Xhoina, shqiptarja me pesë gjuhë të huaja që punon në NATO

Nga: Xhemil Beharaj

Quhet Xhoina  dhe është 25 vjeçe. Ajo ka lindur në 21 prill të vitit 1988, në Patos. Së bashku me prindërit dhe të vëllanë, në vitin 1999 shkuan dhe emigruan në Milano të Italisë. Pasi mbaroi shkollën e mesme, ajo përfundoi studimet e larta në universitetin katolik “Sacro del Cuore” në Milano, me rezultate shumë të mira. Pasi ka mbrojtur pesë gjuhë të huaja, ajo momentalisht punon me NGO (shoqatë joqeveritare) dhe YATA (Atlantic Treaty Association), një degë e së cilës është edhe në Shqipëri, që është një shoqatë që merret me organizimin e të rinjve të rajonit për diplomatët e së ardhmes… Të dyja këto organizata kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë me NATO-n dhe janë krijuar për llogari të NATO-s. Ajo ka vizituar shumë vende të botës, ku dhe ka dhënë kontributin e saj, deri në ambasadën tonë në Kinë, ku për një vit ka mbrojtur edhe gjuhën kineze në mënyrë perfekte, falë edhe ndihmës së ambasadorit tonë në Kinë. Në intervistën e sotme Xhoina rrëfen rrugëtimin e saj anembanë botës…
Çfarë studimesh keni përfunduar?
Një vit më parë përfundova studimet dhe u diplomova, duke u specializuar për marrëdhënie ndërkombëtare në universitetin katolik “Sacro del Cuore” në Milano. Pak kohë më parë u laureova në gjuhën kineze, ku për një vit isha me studime në Kinë. Atje më mori personeli i ambasadës sonë në Kinë, ku bëra praktikën. Më pas përfundova edhe specializimin për marrëdhënie ndërkombëtare në Itali.
Sa gjuhë të huaja flisni?
Kam mbrojtur dhe flas shumë mirë gjuhët: italisht, anglisht, frëngjisht, spanjisht, kinezisht, edhe shqip sigurisht.
Na tregoni diçka më shumë për përvojën në Kinë. Si ju priti ambasadori ynë atje?
Ambasadori ynë në Kinë, Kujtim Xhani më priti shumë mirë. Pasi pa CV-në time (sepse ia dhashë dorazi, duke qenë se isha në Kinë për studimin njëvjeçar të gjuhës kineze), ai ra dakord e më pranoi që unë të bëja praktikën në ambasadën tonë në Kinë. Si ambasadori, ashtu edhe gjithë stafi i ambasadës, ishin njerëz shumë të mirë. Edhe vetë zoti Kujtim e kishte nisur punën kështu si unë, por në Korenë e Veriut.
Aktualisht, ku po punoni dhe çfarë pune bëni konkretisht?
Në NGO (shoqatë joqeveritare) dhe YATA (Atlantic Treaty Association), një degë e saj është edhe në Shqipëri. Kjo organizatë merret me praktika të tilla, si për shembull kur bien kriza, çfarë krizash janë, si zgjidhen etj. Këto zhvillohen për zona e rajone ta caktuara, si në Ballkan etj. Si duhet të organizohen të rinjtë që të zgjidhin krizat, si punojnë Ministritë e Jashtme, si janë të organizuara etj., etj.
Na trego pak për jetën private… Je e fejuar apo jo? Na thuaj diçka për personin e zemrës?
Jam e fejuar me një italian, Andrean. Jam njohur me të në një mbledhje të NATO-s, që është bërë disa vite më parë në Palermo të Italisë. Ai është i punësuar në Ministrinë e Turizmit në Itali dhe mbulon zonën e malësisë së Milanos. Një herë, i fejuari im Andrea ka qenë për vizitë në Shqipëri nga NATO. Ishte viti 2011. Aty e kanë pritur shumë mirë, që nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe deri tek kamerieri i lokalit ku ata shkonin për të drekuar apo pirë kafe. Andrea u kishte thënë që “e fejuara ime është shqiptare, nga Patosi i Fierit” dhe ata ishin përgjigjur “Mirë se erdhe në familjen tonë”.
A ke dëshirë që një ditë të kthehesh e të punosh në Shqipëri?
Do të më pëlqente shumë të kthehesha në Shqipëri. Do të doja të punoja, ose në Ministrinë e Mbrojtjes, ose në atë të Jashtme. E di që gjërat nuk janë kaq të thjeshta në Shqipëri dhe duhet që t’i mendoj shumë mirë gjërat. Kam qenë në veri të Shqipërisë me disa shoqata të ndryshme italiane. Do të më pëlqente që të punoja edhe me ndihmat humanitare. Këtë gjë akoma s’e kam vendosur. I fejuari im është dakord që, në qoftë se unë gjej një punë të mirë në Shqipëri, të vijmë e të jetojmë aty.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) 30 Korrik 2013

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *