Poezi nga JAHO MARGJEKA

Jaho MARGJEKA

Gazetar,poet,prozator

 

U lind në Bujan të Tropojës në 26 Mars të vitit 1961.

Shkollën tetëvjeçare e kreu në vendlindje,në Bujan. Shkollën e mesme  në Kuçovë.

Pas disa peripecive tre-katër vjeçare,me rekomandimin dhe interesimin e Lidhjes te Shkrimtatreve dhe Artisteve te Shqiperise fillon studimet e rregullta në Univeristetin “Luigj Gurakuqi“, Shkodër dega gjuhë-letërsi shqipe, të cilën e mbaron në vitin 1989.

Në këtë vit (1989) emërohet mësues i letërsisë në Shkollën e Mesme  të Bashkuar në Llugaj të Tropojës.

Në periudhën 1992-1993 punon në administratën lokale të Këshillit të Rrethit të Tropojës në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Kulturës për rrethin e Tropojës.

Nga viti 1993 e deri tani Jaho Margjeka është redaktor, gazetar dhe drejtues në Radio-Televizionin Shqiptar. Përkatësisht;

-Viti 1993-1995 në Radion e Jashtme, Departamenti i Bashkëatdhetarëve.

-Viti 1995-1996 në Televizionin Shqiptar Departamenti i Kulturës. Viti 1996-2000 sërish në Radio-Tirana, Departamenti i Kanalit të Dytë.

-Viti 2000 e deri më prill të vitit 2007 gazetar në Radio-Tirana, Departamenti i Bashkëatdhetarëve.

-Prill 2007-Janar 2015 Drejtor i Departamentit Social-Kulturor në Radio Tirana.

Viti 2015 (janar) e ne vazhdim,gazetar ne Radio Tirana.

Ka kryer shërbime pune si gazetar i Radios dhe Televizionit Shqiptar.

Viti 1994 Zvicër(Gjenevë, Zyrih, Bernë).

Viti 1994 Maqedoni (Shkup, Tetovë, Gostivar etj.).

Viti 2000 Kosovë (Prishtinë, Gjakovë, Prizëren, Pejë, Mitrovicë etj.).

Viti 2005 Kosovë “Mitingu i 41-të i poezisë në Gjakovë“.

Viti 2007 Berlin, Gjermani. Takimi pune i (EBU) Unioni i Bashkuar Europian i  Radiove.

Viti 2014,Boras Suedi,i ftuar nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptare“Papa Klement XI Albani“.

Viti 2016,Manova,Itali,i ftuar si gazetar ne „Ditet e kultures shqiptare“,etj.

JAHO MARGJEKA

 KRIJIMTARIA LETRARE

 

Muaji shkurt i vitit 1981, Jaho Margjeka boton ciklin e parë me poezi në gazetën “Zëri i Rinisë“ .

Si nxënës e student vazhdon më tej bashkëpunimin me këtë gazetë, me poezi, shkrime, reportazhe etj.

Viti 1986 Revista Letrare e Lidhjes së Shkrimtërve dhe Artistëve të Shqipërisë “Nëntori“, i boton një cikël me poezi,perzgjedhur nga poeti Skender Bucpapaj dhe shoqëruar me shënimin përkatës të redaksisë shkruar nga poeti e redaktori Adem Istrefi.

Viti 1988 Revista “Nëntori“ e lauron me çmim vjetor për një cikël me poezi botuar në “Nëntori“ numër 6 të atij viti.

Viti 1990 Margjeka dërgon në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri“ vëllimin e parë me poezi të titulluar “Nesër do të agojë“. I kthehet autorit si i pabotueshëm. Motivacioni zyrtar i redaksisë “Pasqyrimi i ftohtë i realitetit“.

Viti 1990-1993, boton në gazetën lokale të Tropojës “Shkëlzeni“ artikuj, reportazhe, cikle me poezi e të tjerë, por bashkëpunon edhe me shtypin qendror në Tiranë.

Viti 1993-1997, boton kryesisht krijimtari letrare poezi e tregime në gazetat e revistat si “Zëri i Rinisë“, “Rilindja Demokratike“, “Rilindja“ e Kosovës që botohej në Tiranë“, “Drita“, “Krahu i Shqiponjës“ etj.

Viti 1998, Jaho Margjeka, boton vëllimin e parë poetik, “Lojë në Pasqyrë“, për të cilin u shkrua në shtypin letrar  dhe u fol në media nga Ilir Seci,Defrim Cani,etj.

Viti 2000, boton vëllimin e dytë me poezi të titulluar “Ëndrra midis“, për të cilin u shkruan reçenca të plota në “RD“ me autor

Mujo Buçpapaj, në gazetën “Tema“ me autor Ilir Levonja

dhe në “Drita“ nga poeti Qazim Shemaj.

Viti 2004, boton librin e tretë me poezi të titulluar “Edhe pak qiell për dashuri“, libër që u prit mirë nga lexuesi.

Viti 2005, doli nga shtypi libri me tregime “Letra nga Planeti i Borës“, për të cilin janë dhënë njoftime dhe reçenca të plota në shtypin letrar edhe atë periodik me autorë si Perikli Jorgoni, Agim Bajrami,Qazim Shehu,etj.

Jaho Margjeka është autor i disa teksteve këngësh në Festivalet e Këngës në Radio-Televizion dhe në “Koncertet e Pranverës“. Si kënga “Ëeekend“ kënduar nga këngëtari Dashnor Diko etj.

Krijimtaria e tij letrare është përkthyer në rumanisht në revistën “Hemus”. Në gazetat letrare periodike në Prishtinë, në Shkup dhe në Athinë, si dhe në revistën “Pena”, organ i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në SHBA,ne Suedi,etj.

Është vlerësuar me çmime letrare e artistike në konkurset dhe veprimtaritë letrare si në Kosovë, e në Ditët poetike të Verës të zhvilluar në Elbasan në vitin 2006 me çmimin e parë me poezinë e titulluar “Qe sosur dashuria”, me pjesëmarrjen e më se 80 poetëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Kroacia.Me cmimin e pare ne Festivalin“Pranvera e Poezise durrsake“ ne maj 2013 per poezine“Vaji i Nositit“,etj.

Ka në dorëshkrim libra në prozë,poezi dhe publicistike.

 

Poezi nga Jaho MARGJEKA

 

 

BUKURIA

 

Lindur e rritur midis bukurisë

Po çudi prej saj një ditë pata frikë

 

Dhe ika diku larg

S’di nëse bëra mirë apo keq

Po s’di se si ndodhi,u hutova krejt.

Dhe erdhi një çast një ditë

E në zemër më rëndoi pendimi

Dhe u nisa me shpresë e guxim të ri

Po të bukurën time as kurrkund se gjeta.

Dhe që atëherë bëra një betim

Në kërkim të bukurisë gjithnjë në kërkim.

Dhe ec e ec rrethuar nga dashuria

Zemërduruar,hutuar nga bukuria.

 

AGU I DITËS SË RE

 

Zhurmat rrotull e shpojnë terrin

E vijnë e hyjnë në dhomën time

Unë i dëboj e ato s’binden

Ulen në karrige ballë tryezës sime

E hiç nuk bëzajnë.Ngadalë

Marrin trajtën e fytyrës sime

Çudi,krejt me mua ngjajnë.

Sa çel e mbyllë sytë

M‘i mbledhin letrat mbi tavolinë

E eja të dalim më thonë.

Jashtë ka ndodhur mrekullia e jetës.

Ka përqafuar tokën agu i ditës së re.

 

 

KËNGË GJELBËRIMI

 

Tani tek unë ,ti rri sa të duash

Livadhin tënd do ta ruaj përherë të pakositur.

Aty bari do të rritet gjelbërosh

 

Do të çelin trëndafila,luleshqerra,luleshtrydhe

Luleshtrydhet në të kuqe do ta mbytin

krejt gjelbërimin.

E unë rojtari më i mirë i botës do të jem.

 

Veç gjurmët e tua do të shihen në mëngjes

Kur ti të vish lehtë lehtë si kaprolle.

Kurrkush tjetër aty s’do të jetë.

 

Veç një ketër do të hutohet pak.

Trëndafilat,luleshqerrat,luleshtrydhet

Brënda natës do të shumohen dyfish.

Tani ti tek unë rri sa të duash.

Kur të merzitesh,ik.

 

 

E BUKURA E DHEUT

 

Motrat e tua le të hedhin valle

Dashurorët le ti ndjekin pas të trullosur

Te bukurat e dheut e kanë bërë dheun më të bukur.

 

Po ti të bukurat e dheut leri në harenë e vet.

Të betohem në këngën time

Njëmijë herë më e bukur do të jeshë.

 

Të bukurat e dheut,dheun e kanë bërë më të bukur

Por edhe e kanë shkretuar.

Troja nuk është vetëm legjendë

Helena njëra prej të bukurave të dheut ish.

 

Leri pra të bukurat e dheut në harenë e vet.

Dhe behu më e bukur.

 

 

DON ZOTI

 

Në një gjethe lisi
do ta shkruaj kumtin tim.
Don Zoti e atë lis
s’e pret një sopatë çatalle.
Don Zoti e atë gjethe
s’e shkel një këmbë hardalle.
Don Zoti i Madh
e n’a bën çare…!

 

LUTJE SHPIRTIT

 

Në breg të lumit një shelg
i vetmuar.Në breg të lumit
një ëndërr e harruar. Zotit
i luten t’ua çoj’shpirtin
në amëshim. Shelgu a ëndërra,
Cili jam unë, më thuaj
të lutem – shpirti im…!

 

 

ORË FIKSE

 

Në nëntë pa një çerek
do të pres si donzhuan.
Në nëntë pa dhjetë
do të jem aty.
Në nëntë pa pesë
aty… diku rrotull.
Në nëntë, fiks,..
Blej në daç një tufë lule,
Aty pranë…
kalon një qivur…!

 

 

PAK KOHË

 

Për të parë mëngjesin si zdrit‘ agu

Si fekton drita në të gjelbërten e gjetheve

Pëlcitjen e gëzueshme të limfës kur bulon sythi,

 

Harenë e harabelit për ditën e re

Barin kur zgjohet e zërat e tokës kur përqafohen

E si një këngë të gjelbër nis e këndon pylli.

 

Pak kohë.

 

 

SHTËPIA NË NDËRTIM

 

Ia hodha shtëpisë
çatinë me tjegulla,
me tjegulla të kuqe
të forta si guri,
Në gjelbërim rozë
e mbyta oborrin,
midis trëndafilave
mbiu një agavie,
me veten u fjalosa
për hiçkurrgjë…
Të gjitha dritaret
s’vështrojnë dot nga dielli.

 

PEIZAZH NËN UJË

 

Kjo qenka bota e nënujshme:
mbretëria e bishtëdredhësave
me kokën majtas e bishtin djathtas
me bishtin djathtas e kokën majtas…
Kjo qenka mrekullia e nënujshme:
me burimin në det e derdhjen majë mali,
Me peizazhe të urbanizuara,
me trafik të dendur peshqish,
bishtdredhësa, notarë të kalamendur
drejt burimit të shterrun…!

 

ËNGJËLLI IM

 

Të gjitha të bukura i kishe
engjëlli im,
melodinë të bukur
zërin të bukur
kuvendimin të bukur
ecjen të bukur
krehjen të bukur
si mëndafsh qeshjen,
Ishe muzikë e bukur
engjëlli im,
tani që je krye-engjëll
diçka të mungon…!

 

VRASËSI I KORBAVE

 

Kur imazhi im s’do të jetë më,

Shprush në hirin e kujtimeve

Mos harro.Dritaren lere hapur.

 

Në dëgjofsh një krrau krrau,mos u tremb

Korbi i Edgar Poes s’ka punë me ty.

Atë e vrava unë.

Atë e gjithë korbat si ai i kam vrarë unë.

 

Trokitjeve në derë pergjigjiu si të duash.

Por dije, gjithkush mund të jete,veç unë jo.

Unë kurrë s’kam për të ardhur.

 

Do ta kaloj kohën me vrasjen e korbave

Derisa edhe një të mos mbetet i gjallë.

 

Po ti mos harro.Dritaren lere hapur.

 

 

SI STRUCI

 

Ta fshehim kokën, si struci,
Të kalojë furtuna, të mbarojë beteja.
Ta futim kokën në rërë, si struci,
Prapanicat nuk i ha as dreqi…
Ta fshehim kokën, si struci
E më pas,të ngrihemi në këmbë,
Si struci!

 

 

NGJITJE ZBRITJE SHKALLËSH

 

Po duhet ta kemi mirë me shkallët;
të ecim lehtësisht
Pa i prekur në kallo
Me këpucë gome,
Ah, shkallët…
Ngjitje-zbritje;ngjitjen
s’e durojnë dy e nga dy, tri e nga tri
Duan përkëdhelje shkallët.

 

 

  • KY DIMËR

    I ftohtë ky dimër,edhe pse pa borë
    Muret e zemrës hèjè akulli ngrirë,
    Minutat çalojnë,ditënata s’ka orë,
    Rrëknyer shpirti në humbëtirë.

    I pashpirtë ky dimër edhe pse i butë
    Pa cicërima e zogj nën çati,
    Ngryset e gdhihet njeriu i urtë,
    Ngrohur e ftohur me frymën e tij.

    I pabesë ky dimër plak,i pabesë
    Tutje pëlcet e kërcet një gosti,
    Gdhihet e ngryset njeriu i urtë,
    Ftohur e ngrohur me frymën e tij.

    I pashpirtë ky dimër,edhe pse i butë,
    Për shpirtfisnikët e urtë!

    SOT

    Sot varrosa një njeri
    Me emër e mbiemër të vërtetë,
    Qava me ofshama në ikjen e tij,
    Me zë të lartë deri tek retë.

    Sot varrosa një njeri
    Ditën për diell,jo në përrallë,
    Mik a mikeshë,pak rëndësi,
    Hyri nën dhè krejt i gjallë.

    Sot hyri në dhè i gjallë një njeri
    Qau shpirti im për shpirtin e tij,
    Hyri nën dhè krejt krejt i gjallë,
    Ah,sa do doja,të qè veçëse përrallë.

    LUFTËHUMBUR

    Po kthehem nga lufta,lufëthumbur,
    Me armiq,as prerë,as vrarë,
    Krejt shtatin me heshta ngulur,
    I gjithi kulloj dhimbje e plagë.

    Kulloj i tëri dhimbje e plagë,
    Nga lufta i kthyer luftëhumbur,
    Siç kthehet kalorësi i vrarë,
    Plot heshta shtatit ngulur.

    Po kthehem nga lufta,flamurgrisur,
    As prerë e as vrarë me gjeneral,
    Më vrau një heshtë e helmatisur,
    Një heshtë që erdhi nga larg.

    Po kthehem nga lufta,luftëhumbur,
    I vrarë,por jo i mundur.

    VARIANT

    Përmidis moçalit me i rà
    I pa lagur në breg me dalë,
    Baltën trup me e përndà,
    Pa tu ngjitë një stërkalë.

    Me u përlà me të paudhin
    Fytyrën tënde pa e nxi,
    Udhën paq me ia tregue,
    Pa e shty e pështy.

    Rrotull globit me i rà
    Për ku je nisë ti me mbërri,
    Me të pabesë e nderë, në krah,
    Po nderë e besë me i ruejtë ti.

  • MBYLL SYTË NJË ÇAST E SHOH
  •  
  • Sytë hedh rrotull e shoh
  • Gjërat siç i ka lënë ajo:
  • Veç ajri u sillet rreth ,i prekë
  • Sikur kanë aty mijëra vjet.
  •  
  • Andej këtej vërtitem kuturu,e shoh
  • A mos,fshehtas ka ardhur ajo.
  • Derën lë hapur dremis në ëndërrim,
  • Mos dëgjoj hapa,a një fëshfërimë.
  •  
  • Hedh sytë me shpresë,turbull shoh,
  • Sikur,sikur po vjen ajo…
  • E mbi gjërat përkulet dhe i prekë
  • U jep frymë ,i bën prapë me jetë.
  •  
  • Sytë mbyllë një çast e shoh:
  • Po vjen ajo.Po vjen ajo.
  •  
  •  
  • VAJI I NOSITIT
  •  
  •  
  • Ah, s’qenka liqeri i asaj dite maji,
  • Trishtueshëm mbi valë ikën Nositi.
  • Brigjeve dëgjohet një këngë e trishtë vaji,
  • E më thotë edhe mua të iki, të iki.
  •  
  • Të iki e të qaj Nosit vëllai,
  • Për dashurinë, holluar si fije peri,
  • Se për mua s’i bie ndërmend asaj,
  • Se mua s’më do më as liqeri.
  •  
  • Trishtueshëm mbi valë ikën Nositi,
  • Më thotë edhe mua të iki, të iki,
  • Larg prej këtej, larg i bukuri im
  • Për pak ngushëllim, për pak ngushëllim.
  •  
  • Këngë të trishtë vaji po këndon Nositi
  • Edhe unë, ja… po iki, po iki.
  •  
  •  
  • QE SOSUR DASHURIA
  •  
  •  
  • Tani që po soset dashuria
  • Urrejtje s’dua të mbjell në shpirt,
  • Le të mbeten djerr ndjenjat e mia,
  • Nëse të tjerë filiza s’do të mbijnë një ditë…
  •  
  • Në shpirt dashuri dua të kem
  • Atë e asgjë tjetër kam pasuri,
  • Njërën gjysmë po e ruaj për vete,
  • Gjysmën tjetër ta pata falur ty.
  •  
  • Shkretë le të mbetet zemra ime
  • Në kam gabuar, s’do lyp’ pendesë,
  • Kjo botë nuk qenka si e dua unë,
  • E ashtu siç është, ashtu le të mbesë.
  •  
  • Nëse s’do mbij për mua filiz tjetër
  • Me të tillë u mbuloftë gjithësia,
  • Po kur të vij ajo ditë, ai mëngjes pa mua
  • Mos qaj, qe sosur dashuria.
  •  
  • Tiranë, 2000
  •  
  •  
  •  
  • KËNGË PËR VEHTE
  •  
  •                
    Me e pritë mëngjesin i lënduem,
    Zbathë me dalë herët nëpër vesë,
    Me shpërnda thirrje nëpër qytet,me
    Hieroglifet e rrumbullakëta të emrit të saj.

    E prapë me ra në një gjumë të thellë,
    E me u zgjue pas njëqind vjetësh,e
    Me qajtë tuj’ i lëmue hieroglifet e
    Rrumbullakëta, të emrit të saj.

  •  
  •        
  •  
  •  SIZIFI
  •  
  •  
  • E çon gurin majë mali, e
  • prapë e zbret në luginë .
  • E zbret gurin në luginë, e
  • prapë e çon majë mali.
  • N’amfiteatrin për rreth
  • turmat brohorasin … e
  • si mos o Zot ma keq,
  • përgojojnë etninë e vet.
  •  
  •  
  •  MIQËSI DRURËSH

    Në pamundësi për t’u përqafuar
    Drejt njëri-tjetrit zgjatin degët – duar.
    Për çdo vjeshtë kur shi bie
    Shkundin gjethet në shenjë miqësie.

    Kur pyllit plak i turret furtuna,
    Të moshuarit hollakët i mbështjellin me guna.
    Kur njëri nga sopata e druvarit pritet
    Lëkura e tjetrit prej dhimbjes plasaritet

 

NË KRYE TË VARREZËS

Në krye të varrezës dy qiparisa
Kapërthyer degësh si të përqafuar,
Në kohë të vjetra me siguri,
Ata ishin dy të dashuruar.

Në krye të varrezës dy qiparisa
Si dy të gjallë nga kohë e shkuar,
Flasin me kode të fshehta,
Si dy të dashuruar.

Në krye të varrezës,..Dy qiparisa.
Bëjnë hije nga kohë e vjetër.
Dikur,përveçëse dy të dashuruar,
Çfarë,çfarë mund të kenë qënë tjetër !
 

BUZË NË GAZ

Nuk ka më buzë në gaz
As buzëqeshje të dlirt’,
As fjalë ashtu çapraz,
Ka vdekur diçka në shpirt…

Ka vdekur në shpirt diçka
Diçka,mbetur pa kallur në dhè,
I ndodhka shumëkujt kjo hatà,
Cilitdo dashurori si ne…

Eh, kur s’ka më buzë në gaz
E fjalë ashtu koti, çapraz,
Më mirë të bëhet hataja,
Të varroset,ajo,diçkaja!

Kur s’ka më, buzë në gaz

 

 

INTERMEXO PROZAI

 

Ne u takuam në një rrugë të ngushtë, bukuroshe.

Blireve u patën rënë krejt gjethet, bukuroshe.

Vesën e zdritshme të mëngjesit e pati tharë krejt

Zhegu i mesditës, bukuroshe,

Ne duhej të lindeshim më përpara, bukuroshe

Atëherë kur s’ka patur as rrugë, as parqe, bukuroshe.

Ku në vend të avenjuve gjelbëronin livadhet, bukuroshe

Ose të vinim në këtë botë

Shumë kohë më mbrapa, bukuroshe.

Atëherë kur rrugët

Do të ishin të gjitha autostrada, bukuroshe.

Atëherë… apo më mirë sot nuk do të ishim takuar

Në një rrugë kaq të të ngushtë, bukuroshe.

Thuaj ç’të duash bukuroshe. Vetëm…

Para statujës sonë hesht, bukuroshe.

Një shenjë nderimi e mirënjohje për të kaluarën,

Një shenjë respekti e lamtumire, bukuroshe.

Vrasësit modernë po zgërdhihen, bukuroshe.

Lamtumirë, lamtumirë, lamtumirë. Bukuroshe.

 

 Shkodër, 15 qershor, 1987

  • PSE PO DRIDHESH TI SHELG I HOLLË
  • Pse po dridhesh ti shelg i vogël
  • Shelg i gjelbër, shelg i hollë
  • Unë jam ai, unë jam ai. kokëqethuri
  • i zbathur që vrapoja zallit…
  • Pse po dridhesh ti shelg i hollë
  • Unë jam ai, unë jam ai.
  • Që të këpusja për të trembur lopën…
  • Mos ofshaj ti shelg i hollë
  • A më njeh a s’më njeh
  • Unë jam ai, s’të kam harruar
  • Ku kam shkuar, ku kam shkuar
  • Më ke thirrur, të kam thirrur,
  • Më je përgjigjur, të jam përgjigjur
  • Mos u dridh ti shelg i vogël
  • I vogël sa artimi, i hollë sa dashuria,
  • Gati për t’u thyer, gati për t’u këputur,
  • Gati për t’u mbytur, ah shelg i vogël…
  • Pak jam ndryshuar e hiç
  • Nuk jam plakur,
  • Veç, veç jam përtërirë,
  • Rruga është e gjatë,
  • Po ti mos u dridh shelg i vogël,
  • Shelg i vogël sa artimi,
  • Shelg i hollë sa dashuria
  • Shelg i gjelbër si pranvera.
  •                     1989
  •   PËLLUMBI I BARDHË
  • Ja përtej dritares është pëllumbi i bardhë,
  • Po çuket trohat e mbetura prej mëngjesit.
  • Ja përtej dritares qenka pëllumbi i bardhë.
  • Me pendët e bardha, me
  •     Gushën e bardhë, me
  •      Bishtin e bardhë, me
  •       Sqepin e bardhë.
  • Dritarja hapet,
  • Ai jo, ai nuk lëviz, nuk lëviz.
  • Oh,
  •      E paskan vrarë pëllumbin e bardhë,
  • As hynë brenda tjetër, as del jashtë.
  • Më kurrë tjetër nuk i thërret kush
  •                                                          pëllumb i bardhë,
  • Më kush tjetër nuk gazmohet prej tij,
  • Më kush tjetër nuk i dëgjon gu-gu-të e tij.
  • E paskan vrarë të shkretin.
  • Tek po hante trohat e mëngjesit
  • Fill pak pas lindjes së diellit.
  • Në sqep i paska mbetur pak diell.
  • E kurrë më tjetër kush pëllumb nuk i thërret,
  • Ai as lëviz, as han.
  • Ja tek është përtej dritares,
  • Me pendët e bardha, me
  •     Gushën e bardhë, me
  •      Bishtin e bardhë, me
  •       Sqepin e bardhë.
  • Ja tek është.
  • Qani për të, mbani zi për të
  • Po të doni, shkruani nëpër gazeta,
  • Jepni radiokronika e telekronika.
  •           Ai, s’është më pëllumb
  •           Veç… është i bardhë
  • Shkodër, 1987
  • E  DUA NJË FIJE BARI
  • – Ti njeri, mik mund të jesh edhe me një fije bari. –
  • Autori
  • E dua një fije bari
  • Të imët, hollake, të gjelbër,
  • Që bleron, gjelbëron, më çlodh,
  • Më ripërtërin, ma pastron mendimin.
  • E dua një fije bari,
  • Që më del nëpër ëndrra.
  • E më përkëdhelet, më ledhaton,
  • Më thotë ja ku jam, ku më ke
  • lënë ti. Para njëzet e ca vjetësh…
  • Para dhjetë vjetësh, para pesë vjetësh…
  • Që kur ke ikur, që kur ke ikur:
  • Sytë i kam pas teje, kam pyetur
  • Për ty, kam bleruar për ty,
  • Jam zbukuruar për ty…
  • E dua një fije bari, që gjallon
  • i heshtur, midis gurëve, përgjatë
  • lumit, midis drurëve. Midis pyllit,
  • Midis livadhit. Afër shtëpisë sime,
  • Afër të dashurës sime. Që i gicilohet
  • nëpër gishta,
  • Që i mbështillet nëpër fytyrë,
  • E i thotë se më ka mik,
  • E I thotë se më ka shok,
  • E i thotë se gëzohet për mua,
  • E i thotë se trishtohet për mua,
  • Një fije bari.
  • Një fije bari.E dua.
  • 1988

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *