SHUPLAKA ( tregim per konkursin )

            KRISTAQ TURTULLI                

                                               

            -Ka kaluar më shumë se gjysmë shekull, por më ngjan sikur faqja akoma më përvëlon prej shuplakës së parë e të fundit të tim ati, -më tha miku im Nestori. U kollit, la filxhanin e kafen në tavolinë dhe nga xhepi brendshëm i xhaketës nxori një fotografi të vjetër. Një burrë i hijshëm ulur këmbë mbi këmbë në kolltuk:- Ja, ky është im atë. Siç e sheh, i pashëm, por ka qenë i heshtur, fjalë pakë. Dikur i pasur, i respektuar, më vonë i vuajtur dhe i përndjekur nga sistemi. Ndëshkonte rrallë, për të mos thënë kurrë, por atë ditë më dha shuplakë të fortë. Shungullima e saj më ushton në vesh dhe sot e kësaj dite. Ja si ndodhi…

            Ishim një grusht fëmijë, të një moshe, të mëhallës së ‘Arkondëve’, mblidheshim, luanin me top në sheshin tonë të vogël, me dy tre akacie të  vjetra anash, pranë rrugës që çon në përpjetën e kishës së ‘Shën Ilia’.

            Meqenëse prindërit tani ishin të varfër, në pamundësi të krijonin kushte luksoze si blerja e topit të futbollit, topin e sillte Leni fenda, biri i Kuron nursëzit, bereçkë zeza, shofer i skodës së madhe çeke. Ndër të rrallët në qytet që dilte jashtë shtetit. Leni thoshte, babi bën udhëtime të gjata me skodë. Mëhalla përgjonte në dritare dhe shihte Kuronin kur kthehej, shpina i rëndonte nga trastat që sillte. Përflitej, në shtëpinë Kuron nursëzit gjen dhe qumësht dallëndyshe. Ne vështronin me zili dritaret e mbuluar me perde tyli.

            Leni emrin e plotë e kishte Marlen, ne shkurt e thërrisnin Leni fenda, kur nevrikosej i shpëtonte fenda, qelbte dynjanë. Pronësia e topit e bënte të kërkuarin, tekanjozin dhe të mërzitshmin e mëhallës. Na detyronte të linim lojën në mes, kur Vanthia e ëma i sillte bukë të bardhë me gjalpë dhe reçel. Ne grindeshim për ndërprerjen e lojës dhe na shkonte goja lëng. Ushqimet tona ishin shumë më modeste se reçeli dhe gjalpi, bukë të zezë me vaj e kripë, sheqer me ujë, lëng fasule dhe, bukë thatë të na skuqej faqja prej ‘shëndetit’ etj. Shpesh herë më binte që mua dhe Lenit të përfaqësonim skuadrat kundërshtare dhe të zgjidhnim shokët e grupit. Unë vija i dobët, i hajthëm, por luaja mirë, ndërsa Leni i shëndoshë, bullafiq si derrkuckë, pronar i topit. Sa herë shihte që humbte, bënte një fëndë, rrëmbente topin dhe ikte me vrap, na linte lojën në mes. Me kursimet tona blemë në dyqanin e vjetërsirave të Simo hundës, një top të vogël, por ishim krenarë, s’do guxonte kush të tallej me ne. Lenit s’i pranuam topin e madh. I murrëtyer flaku topin nga avllia, theu disa tjegulla dhe u afrua kokë ulur si pulkë e hutuar.

            Në fund të qershorit u kthye Kacani me pushime nga shkolla që ndiqte në Tiranë, i biri i Milot berberit, vëlla me Kuronin. Një mur i ndante. Dy vëllezërit bënë sherr ca kohë për murin ndarës, Kuroni kish paranë, por Miloti shtetin e brendshëm, të bënte hatanë. Fitoi shteti dhe muri u shty gjysmë metra më tej. Miloti qethke kokat e të burgosurve dhe të internuarve. Kacani ishte disa vite më i madh se ne. Shkolla e përgatitjes fizike i kishte zgjeruar shpatullat dhe shëndoshur krahët. Leni u krekos i gjel pa pendë me ardhjen e kushëririt, s’është pak të kesh krahë Kacan mundësin. Na afroi topin e tij, s’e pranuam.

            Kacani veshur në kanotiere, ti dukeshin muskuj, ulur në një bythë peme, ndiqte lojën tonë duke ngrënë dhe pështyrë fara lule dielli.

            S’mund ta harroj deri sa të jem gjallë, driblova Lenin, ai mu turr me inat e driblova përsëri dhe shënova golin e dytë. Nuk e lija Lenin të mbante top në këmbë dhe Kacani ulur në bythë të pemës pështynte me zhurmë, hungërinte dhe e nxiste kushëririn, mos më linte këmbë. Unë përsëri e driblova dhe shënova golin e tretë. Tërbimin i Kacani arriti kulmin dhe bërtiti me sa kishte në kokë:

            -Sulu o Leni, o qull i dreqit, dërmoje, merrja shpirtin atij krimb kulaku.

            Leni më goditi me bërryl në brinjë dhe u zgërdhi. E shtyva, më dhembi brinja. Leni më goditi përsëri. U ndala e pashë me inat, ai u tulat. I ndërkryer, i përskuqur në fytyrë nga fjala fyese, iu ktheva Kacanit:

            -O Kacan, krimb spiuni nuk jam..!- ia ktheva.

            Mëhalla e dinte mirë, i ati, Milot berberi i burgosurve, ishte vullnetar i shtetit të brendshëm, spiun.

            Kacani u nxi nga inati, shkrofëtiu dhe u turr të më godiste.

            -Kujt i thua kështu ti mut i mutit?!

            -Ty të them,- I flaka topin në fytyrë. Ai u pengua me këmbët e veta dhe ra sa gjatë gjerë në fushë. Ja krisa vrapit drejt së përpjetës që çonte në shtëpinë time. E dija që Kacani si dem do më bluante.

            -Bjeri ore, qëlloje me gurrë,- dëgjova zërin e ngjirur të Kacanit që nxiste Lenin, por me bisht të syrit pashë që më qëllonte me gurrë dhe ai. U shmanga sa munda duke u dredhuar gurëve që hidheshin drejt meje, duke u fshehur nën strehët e dyerve. Dhe pesë dyer kisha të mbërrija te dera e shtëpisë sime.

            -Po të zura do të bëj pestil, – bërtiste Kacani.

            Më në fund arrita te dera e shtëpisë. Mbështeta shpinën në kanati i derës të mbushesha me frymë, me shpresë që krahu i Lenit nuk e hidhte gurin aq larg ku isha unë. Por e flakte krahu prej mundësi i Kacanit. Krahu s’më arrinte të tërhiqja rripin e lëkurtë që mbante lidhur gjuhëzën e derës. Kur pandeha që ata u lodhën së flakuri gurë drejt meje, lëviza prej vendit të hapja derën, por instinktivisht, në momentin që do hapja derën, vështrova poshtë në rrugë, pashë Kacanin që hapi krahun dhe lëshoi gurin drejt meje. Shpejtësia e hedhjes ishte më e madhe se ngutja ime të hyja brenda. Dëgjova krisjen e kokës sime si shalqi. U kalamenda dhe u plasa te pragu i derës. Më buçiti gjaku. S’ më kujtohet sa qëndrova shtrirë, por kur hapa sytë dhe bëra të ngrihem dallova babanë që u zgjat drejt meje, më kapi nga krahët, më ngriti në këmbë. Vështrim vrenjtur, zë rënde më pyeti:

            -Kush të katandis kështu?

            Unë aq doja, kisha nevojë nxirja gjithë dertin tim; të shprehesha, të ankohesha, të qaja me dënesë, si te kepi i shpresës së mirë. Fshiva lotët përzierë me gjakun që më rridhte çurg, me zë si piskamë, thashë:

            -Ë, ë, ë, ë, nuk kisha asnjë faj o ba… ata… Kacani, i biri i spiunit, Leni…ë, ë, ë, ti e di si janë ata… më tha…

            S’ më la të mbaroja. Fap, mu përcëllua faqja nga shuplaka e rëndë e babait. Koka më shkoi mënjanë dhe kanati i derës u spërkat nga gjaku.

            -Turp të kesh, – hungëriti babai:- Cilëdo qofshin ata, mos e lejo veten të katandisesh në këtë gjendje.

            ‘Të kem turp?! Por më ranë në qafë, më tha… më gjakosën, o ba…’ gati sa nuk i thashë. Ndërsa babai vazhdonte të gërmuqej:

            -Kur s’je i zoti, mos i hyr sherrit, vëre vëth në vesh. Hajt shko në jot ëmë…

            Gjaku rridhte rrëke, më qullte qafën, këmishën dhe binte me pika të mëdha në pllakat e oborrit. Shuplaka e babës ishte më e rëndë se guri i Kacanit. Nuk hyra në shtëpi, pa ditur ç’të bëja u turra tatëpjetës, në rrugë, drejt sheshit. Si nëpër mjegull pashë fytyrat e zverdhuar të shokëve dhe fytyrën e përskuqur të Kacanit. Rrëmbeva ç’gjeta dhe e flaka drejt tij. Ai i hutuar iku me vrap. Pas shpinë bërtiste nëna.

            -Dale o bir, mblidhe mendjen. Lëri dushmanët…

            -Çojeni në ambulancë ,- dëgjova që tha dikush.

            Po verbohesha nga gjaku. Dikush më futi krahun, më ngritën në krahë. Duhej të ishte nëna. Ndjeva që mu mbyllën sytë…

            -Ja kështu…- ia bëri Nestori. Piu lëngun e zi të fund filxhanit dhe shtoi:- Im atë ishte njeri i rrallë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *