ENGJËLLI

Nga Muç Xhepa

Fatbardh Kupin e thërritën jashtë. Ka ardhur Lekë Tasi, vizita e tij e parë në Nju-Jork. Ka botuar romanin historik, “Grabjani rrëzë kodrave”, që do ta promovojmë në formë gjyqi moral në Uashington. Patrioti Gjergj Dedvukaj, shqiptari me zemër të madhe, na ka mbledhur te lokali i tij. “Dhoma e miqve” e quan ai. Një ambient i këndshëm, në të majtë të ndërtesës. Ashtu si dikur, te kullat e motshme, në mesin e saj një tryezë e madhe, e rrumbullakët, është mbushur me gatimet më të mira shqiptare. Përreth, varur në mure, qëndrojnë portretet e figurave të ndritura të kombit. Madhështor, heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti. Në krye të tryezës kanë zënë vend ish kongresisti DioGuardi dhe miku nga Shqipëria – shkrimtari, muzikanti, piktori, Lekë Tasi. Gjatë darkës, Leka i përgjigjet pyetjeve të ndryshme rreth romanit. Ish kongresisti, i prekur nga rrëfimi i tij, kërkon diçka konkrete, të jetuar vetë.

– E tëra.- Thotë i menduar Leka.

– Të më falësh, amerikanët, që nuk kanë kaluar atë jetë, do të donin diçka edhe për fshatarët vendas, pra jo të internuar.

Leka vështron Fatbardhin që është kthyer dhe ulur pranë tij. Kanë qenë bashkë të internuar në Grabjan dhe janë si vëllezër.

– Ju kuptoj.- Zëri i dridhet.- Një rast që na ka mbetur në mendje të gjithëve. Djalë i ri,- me dorën që i dridhet kalon poshtë një gllënjkë ujë. Hidhërimin.

– Kishte mbaruar shkollën për elektricist dhe nuk kishte mundur të sistemohej në zanatin e tij. Familje e shtrëngonte të punonte punë krahu. Atij i vinte rëndë nga vetja. E sollën të punonte me ne, të internuarit. Hapje kanalesh kulluese. Qëndronte i heshtur. Në pushimin e drekës tërhiqej mënjanë. S’kishte bukë me vete. Familje e dënonte. Kërkova t’i jap diçka nga e imja. Tundi kokën. S’pranoi. Vazhdoi ashtu për një kohë të gjatë. Pastaj mësuam se…- Leka ndalon me gisht një lot që i shkon poshtë.

– E gjetën të varur. I kishte dhënë fund antijetës.

Heshtje. DioGuardi, natyrë impulsive, ngrin.

Pas darkës marr në kamera Fatbardhin që tregon rreth jetës në kampin shfarosës të Tepelenës.

– Kam dhe diçka tjetër. Mos e vër në kamera.- Thotë ai, ndërsa përshëndetemi me Gjergjin dhe lemë lokalin.

– Kur dola jashtë mora një lajm të mirë. Mbesa e një miku të vjetër, që kam kaluar vite në kampin e Tepelenës, pret të lindë. Djalë. Ishte i gëzuar. “Bardhi, pamja me ultratinguj e siguroi mjekun se është djalë. Do ta quajmë Engjëll”. E rroka në qafë. S’i mbajtëm lotët.

– Bënçë. Dimër i egër. Shi, ngricë, akull. Gratë e ngarkuara me turra drunjsh në kurriz po kalonin përroin thuaj të ngrirë. Ne, me trupat e pemëve në sup, i ndiqnim nga pas. U dëgjua një e thirrur. Klithmë. Vinte nga thellësitë e dhimbjes njerëzore. Vrapuam. Një grua e re ishte rrëzuar në ujin e ngrirë. Me duart lart mbronte fëmijën në bark. Roja e godiste me shkop.

– Ngrihu qelbësirë! Ku të caktuan ty? Shtëpinë e komandantit!

Fatbardhi nxjerr shaminë. Fshin lotët. I tronditur e pyes:

– Si shtëpinë e komandantit?

Më vështron me sytë e skuqur.

– Ishim skllevër. Grave u ishte caktuar nga komanda një familje. Prisnin dru në pyll. Të ngroheshin kriminelët.

U drithërova. Të njëjtën gjë kishin bërë edhe në Kolima. Stalini kishte urdhëruar.

– U afrova pranë saj. Ishte gruaja e mikut tim. Prisnin të bëheshin me fëmi. Ishte i pari. I kishin vënë edhe emrin “Do ta quajmë Emgjëll. Bardhi, po na e sjell Perëndia të na gëzojë”.

Fatbardhi mbahet pas krahut tim.

– Engjëlli nuk luajti më në barkun e nënës.

Vazhduam një pjesë rruge pa folur.

– Po vjen këtu. Perëndia është e madhe.

Fatbardh Kupi, Ish Kongresisti DioGuardi, Lekë Tasi dhe Muç Xhepa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *