Betohet mbi Kushtetutë Bujar Nishani: President mbi palët

Betohet mbi Kushtetutë Bujar Nishani: President mbi palët

TIRANË- Bujar Nishani mori sot zyrtarisht detyrën në krye të shtetit. Ai u betua si Presidenti i 6-të i Republikës së Shqipërisë. Me dorën në Kushtetutë, Nishani u betua se do t’i bindet ligjeve të vendit. Në fjalën e parë të tij, ai premtoi reformimin e drejtësisë, bashkëpunimin me të gjitha forcat politike që vendi të marrë statusin kandidat në BE. “Ta bëjmë jetën tonë më të lirë”, deklaroi ai, duke thënë se do jetë një president mbi palët. Nishani: Sot u betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, për të mbrojtur lirinë dhe interesat e qytetarëve dhe vendit tim.

Fjalimi zgjati rreth 30 minuta, ndërsa ceremonia u zhvendos në presidencë ku Bamir Topi i dorëzoi zyrtarisht detyrën Bujar Nishanit në prani të 500 të ftuarve. Gjithçka nisi me dorëzimin e Kushtetutës tek pasardhësi dhe më pas një takim kokë më kokë në zyrën presidenciale mes Bamir Topit dhe Bujar Nishanit. Pas fjalës së presidentit të ri, Bamir Topi u largua përfundimisht nga Presidenca, por me protokollin e ndryshuar ai nuk mbajti fjalim lamtumire.

Ceremonia e dorëzimit të detyrës ndryshe nga 2007, u mbajt në oborrin e presidencës dhe jo të Pallatit të Brigadave. Ceremonia u përmbyll me një kokteil në ambientet e brendshme të presidencës.

Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, të parlamentit, ish-Presidenti Alfred Moisiu, ish-deputetë, kryetarë të partive politike, përfaqësues të Trupit Diplomatik si dhe përfaqësus nga fusha të ndryshme. Në ceremoni edhe kreu i PS-së Edi Rama.

TROKITJE GOTASH, URIME PER PRESIDENTIN NISHANI
Ora 19:50- Presidenti i Republikës Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zunë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali, duke pasur kështu mundësi për foto. Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizën drejt sallës ku u mbajt pritja me rastin e marrjes së detyrës. Të ftuarit u priten në hyrjen e Sallës “Skënderbeu” të Presidencës nga Protokolli i Shtetit, ku përshëndesin dhe urojnë Presidentin e Republikës.

LARGOHET BAMIR TOPI NGA PRESIDENCA
Ora 19.44- Pas fjalës së Presidentit të Republikës Bujar Nishani, Bamir Topi përshëndetet me Bujar Nishanin me shtrengrim duarsh. Bamir Topi sipas protokollit të ndryshuar nuk mbajti fjalim. Sh.T.Z.Bamir Topi u përcoll deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit. Shoqërohej nga bashkëshortja. Makina e ish-Presidentit shoqërohej nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndeti me dorë të gjithë të ftuarit. Më pas Topi, darkoi me miqtë e tij, shume prej te cilëve tashme te anëtarësuar ne partine me te re, Fryma e Re Demokratike

NISHANI ZYRTARISHT PRESIDENT: PËRGJEGJËSI E MADHE
Ora 19:40- Pasi mori zyrtarisht detyrën si President i ri i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i’u drejtua 500 të ftuarve të nderit me fjalët: “Sot ndihem njeriu më i privilegjuar dhe më i nderuar, duke qenë i zgjedhur në postin më të lartë të Shtetit, në atë të Presidentit të Republikës, por që nga ky çast mbaj mbi vete përgjegjësinë më të madhe të mundshme që mund të ketë në jetën e tij një individ në lidhje me vendin, me shoqërinë dhe me shtetin, në lidhje me miqtë dhe partnerët. Në këto çaste solemne, më lejoni t’ju paraqes tërë ndjenjën e përgjegjshmërisë time për të mbajtur betimin e bërë mbi Kushtetutën e vendit se: nëpërmjet integritetit, drejtësisë, bindjes ndaj ligjit, respektit ndaj vullnetit të popullit tim, bashkëpunimit dhe vendosmërisë si dhe besimit tek Zoti, do të përmbush çdo detyrë dhe përgjegjësi kushtetuese”, tha ai.

NISHANIT I DOREZOHET KUSHTETUTA
Ora 19:35- Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dolën nga zyra dhe u drejtuan drejt hyrjes kryesore të Presidencës. Të dy Presidentët zunë vend në krye të shkallëve të Presidencës shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit sipas skemës përkatëse. Ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, Flamuri Kombëtar qëndroi i ngritur. Truproja e Nderit parakaloi para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, lëvizi drejt Presidentit të Republikës Bujar Nishani, për t’i dorezuar në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha: I nderuar Z.President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Z.Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën, Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

NISHANI NE PRESIDENCE, TAKON TOPIN
Ora 19:32 Presidenti i Republikës Bujar Nishani mbërrin në Presidencë. (Hyrja u bë nga krahu i zyrave të Presidencës). Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me ish-Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

NISHANI: TA BËJMË JETËN TONË MË TË LIRË
Ora 18:50- Në fjalën e tij të parë si Presidenti Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u shpreh se do jetë President i shtetit 100-vjeçar, ndërsa konfirmoi vullnetin për të zbatuar me përpikëri ligjet e vendit. Reforma në drejtësi, ishte një pikë kyce, ku kreu i ri i shtetit, njëherësh edhe kreu i KLD, premtoi se do ta bënte sistemin e drejtësisë funksional dhe transparent.

http://www.balkanweb.com/TV/index.php?id_categoria=48&id_ansalive=15891 ( video )

“Dëshiroj t’ju shpreh falenderimet dhe nderimin tim së pari për praninë tuaj në këtë ceremoni të marrjes së detyrës si dhe për të gjitha vlerësimet dhe besimin që më keni kushtuar! Nga ky podium i nderuar, më lejoni njëherësh të shpreh mirënjohjen për mesazhet dhe përshëndetjet e dërguara për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë nga ana e Sekretares amerikane të Shtetit, zonja Klinton; Presidentit të Komisionit Evropian, zotit Barrozo dhe gjithë homologët e tjerë, të cilët më nderuan me urimet e tyre! Sot u betova në Kuvendit të Shqipërisë. U betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, për të mbrojtur lirinë e interesat e qytetarëve dhe vendit tim.
Këtë detyrë të nderuar po e marr përsipër në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar. Rruga e jonë nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sakrifica dhe herë-herë edhe me pengesa, por së fundmi ia kemi dalë dhe jemi në rrugën e duhur.

Familja e Presidentit te ri
Gjatë njëzet viteve të fundit, përpjekjet e bëra kanë sjellë ditë pas dite e hap pas hapi një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri më të lirë, një Shqipëri më demokratike dhe më të zhvilluar ekonomikisht. Sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s falë angazhimit dinjitoz të shqiptarëve dhe partneritetit të ofruar nga aleatët tanë, liria jonë është e sigurt. Sot shqiptarët lëvizin pa pengesa në hapësirën “Shengen”, ku falë seriozitetit të provuar të vetë shqiptarëve por dhe dashamirësisë së miqve tanë, liritë tona janë reale e të prekshme.
Detyra jonë është të shohim e të dëgjojmë çdo ditë e të kuptojmë atë çfarë duan qytetarët tanë të gëzojnë në vendin e tyre: në vendin ku po rrisim fëmijët tanë dhe të cilin duam t’ua lëmë trashëgim nipërve dhe mbesave. Të gjithë jemi të bindur se do të dëgjojmë nga çdo bashkëqytetar të njëjtat kërkesa për paqe, mirësi, mirëqenie ekonomike, për ligj dhe rend, për drejtësi sociale, për liri dhe zhvillim. Secili prej nesh ka një mundësi të japë kontributin e vet për t’u garantuar qytetarëve tanë të gjitha këto, çdo ditë e më shumë. Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrave të tij kushtetuese, ka një angazhim të rëndësishëm për të realizuar reformën në fushën e drejtësisë. Për fat të keq, aktualisht ne konstatojmë një raport të theksuar mosbesimi midis qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Rivendosja e këtij besimi do të jetë matësi dhe vlerësuesi më i mirë i funksionimit ligjor të sistemit. Konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është baza e vetme mbi të cilën mund të ngrihet suksesshëm çdo nismë e ndërmarrë në kontekstin e reformave. Së bashku me bashkësinë e gjyqtarëve dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kam përgjegjësinë dhe konfirmoj angazhimin për përcaktimin dhe konsolidimin e një sistemi vlerësimi të gjithëdiskutuar e të pranuar publikisht mbi nevojën e vlerësimit dhe vendimarrjes për karrierën, promovimin dhe gjykimin administrativ të gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit. Ofroj të gjithë vullnetin dhe angazhimin e Institucionit të Presidentit të Republikës, në konsultim dhe bashkërendim kushtetues edhe me Kuvendin e Shqipërisë në përzgjedhjen dhe emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe atyre të Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar këtë proces si më jetësorin në konsolidimin e asaj trupe, e cila orienton dhe garanton tërë veprimtarinë profesionale dhe ligjore të të gjithë sistemit tonë gjyqësor. Institucioni i Presidentit të Republikës do të garantojë që vlera e lartë e dekretit presidencial t’u kushtohet vetëm atyre prokurorëve, të cilët e kanë vërtetuar kurajon, nivelin profesional dhe integritetin e tyre moral. ”, tha ai.

Marrja e statusit të vendit kandidat në vjeshtë, ishte një nga prioritetet e presidentit të ri, Bujar Nishan.
“Siç edhe na janë adresuar vazhdimisht miqtë tanë nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, si dhe ata nga Departamenti amerikan i Shtetit duke na e vënë në dukje, sot Shqipëria ndodhet përballë çasteve shumë të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Synimi, përpjekjet tona si dhe krijimi i të gjitha kushteve të nevojshme për të marrë në mënyrë të merituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, janë interesi madhor i qytetarëve tanë – interes i lidhur drejtpërdrejtë me arritjen dhe plotësimin e atyre standardeve që shqiptarët meritojnë të kenë. Dymbëdhjetë përparësitë kryesore, të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian, përbëjnë reformat kyçe që duhet të ndërmerren nga ne dhe dëshiroj të vë në dukje se në këtë drejtim një seri rezultatesh pozitive janë arritur tashmë. ”, tha ai.

Largimi i ish Presidentit Bamir Topi

Bashkëpunimi me të gjitha palët politike ishte një nga premtimet e kreut të ri të shtetit.
“Në këtë ditë solemne, dëshiroj të konfirmoj të gjithë vullnetin dhe gatishmërinë time për të qenë një partner i sinqertë për mazhorancën qeverisëse dhe për opozitën politike! Institucioni i Presidentit të Republikës, në respekt të vullnetit të qytetarëve të vendit dhe në bindje ndaj frymës së Kushtetutës, do t’i ketë të hapura dyert e tij gjatë pesë viteve të ardhshme si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe për vlerësimin e qëndrimeve të përbashkëta në interes të vendit dhe kombit. Misioni ynë është i njëjtë dhe i pandryshueshëm: ta bëjmë vendin tonë më të lirë, më demokratik, më të zhvilluar dhe gjithnjë e më shumë të dashur për të jetuar. Ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë gjithnjë e më të qetë, më të sigurt, më njerëzore dhe besimplote, duke shtuar përditë e më shumë garancitë për një jetë dinjitoze dhe paqe sociale”, tha ai.

PRESIDENTI NISHANI BETOHET PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Ora 18:45- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bëri sot betimin para Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti Nishani u betua duke vënë dorën mbi Kushtetutë, sipas formulës së lexuar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: “Betohem, se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”. Pas procesit të betimit, u bë ekzekutimi i Himnit Kombëtar. Në seancën e betimit të Presidentit ishin të pranishëm edhe deputetët socialistë dhe të grupeve të tjera parlamentare. Në ceremoni morën pjesë kryeministri Berisha dhe përfaqësues të qeverisë, të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtues të institucioneve shtetërore, bashkëshortja dhe dy fëmijët e Presidentit Nishani, si dhe të ftuar të tjerë.

SOT BETOHET BUJAR NISHANI SI PRESIDENT
Ora 07:50- Bamir Topi dorëzon presidencën 5 vjeçare tek pasardhësi i tij Bujar Nishani. Në orën 18:30, në sallën e seancave plenare do të zhvillohet ceremonia e betimit të Presidentit të zgjedhur të Republikës. Pas betimit dhe këndimit të Himnit Kombëtar, Presidenti i Republikës do të mbaj para Kuvendit një fjalë përshëndetëse. Në këtë seancë plenare është i ftuar Trupi Diplomatik si dhe personalitete të jetës politike, shoqërore dhe fetare të vendit. Në sallën e zbukuruar do të ketë ushtarë roje nderi, si dhe solist dhe kori i Operas për të kënduar Himnin Kombëtar. Në monitor do të shfaqet Flamuri kombëtar dhe logoja e “100 Vjet Pavarësi”.

Më pas gjithçka do të zhvendoset në presidencë ku një orë më pas, pikërisht në 19:30 të ftuarit mbërrijnë në selinë presidenciale të cilët i pret Bamir Topi për momentin e dorëzimit të detyrës. Mësohet se ka një ndryshim të disa riteve të ceremonisë tradicionale siç është parakalimi i Presidentit para Gardës së Nderit të Republikës apo gjuajtja me top në momentin e dorëzimit të mandatit. Gjithçka nis me dorëzimin e Kushtetutës tek pasardhësi dhe më pas një takim kokë më kokë në zyrën presidenciale mes Bamir Topit dhe Bujar Nishanit.

Në ceremoninë e mbrëmjes së sotme janë të ftuar dhe ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu ndërkohë që sot pothuajse e gjithë PD-ja do të jetë e pranishme në ceremoninë që do të zhvillohet në Presidencë. Axhenda e ceremonisë se dorëzimit tashmë ka marrë dorën e fundit bashkë me përgatitjet për këtë event që ndryshe nga 2007, këtë radhë do të bëhet në oborrin e presidencës dhe jo të Pallatit të Brigadave. Ceremonia do të përmbyllet me një kokteil që do të zhvendoset në ambientet e brendshme të presidencës. Në ceremoni edhe kreu i PS-së Edi Rama.

Zoti Nishani u zgjodh nga Kuvendi më 11 qershor, në postin e Presidentit të Republikës, pasi pro kandidaturës së tij votuan 73 deputetë, nga 76 që morën pjesë në votim, ndërkohë që një deputet votoi kundër, ndërsa dy fletë ishin të pavlefshme. Ndërkohë që deputetët e Partisë Socialiste të opozitës, të pranishëm në sallën e parlamentit, nuk morën pjesë në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të shtetit.
(Matilda Arapi/Elda Menga/BalkanWeb)

One thought on “Betohet mbi Kushtetutë Bujar Nishani: President mbi palët

  1. PUN TE MBAR PRESIDENTI I 100 VJETORIT I SHTETIT SHQIPTAR.
    —————————————————————————————
    Populli shqiptare kete vite feston 100 vjetorin e Pavarsis,Zoti Bujar Nishani eshte me fate qe eshte ne kete post te kryetarit te larte te shtetit shqiptar,po sduhet harruar qe mbi supe ka nje detyr me shume pergjejsi per vendin e tije,,eshet dhe Populli me fat qe ka nje president qe s’njeh humbje vec ngritje,Kurse Zoti Bamir Topi e la Predidencen ne duar te sigurta,dhe Bujar Nishani se besoj qe ben gabime si paraardhsi i tij duke krijuar konflikte me mashorancen,dhe duke ofenduar dhe gjuhen shqipe [Gegnishten,Gjuhen tone te lashte sa dhe vete populli shqiptare.Lumtumir Zoti Bamir,dh pac shendet dhe harmoni ne jeten tane private.L,S,MI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *