SHQIPTARËT NË NJI PIKTURË TË MJESHTRIT WILLIAM HOLMAN HUNT

ILIR SECI

 

Piktura gjindej e ekspozueme në nji Galeri Arti në Universitetin e Harvard-it, dhe kundruesit shqiptar të artit nuk kishte si mos me i ra në sy veshja shqiptare e disa njerëzve në atë tablo, plisat e bardhë, tirqet dhe fustanella…të pagabueshme…

“Mrekullia e Zjermit të Shenjtë” – (The Miracle of the Holy Fire), William Holman Hunt. (1892)

Piktura titullohet “Mrekullia e Zjermit të Shenjtë” – (The Miracle of the Holy Fire – vaj ne kanvas, permasat 92 cm me 125.7 cm, e ekspozueme ne Fogg Art Museum, Harvard), realizue nga mjeshtri anglez , William Holman Hunt në vitin 1892, gati katërdhetë vjet mbasi piktori, gjatë nji pelegrinazhi në Tokën e Shenjtë, kishte pa për herë të parë në Jeruzalem, nji ceremoni të ritit ortodoks grek, të quejtun, ”Mekullia e zjermit të shenjtë, në Kishën e Shenjtë të Vorrit”. Bahet fjalë për nji ceremoni të përvjetshme të mbajtun natën para Pashkëve, në kishën ortodokse të ritit grek, ceremoni gjatë të cilës patriarku i kishës ortodokse greke në Jeruzalem, hynte i vetëm në faltoren e Vorrit të Shenjtë me nji llambë të fikun dhe kur delte prej andej llamba ishte e ndezun nga “flaka e shenjtë”. Ceremonia fillonte në mesditë kur Patriarku Ortodoks i Jeruzalemit thoshte nji lutje të posaçme para se me hy ne faltore dhe mbasandej pas tij besimtarët në kor këndonin, “Zot, ki mëshirë” – (“Kyrie eleison” – në greqisht), derisa zjermi i shenjtë “ndizej” në nji llambë me voj ullini që e mbante patriarku nësa ishte i vetëm në dhomën e vorrit dhe priste me ndodhë “mrekullia”. Mbasi ndizej llamba, patriarku delte nga dhoma e vorrit dhe këndonte disa lutje, me flakën e “zjermit të shenjtë” ndezte 33 qirinj ose 12 qirinj, të cilët ua shpërndante besimtareve me ndezë secili qirin e vet mbasandej. Hunt në pikturë ka sjellë momentin kur zjermi i ndezun ka dalë nga dhoma dhe po endet në duert e besimtarëve, tue ndezun njenin qiri mbas tjetrit.

Piktori Thomas William Hunt ka qenë shumë besimtar, dhe si besimtar, njajtë si besimtarët Protestantë dhe Katolikë, nuk kishte asnji fije dyshimi se “zjermi i shenjte” në kishen ortodokse në Jeruzalem nuk ishte mrekulli, por nji mashtrim i rëndomtë, prandaj e zgjodhi këtë subjekt si nji shembull grotesk besimi të verbër dhe fanatizmi fetar. Mjeshtri Hunt, i cili ka qenë nji nga themeluesit e “Vllaznisë Para Raphaelite” si shkollë të pikturës, shquhet si nji piktor i subjekteve fetare, dhe ka vizitue kater herë Tokën e Shenjtë. Piktura “Mrekullia e Zjermit të Shenjtë”, satirizon ceremonine e pervjetshme në Vorrin e Shenjtë, satirë ndaj nji dukurie të denoncueme si mashtrim për shekuj me rradhë, por që edhe pse e denoncueme si e rrème, prapë se prapë vazhdonte me tërhjekë mijëra pelegrinë, të cilët mezi prisnin rindezjen e flakës mbi vorrin e supozuem të Krishtit.

Piktura asht nji satirë eksplicite, në stilin satirizues Hogarthian, nga tanë pikturat e Hunt-it, kjo asht ma e fuqishmja në stilin satirik. Për Thomas William Hunt, ky ritual i natës së Pashkëve në Kishën Ortodokse te Varrit të Shenjtë, përfaqësonte degjenerimin e besimit në mrekullitë e mirëfillta dhe kalimin në supersticion, egoizëm dhe më keq – në nji dalldisje të çmendun të praktikave thuajse pagane – jo të kshtena. Hunt e zgjedh këtë subjekt ne nje moment historik me randesi per historine e kishes anglikane, satira ishte reagimi i Hunt-it ndaj atyne anglikanëve me orientim ekumenik që në fund të viteve 1870 dhe 1880, banë propozimin me iu bashkie kishave greke, armene, ruse dhe tjerave kisha ortodokse. Kjo gja dallohet kjartë në ato që Hunt i shkruente Tupperit në vitin 1877 :

-“Se si Stanley mundet me e dëshirue bashkimin e Kishës tonë me mashtruesit grekë të “zjermit të mrekullisë”, unë këtë nuk mund ta kuptoj” – (15 korrik 1877, Londër, (Huntington MS.)…Në momentin kur vendosi me realizue këtë pikturë, Thomas William Hunt kishte kohë që kishte sulmue dhe denoncue korrupsionin e praktikave misionare angleze në pamfletin e tij të vjetës 1858… Për me e realizue punimin në fjalë, Hunt shkoi per herë të katërt në vendin e “mrekullisë”, plot katër dekada mbasi e kishte pa për herë të parë.

 

Shqiptar me plis, tirqe e xhamadan…

Artistikisht piktura “Mrekullia e Zjermit të Shenjtë”, me atë realizmin e përpiktë, karakteristik të autorit, na sjell nji fotografi bashkëkohore të ngjarjes, nji ilustrim që na dishmon se sa pak ka ndryshue kjo skenë qysh nga koha kur Hunt e ka pikturue atë. Përbamja e tablos asht kaq panoramike dhe e gjallë, saqi “Zjermi i mrekullisë” del në plan te dytë aty mbrenda turmës. Asht interesante se si mjeshtri mbrrin me dalë mbi çdo ndjenjë të mbinatyrshmënisë dhe frikës fetare që kish synim ceremonia dhe me nji vëmendje mikroskopike perqendrohet në fytyrat e njerëzve të pranishëm në atë ritual, çdonjana fytyrë mundet me qenë nji portret individual, nji jetë e vërtetë, nji autenticitet historik dhe antropologjik. Në menyren si e paraqet ceremoninë, Hunt shfaq simpati për besimtaret naive, pelegrinët supersticiozë, shumica e të cilëve jane rropatë per me kursye paret e udhëtimit ne token e shenjtë, vite te tana sakrificet. Me nji naivitet te ngjashem me fëmijën, ata duen ta shohin mrekullinë si “shenjën e Qiellit-prove të epërsisë së kishës së tyne.” Hunt nuk i përbuz besimtaret naive per këtë supersticion, sepse ai e sheh dhe e respekton elementin e besimit që përmban kjo gja, por nga ana tjeter Hunt ka vetëm urrejtje për verbërinë shpirtërore, egoizmin , dhe dhunën e egër që krijoi ky orientim i gabuem besimi. Hunt mbeshtet ne idene e Hogarth-it se : -“Supersticioni asht më i keq se mosbesimi. Sepse e terhjeke vemendjen nga feja, nga çdo lidhje, çdo ngushëllim; dhe vendin e shpresës së përulun dhe peruljes se besimtarit e nxan melankolia, dëshpërimi dhe çmenduria ” – (Veprat e William Hogarth, volumi II, fq, 217)

 

Shqiptar me fustanelle…

Po për shqiptarët që gjinden në këtë tablo çka mund të themi!? Shqiptaret në këtë tablo, sipas veshjeve të tyne aty, janë nga tanë krahinat e Shqipnisë, Jugu dhe Veriu…kjo duket krejt kjartë.

Pse jane aty?

Kjo asht nji tjeter deshmi e kjartë e primjes tone shqiptare drejt paganizmit, primjes per me besue ma shumë si idhujtarë. Shumë besimtarë shqiptare edhe sot e kesaj dite kanë primjen me besue në simbole, në prova qe ata i konsiderojne si prova materiale besimi, si te prekshme, primje ku doemos qet krye nenshtresa pagane…Adhurojne Vorre, adhurojnë Maja Malesh, adhurojne Mrekullite e paverifikueme najherë, tue mos arrite me njoftë thelbin e besimit, tue mos e pranue se besimi asht praktike dhe jo objekt. Kur e kundron vemendshëm tablonë e Hunt-it e heton se shqiptaret aty jane shumë agjitativë, gjestikulacionet flasin vetë se sa aktive jane aty, gjuha e trupit dishmon se janë te perfshime krejtësisht ne ceremoni. Jane aktivë, ndryshe nga disa kureshtare qe jane ndale ne ane te asaj ceremonie te shtangun nga sa po shohin, siç asht nji zonje angleze ne anë, qe e trembun ka mbledhe femijet ngat veti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *