A t’kujtohet Kosovë? Poezi nga Elida Rusta

ELIDA E REELIDA RUSTA

 

Një gllenjkë prej gjinit tand

A t’kujtohet Kosovë,
kur në shekullin e qorrtë,
na patën dënue me ndarje,
e jo për faj tonë?
Kohë e zezë ish.
Prej mungesës tande m’pat mbetë nji i ftoftë ma tepër,
nji krye i kthyem e sytë me gjak se s’mujsha me lotue askund për ty,
Sall ofshava nën zá robninë tonë.
Nishanxhi të mëdhenj qëlluen,
na ranë mu në aortë.
Ta kam pa dekën në trupin me zemrën e shueme,
e trupi jem vdiste përditë
pa m’i pa kush sytë e shpirtit…
Ishin vite pa datë,
pa histori,
pa identitet.
Sot vi tek ti
me diçka si pranverë vesh,
nji kullë ndërtoj me dashninë tonë.
E pi nji gllenjkë prej gjinit tand
e të dyja bashkë çojmë shkambin në cep t’synit,
bashkojmë Urën e Shenjtë me mitin e Rozafës,
ndezim qirinjtë e shpresës,
s’jetojmë me fatin në grushtin e tjetërkujt.
Kosovë
a hiç nuk e ndien dashninë téme?
Kjo kohë nuk asht má si tjerat,
ti tash je edhe e jemja.
Nji lutje kam për ty
Duaje veten e ma ke kthye dashninë 100-fish
E dielli ka me m’dal në krahnor
Kostandinët prap’ kanë me e mbajt besën
pabesia ndrron rrugë,
ja bajmë funeralin tradhëtisë
bashkë i ngjitena malit pa qa se asht i naltë…
 

S’di kur…

Sonte e s’di kur
kam me shkrue për ty,
se s’shkruhet n’ránë,
kur era fryn si e tërbueme.
Në dhomën téme t’rrëfimit,
nën peshën e mkateve që kurrë s’i kam ba,
jetoj, vdes e kthehem me lind për s’dyti,
për s’treti…
Vdes n’kamb’,
aspak drojshëm.
Guxoj me zblue shpirtin
me vrullin që m’çan gjoksin.
Mes rreshtash
s’mujta me t’mshef,
as kur mungove,
as kur ishe n’hanë t’shthurun,
as kur shkele borën e virgjën me gjurm’ tutsi
pa msue se puthja zgjat
sa nata njimijë vjeçe.
Harrove se poetët vuejnë për dhimbje,
e n’ftyrë veç durim kanë qendis,
se dielli edhe nesër ka me rá.
Nesër,
në agun e parë t’ditës re,
ti ke me kén veç nji mendim
si rob që e tremb dashnia,
i lirë në rrugën e prishjes së ándrrave.
Ke me u djeg
n’flak’ t’oxhakut tém
me msue se hiçi ásht ma i idht’ se deka,
se këmbanat
kurrë s’munden me lajmrue meshën pa vakt…

 

Mbrame

Mbramë s’ma lanë mundësinë me t’u përfalë,
me u betu n’lumtuninë tonë,
me t’ndej afër si pushtim i beftë,
me t’u shtrembnu si dashni,
Mbramë m’i peshuen dëshirat menduen se m’ndryjnë në “unin” e tyne hipokrit.
Gjumi m’i paska puthë sytë.
Mbramë s’mujta me ba dashni me ty,
veç me t’dashtë! Sot,jam zgjue tu qeshë!!!

S’ka shumë që i shtova dy vija në rrudha
Nyje të forta i lidha litartē e lumtunisë
Me dhambin netët e mia të fildishta
M’dhimbet dita që ec si e marrë e m’len vetëm me dëshirat
Vajza mbrendë meje,nuk flen
me nji parfum pishet n’trup
shpirtin e lan me njolla drite
përdore më merr e m’i tregon kufinjtë
Unë s’du me ik,du me kenë e gjunjëzueme
e ndalem si kohë n’rini
Ndoshta rrugës gjej diçka
që prap na ban me u dashtë mbi vogëlsina
Je dëshirë me u pa prapë
dëshirë që m’ban me u çu prej toket
Sa fillova me t’dashtë erdh koha me u nda

 

 

 

E premtja e fundit

Heq kohën prej trupi,
liroj barrët e shpinës,
kndoj pa za për tana ikjet.
Atje poshtë te kroni katundit
që shterr dy muej verë,
janë palue brengat,braktisjet.
Ty në asnji gji gruje nuk t’zén ma gjumi.
Valbona kcen t’fundit tango,
bjeshkët rrisin fmininë,
dashnitë shuhen përditë
si numër poetësh.
Atje poshtë te kroni katundit,
çdo t’premte mohohet vetja,
tuj e ditë gjithqysh
se e premtja e fundit ka me e kryqëzue!

 

N’det t’dashnisë

Si t’kam hánë moj shoqja e zemrës,
edhe ti thu m’ke braktis,
a t’ka lodh dashnia jeme,
a së tepërmi t’kam bezdis?
Eja hánë bre mos vono,
ne gjetsh n’gjumë mos e trazo,
ne gjetsh çu kallzoi për mue,
Thuj sa net’ ti m’ke shoqnue.
thuj sa net’ kam ndej n’vetmi,
thuj sa herë kam qá për ty.
Thuj se malli m’ka përvlue,
e askujt s’muj me i besue.
Lshoja zánin afër detit
ta shtrëngoj n’gji mrenda vedit.
Derën hap e lash’ tuj pritë,
veç ai n’të me trokit,
thuj asht mbyt n’det t’dashnisë,
sa herë yjet ka qëndisë.
N’ty kam besë e po t’báj zá,
edhe sonte e kurrë ma!
S’di pse vdes për të çdo ditë,
dashni tjera s’kam me prit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *