Mirdita në historinë më të vjetër të Shqipërisë

Në vitin 2004, si një surprizë interesante vjen botimi më i ri i studiuesit francez Zhan Klod Faveirial, ish profesor në liceun vlleh të Manastirit, libër që padyshim është një pasurim i Historiografisë Shqiptare. Në librin prej 552 faqesh të ndarë në 117 kapituj, autori argumenton se vendi ynë për shkak të pozicionit të tij gjeografik, shpesh herë i izoluar, përherë ka qenë në udhëkryqin e perandorive dhe qytetërimeve. Autori e fillo-n librin e tij me kapitullin “origjina e shqiptarëve-pellazgët, ngulmimet e tyre të hershme, ndërtimet dhe se pellazgët ishin populli më i vjetër i Ballkanit, të ardhur edhe para grekëve. Analiza e kësaj vepre të gjerë me shume argumente shkencore do të donte shumë punë për t’u thelluar në të, por si studiues mirditor, jam përqëndruar në sjelljet për Mirditën, që deri më tash nuk janë njohur sa duhet. Në faqen 33 të librit shkruhet: “Shumë kohë më parë se Perendia të na hidhte në kufinjtë e Shqipërisë, ne i kemi parë shqiptarët dhe kemi thënë: janë njerëz me të vërtetë të mirë. Mendimi i mirë që ishte ngjizur ndër ne, u forcua më tej nga marëdhëniet që patëm me Bib Dodën, princin e Mirditës. Dhe që atëhere lindi ideja për të studiuar në historinë e një populli, që nxirrte para nesh njerëz kaq të mirë, shfaqte kaq madhështi dhe na ngjallte kaq nderim. Kapitulli 55 f.267: “Mirditorët, për të cilët do të flasim përsëri, banonin në malet përreth, dikur të quajtura Kunavia. Fshatarët e tyre të shpërndarë në Luginën e Matit, zinin një hapësirë prej 24 legash, që nga grykëderdhja e këtij lumi e deri në burimet e tij, ndërsa kryeqyteti i tyre, i vendosur 16 lega prej Alisias quhej Orosh. Kapitulli 21 f.292-293: “Të themi të vërtetën Mirdita nuk i është nënshtruar asnjëherë otomanëve. Ato që traktati i Berlinit i cilësoi si privilegj, nuk ishin veçse një marrëveshje. Ende edhe sot, një turk nuk mund të vërë këmbë në Mirditë. Ai patjetër vritet nga një e shtënë pushke në kufijtë që nuk u lejohet të kapërcejnë…” Kapitulli 69 f.321: “Ku mbështetet Aravantini që cakton në vitin 1560, kohën kur mirditorët kanë si prijës njëfarë Zaharie, pasardhës të Skëndërbeut? Këtë nuk e dimë dhe as ai nuk e thotë…” Kapitulli 79 f 356-358: “Katolicizmi në Shqipërinë e Epërme, kleri, ishte ai që vuajti vetë më shumë dhe turqit, duke shpresuar të zhduknin katolicizmin në këtë krahinë, u ndaluan priftërinjëve të ushtronin detyrën e tyre, pasi në rast të kundërt i priste dënimi me vdekje…” Kapitulli 89 f.391: “Mahmud Bushatlliu kërkon të bëhet i pavarur. Kur arriti ky lajm në Portën e Lartë turqit e sulmuan menjëherë me ushtri e flotë. Por Bushattlia e dogji një pjesë të kësaj flote në ujërat e Bojanës (Buna -N.T); gegët nga njëra anë, mirditorët nga ana tjetër i shpartalluanh të 20 mijë ushtarët e dërguar nga Sulltani…”. Kapitulli 91, karakteri fisnik i mirditorëve. Mirditasit nuk pranuan të thernin 600 kardhiqiotë. Ne nuk vrasim njerëz të pambrojtur!-përgjigjet prijesi i tyre- u ktheni kardhiqiotëve armët që u janë marrë. Nëse ata ngrihen dhe e pranojnë atëhere ti do të shohësh se si do të shërbejmë ne. Mirditorët për të mos qenë dëshmitarë të kësaj kasaphane të lemerisëshme, u tërhoqën mënjanë. Kapitulli 99 f 418-421: “Dikur epiriotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre. Po, unë jan shqiponjë!-u përgjigj ai, por prej jush jam i tillë. Kjo ishte pikërisht përgjigja që do t’u jepte Skëndërebeu të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve më veçan të tjerëve. Principata e Mirditës, thotë Hekardi,-konsulli i Francës, gjendet e rrethuar në malet e paarritshme ku mund të depërtosh vetëm nëpërmjet tre shtigjeve të ngushta. Pozicioni i saj është jashtëzakonisht i sigurtë, dhe i rëndësishëm, pasi ajo komandon rrugët e Prizrenit dhe të Tiranës, të vetmet nëpërmjet të cilave, në rast lufte më Malin e Zi, Porta e Latë mund të depërtonte në Shqipërinë e Epërme për të dërguar trupa atje. Midis Bib Dodës dhe Ismalil Pashës, me prejardhje bohemiane, pati një grindje dhe çështja të paktën duhej t’i nënshtrohej gjykatës ose t’i raportohej Portës së Lartë. Por në vend të ndiqte rrugën e ligjës, çfarë bëri bohemi Ismail Pasha? Në fillim ai helmoi Bib Dodën, dhe pak më pas e gjymton fshehurazi kufomën e tij. Ç’kërkonte të nxirrte prej kësaj? Që të bënte një kasaphanë ndër mirditorët me topat dhe nizamët e tij; porse siç tregojnë faktet, një krim i tillë nuk mbeti pa u ndëshkuar. Për fat të mirë të Turqisë konsujt qysh në fillim e penguan një gjakderdhje të tillë, e cila do të çonte në ndërhyrejn europiane, të ngjashme me atë të Libanit. Pas vdekjes së Bib Dodës, i biri i tij u çua në Kostandinopojë, thuhej se vetë qeveria do të merrej me edukimin e tij. …. Në vitin 1804, gegët muhamedanë të Shkodrës, varën për t’u argëtuar një at kapuçin. Të njoftuar për këtë mizori mirditorët kapën pesë turq dhe i varen në portat e qytetit. Me një letër drejtuar Vezirit thuhej: “Pesë për një dhe nëse një krim i tillë përsëritet, si përgjigja është koka jote!”. I trembur për veten e tij, ai u dërgoi dhurata mirditorëve dhe mezi arriti t’i qetësonte ata… F.441: “Bib Doda la një vajzë në moshën 16 vjeçe dhe një djalë në moshën 9 vjeç…”. Kapitulli 101 helmimi i princit të Mirditës Më 28 korrik 1868 vdiq Bib Doda, princ i mirditorëve. Pasi ka mbetur e pandëshkuar kjo vdekje nuk duhet lënë e pa shënuar në histori, si një turp për autorin e saj, dhe si një kompromentim për qeverisjen e Abdyl – Azizit. Dihet mirë se Bib Doda pati një grindje të madhe me qeverinë turke dhe në veçanti me Ismail Pashën, me origjinë bohemiane. Dihet mirë, gjithashtu se Bid Doda, pak kohë më pas u ftua për drekë tek mirallai Salik, me origjinë shqiptare, dhe se të gjithë bashkëshoqëruesit e tij vdiqën nga e njëjta sëmundje brenda tri katër javësh. Është e ditur gjithashtu se 10 ditë pas varrimit të tij, varri i Bib Dodës ishte hapur dhe kufoma ishte gjumtuar. Asaj ishin nxjerrë sytë, kishin prerë hundën, veshët, buzët, duart dhe këmbët, i ishte hequr zemra dhe i ishin këputur pjesët burrërore. Me marrjen e këtij lajmi Mirdita u ngrit e gjitha në këmbë si një trup i vetëm dhe gjaku do të derdhej lumë. Ismail Pasha këtë priste, pasi do të donte të bënte një masakër mbi këta të ashquajtur rebelë, qëllimisht që të ngatërronte turpin e tij me një lëvizje politike. Por konsujt e Francës dhe Austrisë, z. Obaret dhe Duçizi, e kuptuan qëllimin e guvernatorit të Shkodrës, ata ndërhynë dhe iu bënë mirditorëve premtime, që nuk u mbajtën më vonë. Përsëri Ismail Pasha doli në atë kohë dhe duhej të dilte si autor mizor i akteve të tilla; helmimit të Bib Dodës dhe gjymtimit të kufomës së tij. U kërkua një hetim dhe në raste të tillë ai bëhet gjithherë. Por qeveria turke nuk e pa të udhës ta bënte këtë, sepse e dinin se rezultati nuk do të dilte në favor të gurvenatorit. Dhe për më tepër, familja e të ndjerit, menjëherë u hoq nga Shkodra dhe u dërgua në Kostandinopojë. Megjitthatë si gurvenator Ismail Pasha, ishte turpi i qeverisë dhe ushtrisë turke. Një mjek francez, z. Vidal, që shoqëronte asokohe një batalion në garnizionin e Shkodrës, na tregoi një ditë atë cfarë kishte para me sytë e tij se, kur hungarezja me të cilën Ismaili jetonte pa pikë turpi, shkoi në Shkodër të ribashkohej me të, ai dërgoj bandën ushtarake për ta pritur dhe e shoqëroi atë nën tingujt e instrumentave, pothuaj deri pranë qytetit. Të rivijmë tek Bib Doda. Disa shkodranë na tregojnë një ditë se duke e parë që po vdiste, princi i mirditorëve kërkoj që të vinte konsulli i Francës dhe i tha: “Ja, im bir, ja dhe paratë e mija. Po t’i besoj ty. Gjithcka që më takon mua është në rojen tënde. Sa për mua ka mbaruar gjithcka. Unë s’do të merrem më me to…”. Një korespondencë e Shkodrës, e riprodhuar nga La Turquie, ish-gazetë e Kostandinopojës, duke treguar për funeralet e të ndjerit, thoshte se konsulli i Francës mbante për dore djalin e vogël të Bib Dodës, paraprinte kortezhin, dhe se katër anët e arkivolit, mbaheshin nga konsuj e Austrisë, Rusisë, Italisë dhe nga sekretari i konsullatës së Rusisë, dhe më në fund, se shërbesa e përshpirtjes ishte bërë nga ipeshkvi katolik imz. Poten…. Shënim: Abdyl-Azisi u ngjit në fronin e sulltanit të perandorisë turke në vitin 1861 deri sa u vra më 1876. Kapitulli 102 Ne e shohim Bib Dodën në Kostandinopojë. Për herë të parë para luftë së Krimesë, dhe për herë të dytë pas luftës. Meqë perandori Nikola I-rë i kishte shpallur luftë Turqisë, sulltan Abdul Mexhidi kërkoi ndhmën e mirditorëve dhe Bib Doda udhëhoqi për atje 5-600 burra. Pasi disa prej tyre vdiqën, Bib Doda shkoi të rekrutonte të tjerë, dhe në mungesë të princit Omer Pasha, i ç’armatos nën pretekstin e abuzimit, i fut një palë ndër nizamët e tij, dhe të tjerët i rikthen në vendin e tyre. Tashmë, nga njëra anë princi i Mirditës, kërkon pushkët që Omer Pasha u kishte marrë njerëzve të tij, dhe nga ana tjetër qeveria turke e mbajti shumë herë në Kostandinopojë, pasi në këshillat e Portës së Lartë ishte cështja e zmadhimit të principatës së mirditorëve për t’iu kundërvënë asaj të Malit të Zi. Për këtë qëllim, i duhej t’i bashkëngiste asaj Dibrat, malësorët dhe zonat malore të Cërnagores. Por këto mbeten vetëm fjalë. Ngjarjet e viteve 1876-1878 i treguan Turqisë se, në vend t’a shndërronte Mirditën në pashallëk, e cila nuk kishte qenë e tillë, ishte më me vlerë ta ngrinte atë si principatë otomane, e aftë për t’iu kundërvënë Malit të Zi ambicioz. Ende i ri Bib Doda kishte shoqëruar babanë e tij në luftën kundër rusëve (1828-1829). Me të mbërritur në Filipopojë me amonierin dhe mirditorët e tij, kapiten Lleshi i Zi (Aleksandri i Zi) pyeti ku ishte kisha katolike dhe e çuan, -thoshte Bib Doda, -në një lloj guve, meqenëse peshkopi fanariot nuk ua lejonte, madje as vetë bullgarëve latinë, të kishin një kishë. Duke parë këtë guvë, Lleshi i Zi shkoi të gjejë guvernatorin dhe i kërkoi atij një vend të denjë për të ushtruar fenë e tij dhe të katolikëve. Ia dhanë menjëherë një gjë të tillë. Kështu katolikët bullgarë ose polikianët e Filipopojës, u detyrohen mirditasve për fatin e mirë që dolën nga katakombet ku i mbante fanatizmi i Fanariotëve. Në krye të mirditorëve të tij Bib Doda, ende shumë i ri, kishte merituar nishan iftikharin për shërbimet e kryera ndaj Reshid Pashës në Shqipërinë e Poshtme (1844). Dhe në një luftë kundër Malit të Zi (1852) me një gjakftohtësi të admirueshme kishte mbuluar tërheqjen e ushtrisë turke, që ishte nen urdhërat e Omer Pashës. Dallohet jo më pak në vitin pasues në ndërmarrje të shumta kundër kozakëve në rrethinat e Silistrisë. Arrin fushata e vitit 1862-63 kundër Malit të Zi. Çfarë shërbimesh të tjera nuk kreu ai për ushtrinë turke të futur pa kujdes ndër male. Megjithatë mirditorët nuk e kishin harruar atë cka u kishin bërë vullnetarëve të tyre në Danub, si ishin shpërblyer ata, dhe në ç’gjendje ishin kthyer në vendin e tyre. Bib Doda vetë nuk mund të harronte mundimin që hoqi për t’iu kthyer njerëzve të tij armët që ua kishte marrë Omer Pasha. Ftohja ishte një cështje serioze, dhe mund të thuhet se abati i mirditorëve, i detyruar të shoqërojë njerëzit e tij në Mal të Zi, kishte të drejtë të përgjigjej se të krishterët nuk duhet të marrin armët në favor të muslimanëve kundër të krishterëve të tjerë. Fakti është se kur mori vesh përgjigjen e Dom Gasprit, kroati apostat Omer Pasha, dërgoi njerëz ta marrin në shtëpinë e vëllezërve të tij, dhe e nisi për nuk dihet se ku. Ndërkohë konsulli i Francës, i njoftuar për atë cfarë po ndodhte, nxitoi pranë xhandarëve të Omer Pashës dhe me duart e tyre ua shkëputi atyre amonierin e Bib Dodës. Qëllimi i konsullit të Francës nuk ishte të shpëtonte abatin Gaspër nga ndëshkimet që ai mund të merrte, por nga keqtrajtimi prej serasqerit apostat, viktimë e të cilit do të kishte qenë patjetër. Kur Gaspri ishte jashtë rrezikut, u bisedua dhe u arrit marrëveshja, që konsulli i Francës ta dërgonte vetë në Kostandinopojë, dhe që abati i Mirditës të qëndrojë atje i lirë me një pagesë të dhënë prej Portës së Lartë. Megjithatë në krye të njerëzve të tij, Bib Doda, ishte nisur tashmë për në Mal të Zi. Si kudo, sjellja e tij në cdo drejtim i meritonte lëvdatat dhe të dy ushtrië e ruajtën suksesin që e arritën, pjesërisht në saj të guximit të mirditorëve, si dhe të informacioneve që ata morën prej tyre. Sa për shpërblimin dhe cmimin për gjakun e derdhur, as që bëhej fjalë, përkundrazi. Tashmë kemi folur për atë se si vdiq Bib Doda, për trajtimin që Ismail Pasha u rezervoi mirditorëve hakmarrës ndaj akteve të tij barbare, dhe se cila ishte në këto rrethana sjellja e qeverisë së këtij Abdyl Azizi, të cilin vetë turqit e vranë (1876)…. Kapitulli 103. Sa i kushtoi Portës së lartë trajtimi që u bëri mirditorëve Pasi i kishte lënduuar në këtë mënyrë mirditorët dhe i kishte lënë pa princin e tyre, ishte e natyrshme që nuk mund të kërkohej më ndihmë prej tyre, të cilën ata gjithnjë besnikërisht ua kishin dhënë ushtrive perandorake. Lufta e fundit (1876-1878) u bë pa ata, dhe kurrë Turqia nuk ka bërë një luftë kaq të mjerueshme. Nëse qeveria turke do t’i kishte hapur rrugë projektit, që kishte pasur për t’ia kundërvënë Malit të Zi, që ishte bërë principatë civile, principatën e zmadhuar të Mirditës, ajo do të mundte pa frikë t’i linte vetë asaj kujdesin për të përmbajtur Jugun, dhe madje edhe të pushtonte Malin e Zi. E qetë nga kjo anë, Turqia mund të dërgonte tjetërkund trupat që ajo mbante më kot në Shqipëri. Është e mundshme që Mali i Zi u zgjerua në Hercegovinë me lejen e Austrisë. Por në Jug, padyshim Turqia nuk do të kishte humbur aspak Tivarin, Ulqinin, Shpuzën dhe Podgoricën…dhe tashmë ajo nuk do të përballej me pushtime të tjera. Për të riparuar të keqen u formuan lidhje, një në Shkodër dhe një në Prizren, dhe vendimeve të Berlinit besohej se mund t’u kundërvije vullnetin e popullsive. Por Anglia në vitin 1880 provokoi demonstrimin detar të Kotorrit, ku u gjendën 20 luftëanije të mëdha me 7300 njerëz dhe me 136 topa në bord. Ky demostrim pati si qëllim një copëtim të Turqisë në përfitim të Malit të Zi dhe të Greqisë. Meqë popullsitë përkatëse iu kundërvunë, Turqia nuk lëshoi ndër male. Por ajo dorëzoi si barasvlerë teritorin pak a shumë midis detit dhe liqenit të Shkodrës. Për më tepër ajo gjendej midis dy lidhjeve, që vetë u kishte dhënë shkak. Për të shpërbërë lidhjen e Shkodrës u dërgua nga Kostandinopoja Dervish Pasha (Lovçali). Me shkasin e trasesë së një rruge prej Shkodrës deri në det, Dervish Pasha ia hodhi Hodo Beut dhe të birit të Bib Dodës, bashkë me dy drejtues të tjerë të lidhjes shkodrane, i çoi ata me dredhi deri tek anija me avull e dërguar nga Kostandinopoja, dhe atëhere u tregoi atyre urdhërat me të cilat ai ishte ngarkuar, duke i dërguar në Portën e Lartë. Hodo Beu dhe Bib Doda i ri u internuan në serasqerat. I mërzitur nga burgimi i tij Hodo Beu pranoj një vend si kajmekan në Azi. Edhe Bib Dodës së ri iu ofrua gjithashtu një vend, por nuk e pranoi. Më në fund, nga një artikull i gazetës VAQUET, e marsit 1882, dhe i riprodhuar nga Courrier d’Orient, mësohet se ai ishte liruar dhe qe emëruar antar i komisionit të xhandarmërisë së ngritur nga Beqir Pasha… (Përgatitur me shkurtime nga Dr. Nikollë Toma)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *