime të paqenë do t’i quaja. Ndodhin çudira sot, ngujohet pala e vrarë, me frikën se nuk dihet se nga merr pushka!? Kemi ndërhyrë te pala tjetër, që këta fëmijë të mos pengohen për në shkollë dhe na është thënë se nuk kanë kërkuar që të ngujohen fëmijët! ”

Një mësues tjetër na thotë se në njërën nga shkollat jopublike dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, i merrnin me makinë te dera e shtëpisë dhe pas mësimit i çonin prapë aty, jo se kërcënoheshin nga pala tjetër, por familjarët e tyre kishin frikë.

Është fakt se në disa raste, nga frika e gjakmarrjes, fëmijët janë larguar bashkë me familjet e tyre, më së shumti jashtë vendit.

 

Pajtimi zakonor nuk është më një “institucion” i rendit juridik

 

Janë 27 nxënës e studentë të ngujuar në Shkodër, nga familjet e rëna nga Dukagjini e të tjerë dhe mjafton kaq që Shqipëria të ngrihet në këmbë kundër gjakmarrjes, jo me parulla e fjalime, por me forcën e shtetit dhe të ligjit. Por është ndryshe kjo dhe ndryshe të stisësh shifra marramendëse të ngujuarish, për përfitime buxhetore, sa problemi i ngujimit të fëmijëve, që nuk e prekim në realitet në përmasat e frikshme që flitet, ngjan më shumë “problem” shoqatash? Në radhët e shoqërisë civile ka organizma që nxjerrin në treg shifra të pabesueshme, që numrin e familjeve të ngujuara e japin për fëmijë të ngujuar?! Dhe shteti e lejon këtë, madje i sodit pajtimtarët që bëjnë pajtime farsë me kamera, ndonjëherë duke u përzier në këtë dhe përfaqësues të shtetit me lëshim vërtetimesh “gjakmarrje” për viza, pa e rrokur thellësisht problemin. Kërkohet akreditim për universitetet dhe nuk u kërkoka “akreditim” për shoqata që kanë të drejtën të ndërhyjnë në jetën njerëzore dhe publike, të bëjnë misionarin e gjykatësin, sipas një tagri të vetëshpallur. E kritikonte pak ditë më parë këtë dhe Imzot Rrok Mirdita, Argjipeshkvi i Tiranës. Në të vërtetë ka organizma të shoqërisë civile të trajnuara për zgjidhjen e konflikteve, që veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare të ndërmjetsimit, forume të të drejtat e njeriut etj., që kohë pas kohe kanë patur sukses dhe në siparmarrje të tilla, por ama ka dhe shoqata “popullore” me qeleshe që recitojnë parulla pajtimi, apo zotohen se do të ndërmjetsojnë që qindra fëmijë të ngujuar të rikthehen në shkollë!? Ku janë këta qindra fëmijë të ngujuar, që pritkan “dorën e ngrohtë” të këtyre organizmave pajtimi? Apo në këtë vend kushdo mund të deklarojë ç’të dojë, pa mbajtur përgjegjësi për ç’thotë e për ç’bën?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *