“Ndre Mjeda” braktiset nga qeveritarët


Me rastin e 75-vjetorit të vdekjes se Ndre Mjedës (1886 – 1937), Qendra e Studimeve Albanologjike, qendra muzeore që mban emrin e poetit dhe Komuna Bushat, organizuan një ceremoni përkujtimore në nder të Mjedës. Studiues e intelektualë folën për kontributin e Ndre Mjedës dhe të veprës së tij, ndërkohë që u përurua edhe shtatorja që u vendos në qendër të kompleksit muzeor në Kukël, të rikonstruktuar vetëm pak muaj më parë.
Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm intelektualë nga Shqipëria dhe Kosova, kanë munguar përfaqësuesit e politikës. “I nderuar imzot Massafra, të nderuara autoritete shtetërore, që nuk gjetët kohë të vini, të nderuara autoritete lokale, të dashur studiues dhe miq të kulturës shqiptare nga brenda dhe jashtë atdheut. Ndiej kënaqësi të madhe, që sot kam rastin t’ju shpreh mirëseardhjen në këtë ditë të shënjuar, për të gjithë ne, për kulturën dhe kombin shqiptar në përgjithësi”, kështu e ka nisur fjalën e tij përshëndetëse Dom Nik Ukgjini, drejtori i qendrës muzeore “Ndre Mjeda”.
Qendra e projektuar dhe ndërtuar nga poeti, u përurua në rastin e 75-vjetorit të vdekjes së Mjedës dhe 100-vjetorit të shtetit shqiptar, të cilit ia kushtoi tërë jetën. Me këtë rast u përurua edhe shtatorja e poetit, realizuar falas nga skulptori Sadik Spahija, ndërkohë që ringritja e qendrës muzeore është bërë me fonde të mbledhura nga dhurues vullnetarë. “Nuk dua të flas për Mjedën, sepse, për jetën edhe veprën e tij, në mënyrë të mrekullueshme ka folur studiuesi Mentor Quku nëpërmjet 10 vëllimeve të botuara për këtë vigan të letrave shqipe, por, të prikujtoja, se Mjeda ishte rilindësi që tërë jetën rrezatoi ide të përparuara europiane. Kudo që shkoi, ai u mor me veprimtari klerikale, gjuhësore, letrare, diplomatike, politike etj., duke ndriçuar faqe të historisë së lavdishme të popullit shqiptar në shekuj. Tërë jetën punoi për krijimin e një epopeje të bashkimit kombëtar, për pavarësi dhe ndërtimin e shtetit e të së drejtës. Përurimi i kësaj qendre po shoqërohet me rikthimin e këtij rilindësi të madh në formë shtatore, në vendin që i takon, në Qendrën Muzeore, ku jetoi dhe krijoi kryeveprat e tij jetësore”, është shprehur Ukgjini.
Në fjalën e tij, drejtori i Qendrës Albanologjike, Ardian Marashi theksoi se ”në rikthimin e Ndre Mjedës, veprimtari që zhvillohen për të dytin vit me radhë, meritën kryesore e ka famullitari i Kuklit, Dom Nik Ukgjini, pasardhësi i Ndre Mjedës në këtë famulli, i cili në bashkëpunim me QSA-në dhe duke gjetur mbështetjen e veçantë të Komunës së Bushatit, arriti që në një kohë të shkurtër të realizojë projekte interesante rreth kësaj figure”.
Dom Nik Ukgjini foli gjithashtu për domosdoshmërinë e restaurimit të shtëpisë muze e cila si e tillë ka funksionuar me shkëputje në kohën e komunizmit, në vitet 1963-1990. “Në të do sistemohen gjërat personale të Mjedës: si materiale fotografike, shkrime studimore, botime librash, tryeza 100-vjeçare e cila akoma gjendet duke u shkatërruar depo të muzeut të Shkodrës, etj. Qendra, pos qe do jetë një vend pelegrinazhi kulturor mbarëkombëtar, do luajë rolin e një vatre të studimeve mjedologjike për brezat e rinj”, ka shtuar Ukgjini. Në përfundim, Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra ka bekuar Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda”.

One thought on ““Ndre Mjeda” braktiset nga qeveritarët

  1. Mjeda, erudit shqiptar i kohes, Mjeda bari shpirtrash, Mjeda politikan i ndershem, Mjeda mbi te gjitha poet e njeri nuk do harrohet sa ti bjeri Dielli -Tokes..Si mund t’harrohet ”Vaji bylbylit”, themeluesi i shoqnise Agimi, si mund t’harrohet poeti i ”Lirise”, si mund t’harrohet t’pakten nga mirditasit, formuesi i memorandumit qe t’part tone i drejtune osmanllinjve..Mjeda s’asht i ”Tretun” as sot e as mot, te tretun jane pseudopolitikant mjerane shqiptare t’majte e t’djathte..Mjeden s’ka problem qe e ka ”harrue” politika, Mjeden se harron kurre Shqipnia, Mjeden s’ka per ta harru kurr rinia, Mjeda jetoj dhe vdiq i ri, Dom Ndre Mjeda s’ka dek kurre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *