Prof.As.Dr. Thanas L.Gjika
(Me rastin e 115-vjetorit të pagëzimit të Faik Konicës)
Në historinë e popullit shqiptar nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet akti i pagëzimit të djaloshit Faik bej Konica, i cili u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi.
Ky djalosh mori mësimet e para në sarajet atërore në Konicë, ku u njoh me qytetërimin persian e arab gjatë mësimit të arabishtes, persishtes dhe turqishtes prej një hoxhe të shkolluar, kurse italishten nisi ta mësonte prej një mësuesi privat. Duke parë zgjuarsinë e tij të veçantë, prindërve të tij iu sugjerua ta dërgonin për studime në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku ai shkoi e jetoi dy vjet. Ky dërgim për vijimin e studimeve në një shkollë katolike jezuite tregon, nga njëra anë, tolerancën fetare të prindërve të Faikut dhe, nga ana tjetër, se mësuesi i tij privat duhet të ketë qenë një katolik (jezuit), shqiptar ose i huaj. Si tregon lista e botuar e nxënësve të kësaj shkolle me rastin e 50-vjetorit të saj, Faiku studioi aty në vitet 1884 dhe 1885, kur ishte 9 e 10-vjeçar.
Në Shkodër, kryeqendrën e katolicizmit shqiptar, Faiku mësoi më mirë italishten dhe u njoh më nga afër me idetë e qytetërimit europiano-perëndimor. Përvetësimit dhe përhapjes së këtyre ideve ndër shqiptarët, siç dihet, ai u kushtoi gjithë jetën. Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën katolike franceze të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Dizhon të Francës në vitet 1890-‘95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-‘97, më tej ai studioi edhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, vitet e para të emigrimit të tij në SHBA. Gjatë gjithë jetës shkollore Faik Konica doli me rezultate të shkëlqyera, gjë që dëshmon për zgjuarsinë dhe aftësitë e tij të veçanta.
Zgjuarsia e tij e veçantë u shfaq në rezultatet e larta shkollore, në shkrimet e tij publicistike, letrare e shkencore dhe në rastin e konvertimit të tij nga mysliman në i krishterë me vullnetin e tij të lirë. Një veprim të tillë nuk e kishte menduar asnjë shqiptar tjetër para tij. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar. Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori gjatë në shkrimet e tij.
Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të pagëzohej si i krishterë, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor në shkolla katolike, si dhe në përkushtimin atdhetar, në tolerancën fetare dhe në intuitën e tij. Duket se Faiku e shihte zgjedhën osmane si një tjetërsim të karakterit europian të popullit shqiptar, prandaj ai mendonte se për të arritur çlirimin kombëtar duhej kryer së pari afrimi shpirtëror me Europën e krishterë. Me fjalë të tjera ai sugjeronte një evoluim të mendësisë fetare, shkëputje prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishterë, në fenë e përbashkët të shqiptarëve me kontinentin mëmë të kohës së para pushtimit osman. Pra, sipas tij, shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare me shtetin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Tërthorazi kuptohet se ai e lidhte procesin e çlirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me një proces katarsi të pjesës myslimane të popullit tonë, e cila duhej të pendohej për braktisjen që i kishte bërë fesë së të parëve nën trysninë e rrethanave gjatë pushtuesit osman. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindës shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të kombit tonë. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përçarjes kombëtare, pra vonimit të proceseve çlirimtare. Këtë mendim e ka shprehur dhe atdhetari Mustafa Merlika disa dekada më vonë. Veçse duhet të pohojmë se ky mendim i Faikut dhe pagëzimi i tij në i krishterë në vitin 1895, ndonëse ishin vizionare, ishin të parakohshme.
Jo rastësisht mendimin dhe veprimin e Faikut nuk e vlerësuan si duhej dhe nuk i dhanë rëndësi konsuj të ndryshëm të shteteve europiane që punonin për krijimin e politikës së të ardhmes në kryeqendrat e vilajeteve shqiptare të Perandorisë Osmane. Për çudinë tonë as atdhetarët shqiptarë nuk i kushtuan vëmendje. Luigj Gurakuqi tha: katolikët shqiptarë nuk fituan ndonjë gjë të madhe nga pagëzimi i Faik Konicës. Madje as studiuesit e Konicës të para vitit 1944 e ata të mbas vitit 1992 nuk e vlerësuan këtë mendim e veprim të tij.
Pamundësinë e realizimit të këtij hapi të madh psikologjik të popullit shqiptar e tregoi dështimi i përpjekjeve të këtij rilindësi për ta kthyer pagëzimin e vet në një lëvizje të mbarë intelektualëve shqiptarë myslimanë.
Pas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej edhe ai e të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, pasi vëllezërit Frashëri, te të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia. Murati pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ky nuk nguli më këmbë për këtë problem…
Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund ta lejonte një kapërcim aq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza ose shekuj që jetonin si myslimanë.
Ndërkohë duhet të shtojmë se karakteri i parakohshëm i mendimit të Konicës, për t’i pagëzuar shqiptarët myslimanë në të krishterë për të forcuar unitetin kombëtar të tyre dhe për të nxitur procesin e europianizimit të mendësisë së tyre, nuk e dëmton karakterin vizionar të këtij mendimi. Karakteri vizionar i këtij mendimi shfaqet në faktin se ai i parapriu kohës dhe hapi një epokë të re, gjë që e tregon ecuria e mendësisë fetare të shqiptarëve nga viti 1895, viti i pagëzimit të tij, deri më sot, kur shohim se koha ka punuar për lënien mënjanë të mendësisë myslimane dhe për përqafimin e mendësisë së krishtere ose të asaj ateiste.
Po sjellim disa fakte, pa dashur të fyejmë ndjenjat e besimtarëve të mirë myslimanë, sepse për ne, besimtarët e mirë, qofshin myslimanë ose të krishterë, janë njësoj të vlefshëm për shoqërinë shqiptare dhe atë botërore. Madje ne mendojmë se të vlefshëm janë dhe jobesimtarët, pra ateistët, kur ateizmi i tyre buron nga bindjet e tyre dhe nuk kalon në antifetarizëm:
1. Që në dhjetëvjeçarët e parë të shtetit të pavarur shqiptar, në familjet myslimane atdhetare filluan të emëroheshin fëmijët jo me emra të mirëfilltë myslimanë si Muhamed, Myftar, Mahmud, Mehmet, Hanëme etj., por me emra malesh a lumenjsh (Tomor, Korab, Drin, Vjosa etj.); me emra lulesh a stinësh (Lule, Vera, Manushaqe etj.); me emra kafshësh a shpendësh (Luan, Dash, Skifter, Pëllumb, Petrit etj.), si dhe me emra të tjerë që s’kanë lidhje me Kuranin e besimin mysliman si Drita, Dritan, Dritëro, Liri etj.
2. Ahmet Zogu, mbas marrjes së pushtetit, në vitin 1925, aprovoi si kalendar zyrtar të shtetit shqiptar kalendarin europian dhe jo atë mysliman; vendosi heqjen e ferexhesë dhe hapi vende pune për gra, dha shumë bursa studimi për të rinj e të reja në vendet e Europës Perëndimore etj. Këto masa tregojnë për synimet e tij proeuropiane dhe jo promyslimane aziatike, synime që u bënë edhe më të dukshme kur ai u martua me një bijë të krishtere hungareze të një familjeje kontësh dhe jo me ndonjë bijë të mbretërve a sheikëve të pasur të botës myslimane. Kjo martesë e Mbretit të shqiptarëve me një grua të krishtere europiane nuk erdhi nga shkollimi i tij në shkolla katolike dhe as duhet kuptuar si përbuzje ndaj fesë së prindërve të tij. Martesa e Mbretit Zog tregon se ai e sakrifikoi besimin mysliman për hir të një ardhmënie më të mirë europiane të popullit të tij. Martesa e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë dëshmon se për sa i përket kahut që duhej t’i jepte shtetit të tij drejt Lindjes apo drejt Perëndimit, kishte mendësi prej prijësi. Si prijës ai kuptoi se interesat e atdheut e të popullit kërkonin që ai të kryente një proces të kundërt me procesin që kishin kryer stërgjyshërit e tij. Ashtu si shumica e shqiptarëve, stërgjyshërit e Ahmet Zogut, të detyruar nga rrethanat, kishin sakrifikuar besimin e krishterë e ishin konvertuar në myslimanë jo vetëm për lehtësim të zgjedhës osmane, por dhe për të mbrojtur qenësinë e tyre shqiptare nga presionet asimiluese të kishës ortodokse serbe e asaj greke. Në kushtet e reja, Mbreti Zog i dha familjes së tij një kah drejt botës së krishterë. Bijtë e vet ai i pagëzoi me emra të krishterë, kurse fëmijët e djemve të tij mendojnë e jetojnë sot si të krishterë. Ky kah që po i jepte Mbreti ynë Shqipërisë drejt Europës së krishtere, po të mos kishte ndodhur Lufta e Dytë Botërore, do të kishte ndikuar për një largim të ngadalshëm e pa dhunë të shumë të rinjve shqiptarë nga myslimanizmi.
3. Gjatë regjimit komunist, propaganda antifetare dhe procesi i dhunshëm i luftës kundër besimeve fetare, ndikoi për dobësimin e besimit fetar te shqiptarët, por ky proces solli dëme më të mëdha te besimtarët myslimanë, pasi besimi i tyre ishte një besim më i ri e me rrënjë më të dobëta. Populli shqiptar në trojet e veta kishte gati njëzet shekuj që kishte përqafuar fenë e krishterë prej misionarësh të mëdhenj si: Shën Pali, Shën Timoteu, Shën Asti, Shën Kostandini i Madh, Shën Jeronimi etj. Nga radhët e besimtarëve të krishterë kishin dalë gjatë shekujve shumë bij të shquar, klerikë ose jo, si dhe shkrimtarë e martirë që kishin dhënë jetën për ruajtjen e lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për lirinë e atdheut. Kurse pjesa myslimane e popullit shqiptar kishte vetëm dy a tre shekuj që ishte konvertuar dhe këtë konvertim shumica e tij e kishte bërë nga halli. Prej pjesës myslimane të popullit shqiptar, edhe pse përbënte pjesën më të madhe numerike të popullit, bijtë e shquar dhe martirët e gjuhës shqipe dhe të lirisë ishin më të paktë. Edhe procesi i dhunshëm për emancipimin e gruas shqiptare, ndalimi i martesave me më shumë se një grua, nxjerrja e grave patjetër në punë etj., ndikuan për dobësimin e mendësisë myslimane, e cila e trajton femrën vetëm si qenie shtëpiake dhe jo shoqërore.
4. Pas viteve 1991-‘92, shkërmoqja e komunizmit në Shqipëri dhe kthesa e madhe që duhej marrë, kërkonte një proces katarsisi. Ish-udhëheqja e Partisë Komuniste shqiptare, e cila e kishte udhëhequr popullin në një qorrsokak plot sakrifica e krime të panevojshme, mbas dështimit të sistemit socialist, duhej t’i kërkonte të falur popullit për gabimet dhe sidomos për krimet e kryera. Zoti Ramiz Alia, zonja Nexhmije Hoxha e kompani, duke qenë njerëz që e urrenin besimin e krishterë, urrenin edhe thelbin e tij, pendesën dhe ndjesën, pra kërkesën e të falurit, që ndihmon për t’u korrigjuar e shkuar përpara. Për më keq akoma, klani Hoxha e Alia punuan që njerëzit e tyre të filtroheshin në udhëheqjet e partive të reja për të vijuar krimin e mbajtjes së pushtetit, si dhe pasurimin e tyre në kushtet e reja të pluralizmit. Madje edhe sot, pas 20 vjetësh, ata nuk i kërkojnë falje popullit për krimet e bëra, por justifikohen duke thënë: ashtu ishte sistemi shoqëror. Sundimi i tyre gjakatar dhe kjo këmbëngulje për të justifikuar krimet e tyre, tregon se ata nuk kishin pasur kurrë ndjesi prej prijësi të popullit. E kush nuk e di se me të tjerë njerëz, si: Zai Fundo, Zef Mala, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Drita Kosturi, Selfixhe Broja, Ymer Dishnica etj., që ata i mënjanuan, sistemi komunist do të ishte zbatuar me tolerancë, me pasoja jo aq të rënda dhe së fundi dështimi e shkërmoqja e tij mund të ishte shoqëruar me një proces pendese dhe me largim të sinqertë nga pushteti.
5. Pas vitit 1992, populli i thjeshtë iu fut rrugës për një shpëlarje shpirtërore, filloi një proces i rikthimit te besimi fetar. U rihapën kishat, xhamitë e teqetë dhe populli filloi t’i frekuentonte ato për të treguar se nuk e kishte dëshiruar mbylljen dhe prishjen e tyre të vitit 1967. Filloi një fushatë pagëzimesh e ripagëzimesh. Krahas pagëzimit të ish-besimtarëve të krishterë e bijve të tyre, pati edhe shumë pagëzime të shqiptarëve ish-myslimanë në të krishterë, sidomos në të krishterë protestantë, por asnjë shqiptar ish i krishterë nuk u konvertua në mysliman.
6. Pas vitit 1992, botimi i veprave të Pjetër Pepës, At Zef Pëllumbit, Lek Pervizit etj., ku përshkruheshin përndjekjet, torturat dhe vuajtjet e klerikëve, sidomos të atyre katolikë gjatë regjimit komunist, e forcuan më tej respektin dhe dashurinë ndaj fesë së krishtere.
7. Shkrimtari i talentuar shqiptar, Ismail Kadare, edhe pse ishte ateist për nga bindjet fetare, u bëri thirrje shqiptarëve në vitet 1993-‘94, pikërisht që nga Franca, prej ku u kishte bërë të njëjtën thirrje gati një qind vjet më parë Faik Konica, që të ktheheshin në fenë e të parëve, duke u pagëzuar si të krishterë katolikë. Kësaj thirrjeje në kushtet e reja iu përgjigjën mjaft intelektualë dhe njerëz të thjeshtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
8. Intelektuali dhe udhëheqësi i shquar i popullit shqiptar të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, gjeti një nga nxitjet dhe frymëzimet kryesore për pavarësinë e Kosovës te jeta dhe vepra e priftit katolik Pjetër Bogdani dhe në bëmat e mirësisë së Nënë Terezës.
9. Sot, mjaft të rinj e të reja, që shkojnë për të punuar a studiuar në vendet e krishtera të Europës ose Amerikës, po pagëzohen si të krishterë, ndoshta të detyruar nga rrethanat konkrete, por ndoshta edhe nga bindjet e reja fetare që përvetësojnë aty. Ky fenomen po shtrihet sidomos te fëmijët që lindin në ato vende. Mesa duket, prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre në këto vende të mos jenë të ndryshëm për nga formimi kulturor e fetar në krahasim me fëmijët vendas. Ky proces, me thënë të vërtetën, ndikon në asimilimin e shpejtë të shqiptarëve të diasporës së sotme, prandaj prindërit, si dhe shteti shqiptar duhet të ndihmojnë që fëmijët e diasporës sonë të re ta mësojnë gjuhën shqipe me të folur e me të shkruar, të mësojnë historinë dhe kulturën shqiptare.
10. Sa më shumë kulturohen shqiptarët, sa më shumë shtetet ku ata jetojnë (Shqipëria, Kosova e Maqedonia) u afrohen Europës e Amerikës; sa më shumë vajzat shqiptare pëlqejnë të vishen me minifunde e dekolte; sa më shumë ato marrin pjesë në jetën shoqërore, kulturore, politike të vendit, aq më shumë ato dhe bashkë me to e gjithë shoqëria, i largohet mendësisë myslimane…
Shkurt mund të themi se shumica e popullit shqiptar gjatë kohës së sundimit osman, e ndikuar prej mendësisë sunduese myslimane dhe presioneve asimiluese të kishës greke e asaj serbe, u detyrua të ndërronte besimin nga i krishterë në mysliman. Në atë kohë u krijua mendësia se nuk ishte diçka për t’u mburrur të qenët i krishterë, por se ishte më mirë të ishe mysliman, të ishe i një feje me sunduesin. Ndërsa gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur, gjatë kohës së diktaturës dhe sidomos sot, kur synimi kryesor mbetet bashkimi me shtetet europiane, ku sundon besimi i krishterë, dashur pa dashur, shqiptarët po jetojnë procesin e rikthimit te feja e të parëve, pra rikrishterizimin e tyre, atë proces që e hapi 115 vjet më parë djaloshi vizionar, njëzetvjeçari Faik Konica.
Duke parë ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve gjatë këtyre 115 vjetëve të kaluara, mund të kuptojmë kahun e ecjes për 100 vjetët e ardhshëm. Natyrisht që nuk mendojmë se do të shkohet te zhdukja e besimit mysliman midis shqiptarëve, por te ndryshimi i raportit midis besimit mysliman e atij të krishterë. Shqiptarë myslimanë ka për të pasur sado që të shtohen radhët e të krishterëve dhe të afetarëve, për shkak të forcës së zakonit, për shkak të lidhjeve dhe interesave të ndryshme, si dhe për shkak të interesimit dhe investimit të vijueshëm që tregojnë disa qarqe myslimane botërore, të cilat urojmë të mos kenë qëllime të këqija prapa investimeve të tyre.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se shqiptarët myslimanë, duke përbërë shumicën e kombit, ndiejnë për detyrë që të forcohet karakteri kombëtar i kishës së krishterë, sidomos i asaj ortodokse. Këtë fakt e tregoi ndërhyrja energjike e Uran Butkës me shokë më 1992-shin gjatë ceremonisë për emërimin e peshkopit grek Anastas Janullatos si kryepeshkop të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
.
Duke ditur se pjesa kryesore e kishës nuk janë muret e godinës, por anëtarët që bëjnë jetën fetare në të, mendojmë se po të ketë çdo kishë ortodokse në Shqipëri shumicën e anëtarëve shqiptarë atdhetarë, kjo shumicë e detyron klerikun e kishës dhe kryeklerikun, që të mbajë edhe mesha të veçanta për probleme që forcojnë lidhjet shpirtërore të kombit tonë. Të tilla mesha mund të mbahen për viktimat e shqiptarëve të Çamërisë, si dhe për çdo shqiptar që vritet sot padrejtësisht në emigracion etj. Forcimi i karakterit kombëtar e autoqefal të kishës sonë ortodokse ka nevojë për shtimin e radhëve të besimtarëve me shqiptarë atdhetarë. Për këtë arsye konvertimi i shqiptarëve myslimanë në ortodoksë është një veprim ku mund të shfaqet e duhet të shfaqet atdhetarizmi i tyre.
.
Në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore, po të arrihet që kishat ortodokse të mbushen me shumicë besimtarësh shqiptarë atdhetarë, këta do të nxjerrin nga radhët e tyre klerikët e vet dhe do të fillojnë ta mbajnë meshën në gjuhën shqipe. Me këtë rrugë dalëngadalë kishat ortodokse në këto vende mund të rishqiptarizohen dhe të kthehen në origjinën e tyre si ishin para pushtimit serbo-bullgar e atij osman.
.
Ndër mësimet themelore që dalin nga ky vështrim i shkurtër mbi ecurinë e besimit fetar të shqiptarëve, mund të përmendim disa:
1. Sikur shqiptarët ta kishin vlerësuar e dëgjuar Faik Konicën dhe të kishin filluar qoftë dhe ngadalë procesin e rikrishterizimit të tyre që në vitet e Rilindjes, ata dhe trojet e tyre do të kishin pasur një fat më të mirë në vitin 1913, vitin e ndarjes së kufijve.
2. Ecuria drejt europianizimit të Shqipërisë e drejtuar prej Mbretit Zog do të kishte qenë më e fuqishme dhe më rezultative.
3. Diktatura shqiptare do të kishte qenë më tolerante dhe shkërmoqja e diktaturës do të kishte qenë e shoqëruar me pendesë e katarsis, ndoshta si në Poloni.
4. Shumë të rinj e të reja që sot nuk ushqejnë asnjë ndjenjë pozitive për edukatën fetare dhe mburren që nuk shkojnë as në xhami e as në kishë, do të kishin marrë një edukatë të mirë fetare dhe do të kishin ndihmuar në forcimin e karakterit kombëtar të kishës shqiptare ortodokse, që po merr ngjyra greke dhe të xhamisë shqiptare që po merr ngjyra arabe, ngjyra që ato nuk i kanë pasur më parë.
5. Udhëheqësit e tranzicionit nga të dyja palët do të kishin pasur një edukatë më qytetare dhe nuk do të luftonin aq egërsisht midis tyre për pushtet, por do të kishin luftuar për demokratizimin e jetës, për rritjen e mirëqenies së popullit dhe do të ishin ata që do ta kishin paraprirë e shpejtuar procesin e europianizimit të shqiptarëve.
6. Intelektualë të shquar si I. Kadare e I. Rugova, nuk do të kishin bërë vetëm deklarata për rikrishterizimin tonë, por do të ishin pagëzuar vetë me fëmijët e tyre.
7. Shqiptarët, të cilët kanë qenë e janë tolerantë ndaj besimit fetar, po ta kishin dëgjuar Faik Konicën, do ta kishin përqafuar më shpejt e më masivisht procesin e ndërrimit të besimit fetar për një ardhmëri më të mirë kombëtare europiane.
8. Përqafimi i sinqertë i krishterimit do ta ndihmonte popullin shqiptar të çlirohej nga disa ndjenja të tepruara egoizmi e kapadaillëku dhe do ta kishte bërë më tolerant e më dashamirës ndaj njëri-tjetrit.
Si përfundim mund të themi se ndërrimi i fesë nuk i ka armiqësuar shqiptarët midis tyre dhe nuk i armiqëson as sot. Armiqësinë fetare ndër shqiptarët e nxisin vetëm disa qarqe të huaja shoviniste ose fondamentaliste, që nuk ia kanë dashur e nuk ia duan të mirën kombit tonë, por përpiqen ta kthejnë atë në mish për top.
Sot shqiptarët mund të marrin një qytetari të dytë, atë amerikane, greke, italiane, gjermane, kanadeze etj., sipas vendit ku jetojnë, por nuk duhet të ndërrojnë përkatësinë kombëtare, pasi ky ndërrim ka pasoja shumë të rënda, që shpejt a vonë i shpie në armiqësi me bashkëkombësit e vet.
Sikur te ishim konvertuar sigurisht se do te lulezonte me shume sdhe pedofilizmi.
Enveri i mbathte me patkoj tradhteret e kombit qe u shiten per Romen ne dem te vendit te tyre. Disa duhet te mbathen me patkoj edhe sot, si puna e keti autorit te shkrimit dhe botuesit te tij. Dore e zgjatur e shkaut ne trojet e Dardanise!!!!