(S)A ËSHTË SOT LAJM GJAKMARRJA NË SHQIPËRI?

 

NDUE DEDAJ

Dedaj-Ndue-300x226

Qasja e sotme e disave ndaj gjakmarrjes është më absurde se vetë gjakmarrja. Thuajse ngado që t’ia zësh fillin asaj has në opinione e interpretime të gabuara. Edhe pse jo sa më parë, prapë nxitohet që jo pak vrasjeve t’iu mvishet ky motiv i paqenë. Shoqata dhe komitete të ashtuquajtura pajtimi ka vite që rrojnë me këtë “punë”, duke publikuar me lehtësinë më të madhe shifra të sterfryra familjesh apo fëmijësh të ngujuar. Ashtu siç ka ende media, sidomos të huaja, që vijojnë ta kenë gjakmarrjen një temë të parapëlqyer, ka apo nuk ka ngjarje kësisoj. Me këtë nuk duam të themi se nuk ka raste të gjakmarrjes, por zyrtarisht na duhet të marrim për të tilla vetëm ato për të cilat është shprehur me vendim gjykata, bazuar në Kodin Penal.

Atëherë natyrshëm lind pyetja: (s)a është sot lajm gjakmarrja në Shqipëri? Kush duhet ta ketë statistikën e saj? Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me organizata joqeveritare të përgjegjshme, ka publikuar dinamikën e krimit të vrasjes, duke specifikuar ato për gjakmarrje, për periudhën 2004 deri në 2009 etj. Vitet e fundit ka një rënie të dukshme të gjakmarrjes si e tillë. Kështu, sipas Policisë së Shtetit, në vitin 2014 ka patur 4 vrasje për gjakmarrje, në vitin 2015 nuk ka patur asnjë vrasje me këtë motiv dhe në vitin 2016 vetëm një. Mirëpo, siç u tha, shpesh manipulohet me shifrat e gjakmarrjes, duke i dhjetëfishuar ato, me qëllim që të përligjen çertifikatat e pasigurisë së jetës, që lëshojnë kundrejt parave nën dorë disa organizma “popullore” pajtimesh, me qëllim që persona të ndryshëm të fitojnë azil në Belgjikë, Angli etj. Dhe habia është se nuk i përgënjështron askush. Normalisht këtu duhet të fillojë shteti, te penalizimi i statistikave të rrejshme. Dikur të fusnin në burg për një mullar bari të raportuar më shumë se fakti, tani mund t’i bësh të gjallët të vdekur dhe të vdekurit të gjallë dhe nuk mban kurrëfarë përgjegjësie ligjore. Doemos, aty ku ende vidhet e manipulohet vota, si të mos luhet me shifrat e gjakmarrjes, për t’i thënë botës na i hidhni ca mijëra euro që t’i ndihmojmë familjet e ngujuara!?…

Nuk duam asesi ta minimizojmë gjakmarrjen, se mjafton dhe një rast që të bjerë kambana fort, por duhet theksuar se problemi i sotëm i Shqipërisë është krimi i organizuar dhe vrasjet më të shumta mbajnë “autorësinë” e tij, për prishje pazaresh në rrjetet e trafiqeve të paligjshme, pa harruar dhe vrasjet në familje që janë një gangrenë e kësaj kohe tranzitive. Për organet ligjzbatuese, policinë, prokurorinë, gjykatat etj. është e qartë që vrasjet për gjakmarrje zënë një përqindje të ulët në raport më ato për motive të tjera. Është tjetër gjë kur përplasjet me armë, përfshi dhe me kundratank, të grupeve kriminale përfundojnë në hakmarrje të ndërsjelltë që nuk njeh limite në viktima. Përndryshe kjo është lufta e mafias dhe duhet vështruar si e tillë. Ajo ka “kanunin” e saj si dhe në vendet e tjera perëndimore, ku në thelb nuk është nderi i cenuar, si në Kanunin e Lekës, por intersat e përfitimve nga trafikimi i qenieve njerëzore, drogës, armëve etj. Merret me mend se “pajtimtarët” nuk mund t’iu afrohen për pajtim palëve të përfshira në këto konflikte të përgjakshme, që janë arena e vërtetë e krimit të sotëm të vrasjes në Shqipëri, me donim të fortësh në qytetet kryesore të vendit, por gjurmojnë me qiri ndonjë gjakmarrje tipike në rrethinat e Shkodrës. Zhurma që përcillet në opinion publik lidhur me gjamarrjen tradicionale vjen kryesisht nga presioni i këtyre biçim shoqatave arkaike, ndonëse me kostum firmato, që “ushqehen” me gjakmarrjen. Shtjellimi ynë në këtë rast është i nevojshëm për të mos mbushur me retotikë mbi gjakmarrjen gazetat, televizionet, shkollat e institucione të tjera publike, kinse në emër të luftimit të saj. Është donkishoteske thirrja për të shpëtuar fëmijët e ngujuar, në një zonë ku nuk ka asnjë të tillë, siç ka ndodhur!…

Me rishfaqjen e gjakmarrjes pas 90-s, ndodhi dhe kundër-reagimi sipas traditës kanunore, çka mobilizoi individë me ndikim të ndjeshëm në opinionin publik të zonës, që luajtën rol pajtues dhe frenues. Individë të tillë, shpesh dhe të grupuar, nuk kanë vepruar për sytë e të tjerëve, aq më pak për përfitim material. Ata më të vërtetë i kanë ulur armët e gjakmarrjes shumëkund dhe sot janë anonimë për publikun e gjerë, paçka se njerëzit që i kanë njohur flasim me nderim për emra ndërmjetësish të sukseshëm në zonat veriore. Po ashtu, asokohe, në Tiranë e Shkodër u krijuan dhe disa organizma të shoqërisë civile, për të drejtat e njeriut, zgjidhjen e konflikteve dhe pajtimin e mosmarrëveshjeve, veprimin qytetar etj., me intelektualë me integritet, pedagogë, gazetarë, prokurorë, policë, moderatorë etj., mbështetur dhe nga donacione e organizata europiane, që kanë vepruar për ndërgjegjësimin e publikut kundër krimit të gjakmarrjes etj.

Ama krahas këtyre kanë lulëzuar dhe mashtruesit jo të paktë shoqatomanë në këtë zeje dhe kjo e ka deformuar misionin humanitar kombëtar të pajtimit, duke dominuar jo elitat, por pajtimtarët diletantë me “qeleshe”, pa kurrëfarë vizioni, trajnimi dhe kualifikimi për të vepruar në këtë rrafsh delikat. Njërëz, që nuk kishin patur asnjë ndikim publik, befas morën rolin e kinse pajtuesve, duke shkuar shtëpi më shtëpi me kamera nga pas, si një mjet për të përfituar dollarë, marka, euro etj. Oreksi i këtyre jo pak individëve që ngritën “shoqata” personale nuk ka pushuar as sot, dhe pse ka nga ata që kanë përfundur në burg për çertifikata të rrejshme dhe abuzime financiare në emër të gjakmarrjes. Këta e kanë çuar gjakmarrjen e amplifikuar prej tyre deri në institucionet e lartë të BE-së, duke e paraqitur atë si rrezikun kryesor të shqiptarëve. Por, edhe pse ka një mospërputhje drastike mes shifrave të fryra të gjakmarrjes në vite të tyre me ato të institucioneve të drejtësisë, shteti asnjëherë nuk e monitoroi e parandaloi veprimtarinë mashtruese të pajtuesve të vetëdeklaruar dhe shoqatave të tyre fantazmë, që veprojnë jo në Apripën e Gurit mes bjeshkëve të Drinit, por në mes të Tiranës etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *