Shoku i qelisë: Amanetet e fundit të Vilson Blloshmit
Të vëllait, Bedriut, i dridhet buza. Ai, i “mbijetuari i tretë”, siç e quajti shkrimtari Agron Tufa, e ka të vështirë të flasë. Në këtë ditë kujtese, ai nuk do të ndajë më asgjë nga vetja. Ka folur edhe më parë për Vilsonin, të vëllanë e vrarë pse lexonte libra e shkruante poezi, por sërish është pak dhe ndaj sytë i rrëmbushen kur sheh se për ta kujtuar atë në 35-vjetorin e pushkatimit kanë ardhur shumë njerëz. “Ju falënderoj që keni ardhur, sepse edhe dhimbja duhet kujtuar”, tha Bedriu, i cili gjithashtu vuajti ferrin e burgjeve komuniste, veçse ai mbeti gjallë. Në këtë ditë, kur kujtohen dy poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka, Bedri Blloshmi sjell kujtimet e një bashkëvuajtësi, të njeriut që ndante qelinë me Vilsonin e që u kujdes për të në orët e mbrame. Janë kujtimet e Rustem Dashit, i cili tregon natën e fundit të Vilsonit, i cili dergjej në dyshemenë e ftohtë të qelisë nga torturat çnjerëzore.
Aktiviteti
Me rastin e 35-vjetorit të pushkatimit të dy poetëve nga Librazhdi Vilson Blloshmi e Genc Leka, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, Instituti i Studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit dhe Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve dhe Persekutuarve politikë organizuan dje një ceremoni përkujtimore. Njerëz që provuan mbi shpinën e tyre tmerrin e qelive komuniste, por edhe pushtetarë, morën pjesë dje në këtë takim. Të pranishëm ishin ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj etj. E vështirë që me fjalë të shuash dhimbjen e familjarëve të martirëve, por edhe të gjithë të vuajturve të komunizmit, megjithatë, të gjithë të pranishmit në ceremoninë e djeshme ishin në një mendje se harresa është më e rrezikshme se dhe vetë dënimi me vdekje, ndaj dhe është detyrë e institucioneve, qofshin këto arsimore apo kulturore, që të kujtojnë njerëz si Vilson Blloshmi e Genc Leka. Ata nuk duhet të kujtohen vetëm në aktivitete të këtij lloji, por edhe të bëhen pjesë e teksteve shkollore. Këtë premtim e dha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili tha se do të bëhen pjesë e programeve të ardhshme të shkollave. I këtij mendimi ishte edhe Mark Marku, ndërsa drejtuesi i Institutit të Studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit tha se është koha që të zbardhet e vërteta e ndryrë nëpër dosjet e diktaturës. Simon Miraka, kreu i Institutit të të përndjekurve politikë, krahas vlerësimit për dy figurat, shprehu shqetësimin se edhe pas 20 vitesh ata që çuan drejt dënimit dy poetët, jo vetëm që nuk kanë marrë dënimin që meritojnë, por vlerësohen apo ndodhen në funksione të larta politike. Për të rrëfyer për shpirtin e dy poetëve, aktorët Mirush Kabashi e Bujar Asqeriu recituan disa vargje, që do të bëheshin ferr-parajsa e tyre.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977. Për “krimin e sabotimit, në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal dhe për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1, të Kodit Penal, dënohen me vdekje, me pushkatim”. Trupat e tyre u dergjën për vite me radhë buzë një përroi dhe u gjetën nga familjarët në vitet ’90. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me tituj nderi dhe në qytetin e Librazhdit është ngritur një memorial në kujtim të tyre.
Dëshmia
Rustem Dashi: Nata e fundit në qelinë e poetit
“Vilsonin e kishte prerë lodhja, qëndronte shtrirë. Kur i mpihej njëri krah, Vilsoni më lutej ta ktheja në tjetrin. Bënte shumë vapë dhe trupi i djersitej. Flokët i binin vazhdimisht. Të dy supet i ishin rrjepur ngaqë rrinte vetëm shtrirë. Duart i mpiheshin dhe njërën prej tyre e kishte të paralizuar që nga torturat në qelitë e Tiranës. Gishta e duarve kishin filluar t’i nxiheshin. Kishte plagë te supet, krahët dhe kofshët. Ishin bërë 35 ditë kur e kishin lidhur duar e këmbë dhe me helmetë në kokë. Porta e hekurit u hap me një zhurmë rrëqethëse. U dëgjuan zëra dhe biruca Nr. 1. ku dergjej Genci u hap. Pastaj u hap porta e madhe e cila është jashtë. Me sa kuptova, aty po ndodhte diçka. Dëgjova vetëm hapat dhe asnjë zë. Mendova se mos kishte ardhur falja dhe Gencin e zgjidhën. U dëgjuan zëra dhe hapa që po afroheshin. Shuli i derës së birucës ku ishim unë dhe Vilsoni, kërciti me një zhurmë po aq rrëqethëse dhe dera u hap. Përsëri mendova se duke ardhur edhe tek ne i kishin falur jetën dhe Vilsonit. Ai rrinte shtrirë dhe i përgjumur me kurriz nga dera. Sapo dera u hap, Vilsoni lëvizi.
-Rustem, foli ai, kush është?
Brenda u futën Selimi, hetuesi Lulo Ymeri, shefi i policisë Nazmi Kodra dhe përgjegjësi i birucave.
Shefi i hetuesisë i qeshur i tha Vilit: -Të pata thënë?! Ja fundi erdhi. Korridori ishte plot me policë dhe civilë. E ktheva Vilsonin dhe ia fërkova duart si zakonisht. Pastaj e ngrita dhe e mbështeta pas murit. Kur ata ia zgjidhën litarin nga këmbët, e duart ia lanë ende të lidhura, u binda plotësisht se e kishin falur. Unë shtanga, rrija pas murit dhe nuk guxoja të lëvizja as qepallat. Atë natë askush nuk fliste, vetëm heshtje. Kishin vendosur ta vrisnin?! Jo, jo. Kjo gjë s’kishte pse të ndodhte. Vilsoni nuk kishte bërë asgjë për ta vrarë. Ai kishte lexuar vetëm libra. E kapën për krahësh dhe e ngritën në këmbë. Kur e ngritën te dera, i hodha xhaketën krahëve. Ai më pa në sy dhe pa iu dridhur qerpikët, më tha:
“Rustem! Ma bën hamall shërbimin që më ke bërë gjithë këto ditë. Të lutem ma bëj hallall”.
Unë ngriva në vend, po e merrnin me duar lidhur prapa dhe me helmetën në kokë. Buza më dridhej dhe nuk arrita t’i them asnjë fjalë. Lotët filluan të më rridhnin faqeve.
“Rustem, po të lë një amanet”, vazhdoi Vilsoni. “Kur të dalësh nga burgu, të shkosh në familjen time dhe t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova, sepse nuk kam bërë asgjë. Ne ishim bashkë në gjyq. Këto që po të them janë të vërteta, ti e di. Diana me gocën të shohin punën e tyre. Ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet. Këto do t’jua thotë edhe Bedriu kur të lirohet, por atë e kanë dënuar shumë. Edhe një herë ma bëj hallall Rustem. Lamtumirë! Lamtumi…
“Hajde tani”, bërtitën policët që e mbanin për krahësh.
Mark Marku: Harresa, më e rëndë se dënimi
“Harresa është më e rëndë se dënimi”. Kështu do të shprehej studiuesi dhe deputeti Mark Marku, sipas të cilit emrat e Vilson Blloshmit e Genc Lekës duhet të njihen prej brezit të ri. Sipas tij, letërsia e shkrimtarëve të ndaluar është shkruar estetikisht ndryshe nga rregullat e ngurta të realizmit socialist dhe ideologjikisht kundër regjimit komunist. “Shkrimtarë si Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, por jo vetëm ata, kanë punuar dhe shkruar për lexues që nuk ekzistonin, ose që ishin shumë të rrallë në kohën e tyre, për lexues të paindoktrinuar, për një lexues me mendje të lirë, me mendje të hapur. Ky është pikëtakimi i poezisë dhe letërsisë së ndaluar në kohën e komunizmit me lexuesin modern të paindoktrinuar nga dogma komuniste”, u shpreh Marku.
Bumçi: Blloshmi e Leka, simbole të rezistencës
Për të mbajtur gjallë kujtimin e dy poetëve të martirizuar, nuk do të mjaftonte asnjë përmendore apo botim libri. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, dje, në ceremoninë homazh për dy poetët e Librazhdit, u shpreh se veprat e këtyre poetëve të martirizuar janë botuar të plota dhe për ta ka monumente dhe vlerësime, por kjo nuk mjafton. “Ne duhet të gjejmë mënyra se si duhet t’i flasim brezit të ri për këto ngjarje. Jo vetëm atyre që kanë pasur një lidhje me kohët e kaluara dhe i kujtojnë këto dy figura si simbole të rezistencës dhe të vuajtjes. Brezit të ri i duhet folur përmes dy historive: vuajtjes së tyre dhe veprave të tyre letrare. Të dyja këto janë të pandara dhe janë një dëshmi”, tha ministri ai.
Agron Tufa: Të hapen dosjet e diktaturës
“Dy djem nga Bërzeshta, dy poetë, dy njerëz kërkuan të bënin art në kohën që kërkohej të bëhej egërsi, dhe ata do të jenë të përhershëm dhe të paharrueshëm, – ka thënë Kadare. Pikërisht hapjen e letrave dhe dëshmive të rënda nga dosjet e diktaturës për të cilat flet Kadareja, politika jonë shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të drejtësisë, e mban peng. Në këtë mënyrë e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës”, u shpreh Agron Tufa, sipas të cilit ka ardhur koha që këto dosje të diktaturës, letrat që çuan drejt pushkatimit poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka, të hapen, përpara vdekjes së autorëve të tyre.
Panorama, 18 Korrik 2012