Tri shkrime nga Ndue Dedaj

KËSHTJELLA E MEDIAS DHE

MEDIA E “KËSHTJELLËS”

 

1

Diku nga mesi i librit të tij, “Kështjella e Medias” (botim i “UET Press”, Tiranë, dhjetor 2016), themeluesi dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, duke përvijuar hap pas hapi ravën e saj, do të thoshim dramatike, shkruan: “Mundet një ditë, me kasetat që kam ruajtur që nga viti 1992, të dalë një dokumentar televiziv. Ishin ngjarje që sot duken të pabesueshme”. (f. 223.) Ky është dhe përftimi i lexuesit nga ecuria e pazakontë e kësaj gazete, tribunë e fjalës së lirë në Shqipërinë e tranzicionit dhe një model se si media duhet të sillet me qeveritë autokratike, të majta apo të djathta, që me t’i kërcyer kalit të pushtetit, qimen e ndërrojnë, por jo zakonin. Libri dëshmon sjelljen prej aleatësh me gazetën, kur ishin në opozitë, dhe prej autokratësh sapo hipnin në pushtet, si të Berishës, ashtu dhe të Nanos, dy anët e së njëjtës medalje.

“Kështjella e medias”, një libër i pritshëm, histori e gazetës që bëri epokën e saj si asnjë tjetër në kohën e pluralizmit politik shqiptar, duke qenë e para gazetë e pavarur në Shqipërinë e pas 90-s, si e tillë dhe udhërrëfyesja e shtypit të ngjashëm që erdhi më pas, por dhe më e salvuara, me djegie të redaksisë, në vitin tragjik 1997, si ato uratoret e besimit, lajmit të mirë të mesjetës që nuk i shpëtonin rrënimit të sunduesit. Duhet të jetë institucioni i vetëm në historinë e Shqipërisë i ndëshkuar kolektivisht. Ndonëse në tre vitet e fundit të shekullit XX, gazetarët e rinj ishin dhe lajmëtarë të demokracisë e publikes dhe heronj që do të përballeshin me anarshinë e tranzicionit dhe segmentet e kriminalizuara të shtetit. Historinë e kësaj kështjelle të medias e kanë shkruar vetë sendërtuesit e saj, edhe për faktin që ajo ishte shkolla e parë e gazetarisë së lirë dhe lirisë së fjalës në këtë vend, krahas gazetave të tjera që luajtën rol të ndjeshëm në përiudhën e ndryshimit të sistemit politik, si: “Gazeta Shqiptare”, “Albania”, “Shekulli”, “Panorama”, “Shqip”, “Mapo” etj.

“Koha Jonë” është një histori mediatike e trazuar në vite, që vjen përmes rrëfimit të drejtpërdrejtë e konçiz të themeluesit dhe protagonistit të saj, Nikollë Lesi. Rrallë mund t’i qëllojë njeriut të lexojë më emocion drithërues një libër të bashkëkohësisë, ku flitet për njerëz dhe ngjarje që ishin dje e që janë dhe sot. “Koha Jonë” ishte aq e re e megjithatë krijoi rrjetin më elitar të gazetarëve të Shqipërisë poskomuniste, që sot janë drejtues të gazetave, redaksive, kanaleve dhe emisioneve televizive më të ndjekura në vend, si Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku, Martin Leka, Rudina Xhunga, Blendi Fevziu, Sokol Balla, Andi Bushati, Arian Çani, Arta Marku, Skënder Minxhozi, Alban Dudushi, Ben Andoni, Henri Çili, Arion Sulo, Erl Murati etj., apo Ben Blushi që i ka hyrë prej kohësh politikës. Në krye të kësaj elite të re mediatike, që doli nga “Koha Jonë”, ishte padyshim gazetari i njohur Frrok Çupi, një nga penat më të spikatura të shtypit shqiptar, kryeredaktor i të parës gazetë opozitare, “Rilindja Demokratike”. Kur kundron sot përipecitë që ka kaluar gazeta e parë e pavarur e pluralizmit mendon se sa e brishtë ka qenë demokracia jonë në fillimet, se administrata e shtetit ishte një shëmbëllesë e rinovuar e diktaturës për nga stili dhe sjellja. As në ilegalitet gazetat guerile nuk i kanë hequr disa nga mundimet e “Koha Jonë”, e cila hapi rrugën e suksesit të bujshëm, edhe pse kundra saj ishte pjesa me agresive e shtetit (polici, tatime, gjykata), përfshi dhe ndonjë kundërgazetë për disa kohë. Kjo është një histori që atë e bën me nder e të tjerët i bën me turp para saj, edhe pse sot mund të jenë të gatshëm t’i falin pendëse, dekorata dhe lavdi.

Në këtë kuptim, “Koha Jonë” mbetet gazeta unikale në Shqipëri, për meritë ekskluzive të një njeriu të vetëm, themeluesit të saj, por dhe të një stafi besnik të profesionit të gazetarit. E në ndonjë çast kritik dhe të mbështetjes amerikane, si në vitin 1996, që i krijoi mundësinë e kreditimit për të vazhduar rrugëtimin e saj të pandalshëm. Nikollë Lesi tregon devizën që e bëri gazetën aq të kërkuar: “Ne kishim kurajon e çmendur se e thoshim shqeto, pa frikë të vërtetën”. (f.186). Dhe publiku për këtë është i etur sot e gjithmonë. Po ashtu “Koha Jonë” është dhe një model në anën e funksionimit ekonomik, ajo e siguronte vazhdimësinë nga shitjet, tirazhi, cilësia e të bërit gazetari dhe jo nga aferat e pushtetit.

2

Koha Jonë doli fillimisht në Lezhën e Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, Gjergj Fishtës, Ndoc Gjetjes, Rudolf Markut e Preç Zogajt, thënë ndryshe ku fjala e shkruar kishte një traditë të vjetër e të re. Provinca do të ishte vetëm A-ja, të tjerat metropoli. Me tirazhin më të madh në historinë e shtypit shqiptar, rreth 90 mijë kopje, ajo dëshmoi se ishte e pakonkurueshme në treg dhe mbretëresha e medias së pavarur. E gjitha nisi si një aventurë, çka dhe vetë autori e pohon disa herë në librin e tij. “A e mendon se kjo që po bën është një aventurë? – i pata thenë miqësisht atë fillim pranvere të vitit 1991, Nikollës, kur po shëtisnim rrugës kryesore të Lezhës dhe gazetat e vogla te rretheve po mbylleshin per mungese financimi etj. “Aventurë është, por do ta bëj”, pati shqiptuar ai prerë. Sot kur e kujtoj atë çast them se ndoshta gazetat mund t’i themelojnë vetëm të rinjtë, pasi besojnë në ëndrrën, paçka se janë të rrallë ata që arrijnë ta bëjnë realitet. Nikolla ishte njëri nga të guximshmit e kohës së tij. “Më dukej se me shkrimet e mia do të rregulloja botën”, shkruan ai. Por a dëgjon bota? E vërteta është që gazetën e Nikollës e dëgjoi dhe bile fort.

Kemi patur rastin ta njohim herët personalitetin e pandërruar të Nikollë Lesit. Ai, me temperamentin e tij “shpërthyes”, dëshmoi se është gjithnjë i vendosur, i pakompromis me mbrapshtitë e pushtetit, që po të përifrazojmë urtësinë e maleve nga vjen “nuk di se çfarë asht tuta”, po aq miqësor, idealist, ambicioz, i drejpërdrejtë, mendjehapur, që nuk ka dashur asnjëherë të bëjë zanate të tjera, por vetëm gazetarin. Kronist i thekur, i paanshëm, i pangjyrshëm, siç dëshmohet në këtë libër, kur gazeta që i kushtoi rininë është dhe kronika e tranzicionit shqiptar të fazës më të egër të tij. Kur regjimi i vjetër kishte rënë dhe i riu nuk kishte arritur të ishte ndryshe nga i pari. Ndaj “Koha” ndiqet, spiunohet, paditet në gjykatë pa shkelur ligjin, kontrollohet me tendencë nga tatimorët, i bëhet presion nga SHIK-asit, deri sa vjen marsi i 97-s, kur asaj i vihet flaka dhe redaksia shkrumbohet me kompjutera e të gjitha pajisjet. Por gjuha e saj u lidh vetëm për 40 ditë, më pas njeriu që nuk do t’i ndahej lirisë së vet, do të lëshonte shtëpinë e tij për redaksi. Të gjitha këto na i thotë libri “Kështjella e Medias” me stil dokumentarist, ku e sheh gjithçka si në film. Rrëfimi më plot episode, detaje, ndonjëherë dhe batuda ironike, e bën librin të lexueshëm si një roman. Nuk është në natyrën e Nikollës stili i rëndë, pompoz, deklarativ, por zhdërvjelltësia e frazës dhe të shkruarit. Metafora e tij është e vërteta pa stërhollime dhe teprime. Siç ishte gazeta, e drejtpërdrejtë, ashtu është dhe libri kushtuar saj.

3

Por idealizmi i medias së lirë si duket nuk mund të vazhdonte fund. Pushteti do të arrinte ta fuste në dorë mas-median, jo më me luftë frontale, por me korruptimin e saj, sa erdhi “një periudhë kur mediat nuk njihnin semaforë… ishin vetëm pak gazeta tashmë që jetonin me shitjen dhe reklamat… të tjerët po fuqizoheshin përditë në mënyrë marramendëse, përlanin shuma përrallore nga fondet publike nëpërmjet tenderave, pasi kishin krijuar firma private ndërtimi e shoqëri të tjera” (f. 287.) Në këto kushte njeriu që në vitin 1991 e kishte marrë detin në këmbë, siç shkruan vetë, nuk donte ta shihte “cumamin” që po vinte, ama ai “cunam” ishte. Kjo dhe e shkatërroi tregun e medias njëherë e mirë, sa me të drejtë sot shtrohet pyetja: a është media përsëri një kështjellë e demokracisë? A vazhdon ajo të jetë e pavarur, kritike, produkt i gazetarëve, apo pronarëve?! Ka gjasë që media jo pak është kthyer në shërbyese e “kështjellës” tjetër, që është pushteti. Për fat të keq, pushteti në Shqipëri historikisht e ka shitur dhe blerë interesin publik. Shitja e interesit publik, në favor të oligarkive politike, ekonomike tek ne ndodh në vazhdimësi, kurse “blerja” e interesit publik ndodh gjatë fushatave elektorale, ku premtohet shumë dhe bëhet pak, sidomos nuk bëhet ajo që premtohet, por të tjera gjëra, nga ato që kanë në mendje pushtetarët e radhës.

Gjithsesi, gazetaria e shkruar dhe televizive, në mënyrë të veçantë ajo investigative, në këtë mjedis të ndotur të ekologjisë social-politike, nuk i ka lëshuar armët, ka hetuar e denoncuar afera, ka ngritur e përpunuar opinon, ka qenë në anën e publikut dhe shpesh dhe e ka paguar qendrimin e saj oponent me pushtetin. Koha ka ecur, sot presioni pushtetor mbi mediat është “moderuar”, e shumta iu bëhet presion psikologjik pronarëve të tyre lidhur me bizneset e tjera që ata kanë, për të cilat kanë detyrime tatimore në shtet. Kuptohet, qendrestarë moralë ka dhe do të ketë gjithmonë, çka e tregon dhe largimi kohët e fundit nga puna dhe pozicionet drejtuese i disa gazetarëve nga më profesionistët, kritikë me qeverinë. Qeveria ka politikat e saj ndaj mediave, si për t’i mbështetur që ato të zhvillohen e konkurojnë, si për të ushtruar kontroll mbi ato media që punojnë në të zezë, në dëm të interesit publik dhe të punonjësve të tyre jo gjithnjë të mirëpaguar etj. Por ajo, në vend që të vendosë dhe këtu autoritetin e shtetit, sikur iu thotë nën zë pronarëve, mbylljeni ju një sy në ato politikat tuaja editoriale, që ta mbyllim dhe ne të shtetit një sy ndaj detyrimeve tuaja fiskale.

Kështu pushteti bëhet “kështjellë” e pathyeshme dhe media i bën fresk nga bedenat, duke mbajtur mikrofonin e konferencave të shtypit të pushtetarëve.

Edhe në këtë vështrim “Koha Jonë” është si ajo busulla që duhet parë në (çdo) kohë furtune.

 

BOTA ËSHTË ATY KU KAM LINDUR UNË…

(Me inxhinierin e njohur të minierave, Pjetër Tarazhi)

A1 PJETER TARAZHI

Kishte qenë një fëmijë inteligjent dhe mjaft i dhënë pas mësimeve, sa kishte marrë dy klasë për një vit, në fillore, në fshatine tij Tarazh, Mirditë, me mësues Prengë Zef Pepën, që më pas do të bëhej kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit e do të punonte së bashku me ish-nxënësin e tij, tashmë jo për të bërë detyrat e klasës apo të shtëpisë, por ato të ekonomisë, realizimin e planit të bakrit dhe piritit në minierin e Spaçit, ku nxënësi i dikurshëm shembullor do të ishte drejtor. Ylli i tij ishte ngjitur shpejt dhe me siguri do të shkonte dhe më lart, por kjo nuk do të pëlqehej nga ndonjë klan partiak i rrethit. Dhe atë që nuk ta bënin galeritë e thella të minierës gjithë lagështirë e pasiguri ta bënin labirinthet partiake të kohës…

Jeta e tij kishte nisur si një roman. Mbas shkollës fillore do të kryente uniken (7-vjeçaren) në Rrëshën, gjithnjë me rezultate shumë të mira. Treva e tij kishte nevoja për mësues, ndaj ai dërgohet bashkë me disa nxënës të tjerë mirditorë, lezhiane, pukjanë etj. në pedagogjiken “Shejnaze Juka” të Shkodrës. Por Pjetri e kishte ndier erën e bakrit dhe të minierave të vendlindjes së tij dhe nuk donte të bëhej mësues, por inxhinier, ndaj i shkruan letër ministrit të Arsimit që ta kalonin në gjimnaz, por merr përgjigje negative. Iu troket në derë dhe dy zëvendëskryetarëve të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, që ishin mirditorë, por dhe ata i kujtojnë se rrethi i tij kishte shumë nëvojë për mësues. Atëherë ai i shkruan Enver Hoxhës dhe pas një viti si pedagogjikas hidhet në vitin e dytë në gjimnazin e Shkodrës. Ishte viti 1953. Me vete kishte marrë shllimin e Aritmetikës Racionale të pedagogjikes, që do t’i duhej gjithë jetën për të bërë kalkulime inxhinierike të pagabueshme. Nuk është e rastit që dhe në gjimanz ai kujton të parin profesorin e matematikës Tomor Dani.

Nuk i kishte bërë 18 vjeç, në vitin 1957, kur nis studimet për inxhinieri në Akademinë e Minierave në Moskë. Nga fshati i tij i vogël, me 70 shtëpi, në Moskën me 7 milionë banorë. A thua kjo të ishte ëndrra e njeriut? Qëndron katër vite atje dhe kthehet me 1961 si shumë studentë të tjerë pa i përfunduar studimet, për t’u diplomuar më pas në Tiranë. Në Rusi kishte njohur dhe të tjerë studentë shqiptarë si Frrok Pjetër Gega e Niko Shuli për inxhinieri mekanike, Hamit Boriçi për gazetari, Sabri Zaganjori për fizikë bërthamore etj. Pa e kuptuar Pjetri rinor ishte bërë “personazh” i romanit “Dimri i Madh” të Kadaresë. Ditën që delegacioni shqiptar (pas mbledhjes së bujshme te 81 partive komuniste në Moskë, ku udhëheqësi shqiptar i kishte “çjerrë maskën” Hrushovit), po nisej me tren si i padëshiruar, në stacion qenë mbledhur shumë shqiptarë, veçanërisht studentë dhe shkrimtari shkruan se njëri sosh e kishte ndjekur trenin nëpër platformën e betontë dhe pak metra mbasi ishte nisur. Kishte qenë studenti eklselent Pjetër Tarazhi. E kishte bërë për atdhetarizëm atë gjest, dhe jo për ndonjë afri me politikën, ndoshta dhe si një “borxh” moral karshi njeriut që ia kishte përmbushur ëndrrën e shkollimit aty ku deshi.

A2 PJETER TARAZHI

Diplomohet në vitin 1963 në Tiranë si inxhinier minierash dhe në shtëpi i mbërrin telegrami nga Ministria e Industrisë dhe Minierave: “Paraqituni për të filluar punë pranë minierës së bakrit Kurbnesh”. Pjetri tregon se “diplomën e kisha marrë në Universitet, por inxhinier më bani mjeshtri i galerive Gjok Bib Gjoni, një minator i shquar ng a Proseku, pasi më mësoi praktikën e profesionit dhe të punës në minierë, qysh ditën e parë. Dhe pa shumë shkencë. “Më bëri gati kandilin e karbitit, duke i futur dhe ujë dhe ma dha në dorë e u të dy bashkë u nisëm drejt frontit të galerisë. Ndize! më tha. Unë u përpoqa, por nuk ndizej. Provo kandilin tim, tha minatori, por as ai nuk ndizej, ishte një “kleçkë” e vockël, unë nuk kisha hapur rubinetin e ujit, pa të cilin nuk çlirohej acetileni, gazi djegës… Duket e thjeshtë, por ishte e domosdoshme, pasi kandili ishte i vetmi fanar në errësirën e pafundme të nëntokës”. Ai tregon se në Kurbnesh gjeti dhe të tjerë zotër të nëntokës, si përgjegjësin e sektorit Bardhok Buraku, me te cilin punoi për dy vite.

Atë mes vitesh ’60 në Mirditë po përparonte dita-ditës dhe një minierë tjetër relativisht e madhe, ajo e Spaçit. “Isha vetëm 26 vjeç kur u thirra për të qenë kryeinxhinier i saj, kurse drejtor ishte Pal Marka Deda, një njeri energjik, me përvojë dhe nga miniera e Bulqizës, që më pas do të pësonte një kalvar të rëndë si i burgosur politik në Burrel. Spaçi kishte një veçori, ne do të prodhonim piritin, për herë të parë në një minierë shqiptare, kështu që unë u dërgova për specializim në Kinë për tre muaj, ku qëndrova në minierën e Manshanit, afër Nankinit. Atje kam parë minierë që kishte 11 mijë punëtorë dhe 100 inxhinierë. Kinezët projektin e shfrytëzimit të piritit e kishin marrë nga japonezët.

Pas tre vitesh si kryeinxhinier do të emërohesha në postin e drejtorit të minierës së Spaçit, ku punohej kryesisht me të dënuar politikë. Aty qendrova pesë vite dhe rasti e solli që të kisha epror në pushtetin lokal ish-mësuesin tim të fillores, Prengë Pepën. Ishte shumë i madh presioni për planin atëherë, por unë përpiqesha të udhëhiqësha nga logjika ekonomike dhe jo nga “plani për plan”, çka nuk ishte kredo e të gjithëve asokohe në Komitet e Ministri, ku plani ishte “ligj”, pavarësisht mundësive dhe kushteve teknike. Në 73-in Pjetrin e heqin si drejtor dhe i propozojnë të rrinte aty inxhinier, me të dënuarit, por ai duke ditur se një ditë do të përfundonte si ata, nuk pranoi të punonte më në Spaç, por shkoi në një minierë tjetër, atë të Dervenit, ku qendroi dy vite. Është e habitshme se si minerat e Mirditës ishin kthyer në vatra të goditjes politike, ku do të dënoheshin për agjitacion e propagandë apo sabotim në ekonomi: drejtori legjendar Pal Marka Deda, inxhinieri vlonjat i minierës së Kaçinarit Devi Radhima, minatori kurajoz Nikollë Përlesi etj. Ndoshta për t’iu kallur frikën punëtorëve dhe kuadrove të minierave që të mos ngrinin krye për shfrytëzimin që iu bëhej… Në këto rrethana Inxhinieri i zot Pjetër Tarazhi lë vendlindjen, Mirditën, ku mund të kishte bërë karrierë, dhe me 1975 me dëshirën e tij dërgohet për njëzet vite në minierën e dolomiteve në Dukat të Vlorës. Kantieri i prodhimit të dolomiteve ishte në varësi të minierës së Bitumit në Selenicë. Pjetri e gjeti sektorin një “gurore” me dhjetë punëtorë dhe e çoi deri në 50 e më shumë, pasi ishte rritur kapiciteti i prodhimit. Dolomiti përdorej në Metalurgjikun e Elbasanit për prodhimin e tullave zjarrduruese, ndaj dhe sektori që ai drejtonte ishte kyç për ekonominë. Por Pjetri i urtë, i qeshur, i mirësjellshëm, elitar, ishte “kokëfortë” me të gjitha llojet e burokracive si në Veri ashtu dhe në Jug. Mund të jetë ndër të rrallët kuadro që kur e lëvizin nga puna në Dukat, për t’i lëshuar vendin dikujt tjetër, e fitoi vendin e punës me gjyq, duke qenë në anën tjetër në prapaskenë një sekretar i Komitetit të Partisë së Vlorës. Ky është fati i një specialisti të shquar që mund të ishte bërë dhe ministër i minierave dhe industrisë për nga kualifikimet brenda dhe jashtë vendit, por njeriu që përpunonte mineralet nuk ishte vetë i “përpunueshëm” para burokracisë, një “çelik” që nuk shkrinte asnjëherë para dredhive të pushtetarëve. Letrat e “vendlindjes” e ndiqnin nga pas dhe në Vlorë, si e si ta godisnin, dhe pse ai ishte anëtar i Partisë së Punës. Mbeti gjithë jetën mes pluhurit të mineralit dhe punëtorëve të thjeshtë, i dekoruar në vitin 1986 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Për punë të shquan në miniera dhe gjeologji”.

Me 1995 e larguan nga miniera, dhe për dy vite pa dalë në pension, por ai nuk e la punën. Nuk ndoqi më udhët e nëndheshme, por ato të turizmit. Prej shumë vitesh ka krijuar në Sofie të Bullgarisë firmën e tij turistike “Mirdita”, me të cilën lëviz turistë në të gjitha vendet e rajonit. Autobusë plot me vizitorë shqiptarë e të tjerë, me këtë ciceron të admirueshëm enciklopedist që s’e lëshon mikrofonin nga dora, ndjekin intenerare të ndryshme. Ai na tregon për rrugëtimin e pritshëm: Tiranë, Selanik, Stamboll, Sofie, Shkup, Strugë dhe kthim në Tiranë. Për të qenë sa më i integruar në “zanatin” e ri ka mësuar bullgarishten kur ishte në pesnion. Duke shëtitur në vende të ndryshme të Ballkanit ka marrë diçka dhe nga gjuhët e tyre, si serbisht, italisht, turqisht. Ka kryer dhe fakultetin ekonomik në moshë të “shtyrë”. Shkurt, një njeri i paepur që ka ditur ta gjejë veten në tollovinë e tranzicionit.

Inxhinier Pjetri sa ç’është qytetar i të botës, një përsonazh i veçantë, disi i padukshëm, aq është i lidhur pas gurit të caranit, Tarazhit, që e mban dhe si mbiemër bashkë me dy vajzat e tij, Besa Tarazhi dhe Nora Tarazhi, që rrojnë e punojnë familjarisht në Amerikë. Pjetri ka shkuar dy herë në Amerikë dhe me të qeshur thotë se nuk i mbetet merak që nuk ka qenë dhe në Afrikë e Australi. Ashtu si atëherë, në statcionin e trenit në Moskë, Pjetri ka mbetur një atdhetar i kulluar dhe sot e kësaj dite, rrugëve të qyteteve europiane, si shoqërues i udhëtarëve të kombësive të ndryshme. Kujton një detaj të pakëndshëm në Selanik me një greke, e cila kishte thënë se qyteti i saj kishte qenë i qetë derisa kishin ardhur ata, “banditët shqiptarë”, duke e ditur për bullgar shoqëruesin e grupit. Pjetri, duke qenë i informuar për gjendjen e emigrantëve shqiptarë në tërësi dhe atë të tyre në burgjet e greke, e kishte zën mat atë zonjën, me fakte dhe argumente, aq sa ajo ishte shtrënguar të ulej nga autobusi!… Një njeri erudit, që njeh gjithçka nga historia dhe monumentet kulturore të vendeve të rajonit. Aleatët e tij më të mirë janë librat, guidat, fjalorët. Në bibliotekën e tij të tërheq vëmendjen sidomos një kolanë me lidhje speciale, enciklopedia e madhe sovjetike, që ai e ka blerë në Sofje pas 90-s.

78-vjeçari, Pjetër Tarazhi, shkon e vjen shtigjeve të botës, e prapë kthehet te dheu i lindjes, kulla në Tarazh, nga nisi rrugëtimi i tij nëpër botë 60 vite më parë.

Ai thotë frazën profetike: “Bota është aty ku kam lindur unë, ku dhe do të vdes…”

 

ARTISTË QË E BËNË KARRIRËN NË PROVINCË

(Duke kujtuar Françesk Radin dhe Dorian Ninin)

 

Është e njohur sa bota se artistët e vërtetë nuk kanë nevojë për shumë komoditet për të bërë art të pavdekshëm, ata e gjejnë veten kudo që t’i hedhë fati. Jo se e kërkojnë “fatin” e mundimshëm, por i përshtaten gurit e drurit, shiut e breshërit që iu bie për hise. Në këtë kundrajë të vijnë ndërmend dy artistë të ndjerë, mjeshtër të muzikës bashkëkohore, kompozitorët Françesk Radi dhe Dorian Nini, që pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio-Televizion (1972) njëri degdiset në Fushë-Arrës dhe tjetri në Mirditë.

Ata të dy dhe artistë të tjerë të rinj që 70-a politike i treti në provincë mund t’i dorëzoheshin fatit, pijes, “drogës” së kohës dhe të humbisnin në artin masiv, por jo, përkundrazi, shqisa prej artistësh me gen i bëri të arrinin kulme artistike dhe atje mes pishave dhe mineraleve. Studiuesi Josif Papagjoni, që asokohe ka qëndruar bashkë me Françesk Radin në Fushë-Arrës, kujton se si ai në vitet 73-76 njohu shumë mirë motivet popullore të trevës së Pukës dhe asaj të Mirditës, të cilat i përdori në kompozimet e tij, si kënga “Mollë e kuqe”, që e këndoi që atëherë. Ai mësoi dhe çiftelinë dhe jo vetëm kaq, por krijoi në qytezën e sharrëtarëve dhe orkestrën e vogël të çiftelive. Ndaj nuk është çudi që prej vitesh Fushë-Arrësi është bërë qendra e festivalit mbarëkombëtar të instrumentistëve të vegjël popullorë. Françesku bashkëpunoi mes të tjerësh dhe me rapsodin e njohur Frrok Haxhia. Frroku u këndonte heronjve shqiptarë me një patos të rrallë të traditës, herë-herë elegjiak, kurse Françesku “ekstravagand” nga flokët e gjata (?) këndonte lirikat shqiptare dhe këngët e “Sanremos”. Kishte mbaruar për kontrabas Akademinë e Arteve, por mes bjeshkëve nuk kishte orkestër simfonike, që të hynte në punë vegla e tij moderne, ndaj artisti i ri nuk do të rrinte duarbosh, por do të trazonte shpuzën e folkut verior fshehur nën hirin e moteve. Natyrisht pa e lëshuar nga dora kitarën e tij proverbiale, pa të cilën nuk mund të mendohet, ashtu si dhe artistë të tjetë të shquar para tij, si Alfons Balliçi i Elbasanit, që ngrinte peshë mbrëmjet e vallëzimit të rinisë së viteve ’60 kudo vente në Tiranë, Rrëshen, mes gjimnazistëve etj. Edhe kompozitori Aleksandër Lalo, që ka bashkëpunuar herët me Françeskun, vlerëson kohëqendrimin e tij në Fushë-Arrës lidhur me të njëjtin argument, atë të përftimit të folkut muzikor në krijimtarinë e tij, gjer praninë e çiftelisë në orkestrinat që shoqëronin këngët moderne të mjeshtrit. Ndaj mund të thuhet se Radi ishte i veçantë, karakteristik dhe për këtë vlerë të shtuar të artit të tij muzikor.

Dorian Nini, djaloshi me origjinë nga viset jugore, me këngën “Erdhi djali i fshatit fqinj” në Festivalin 11-të do të përfundonte në Mirditë mbas studimeve të lartë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Mbase kurrë nuk e kishte shkuar ndërmend më parë se shkëlqimi i tij si muzikant do t’i vinte nga Mirdita e motivet origjinale të folkut të saj, por kushedi ku e kishte përfytyruar veten si artist i ri, në ndonjë nga institucionet artistike të kryeqytetit, apo në ndonjërin nga rrethet e mëdha, ku nuk mungonin orkestrat dhe trupat e ndryshme profesioniste, të estradës, teatrit etj. Kjo nuk ndodhi, ndaj një artist si ai nuk mund të ishte dorëjashtë ndaj një begatie folku muzikor ende të pambarështruar nga duar mjeshtrish të zot. Shumë vite më parë motive mirditore kishte përdorur për operan e parë shqiptare “Mrika” kompozitori i madh Prenkë Jakova, që kishte pas punuar si mësues në Konviktin e Oroshit në vitet ’30 të shekullit XX. Po ashtu dhe kompozitorë të tjerë të dëgjuar si Pjetër Gaci. Por do të ishte Dori që do t’i hynte me themel kësaj pasurie të trashëguar, duke kulmuar me fitimin e vendit të parë dhe flamurit të Festivalit të Gjirokastrës nga Ansambli “Mirdita”, në vjeshtën e vitit 1978. Pa asnjë teprim, Dori do të ishte “meteori” që do të zbriste nga qielli i artit për të ndriçuar një realitet kulturologjik autentik të fjetur, që jo pak i ishte dorëzuar emulacionit socialist dhe artit skematik të vatrave të kulturës. Ai do të bashkëpunonte ngushtë me poetin Gjok Beci, që shkruante si tekste këngësh popullore, ashtu dhe të muzikës së lehtë, i cili po atë kohë i rikthehej këngës pas goditjes politike që e kishte çuar punëtor në ndërtim. Kompozitori i ri Nini bashkëpunoi dhe me artistë të tjerë vendas, si Fran Vorfi, Mark Gjoka, Luljeta Përbasha, këngëtarë e muzikantë lokalë me prurje artistike në nivel kombëtar. Para se të vente në Mirditë, e kishte dëgjuar vetëm si emër, e mendonte tepër larg, bile si një vend të izoluar etj. Në fillim qendronte si mbi “gjemba”, sepse ishte i biri i një babai që kishte qenë i dënuar me 8 vite burg politik, fatin e të cilit mund ta kishte dhe ai vetë. Siç është shprehur në një intervistë Doriani, “ndonjëherë dirigjoja pas kuintave, si një hije”, apo “shpesh ndodhte që çmimit të parë t’i hiqej emri i kompozitorit” që ishte ai. Dhe në këtë realitet të trishtë politik-klasor, muzikanti profesionist triumfonte dhe sfidonte kohën, duke vlerësuar mbase si askush mirditorët, mes të cilëve shkëlqeu, si “të veçantë, inteligjentë, krenarë, të ndjeshëm, mirënjohës, besnikë, të talentuar, me humor etj.” (Intervistë e vitit 2009.) Teksa njerëzit e muzikës së asaj treve e kanë cilësuar Dorin si një “shkollë muzike” për ta.

Është për t’u habitur se si muzikantë të tillë të rinj orientoheshin drejt thellësive të etno-folkut, nënshtresave të tij të arkivuara në harresën e kohës, e cila i mëshonte afirmimit të së resë ideologjike. Perlat folklorike dilnin nga hatullat e shekujve, në një kohë kur kishte rënë lahuta, kanuni, kulla, veshja tradicionale, arketipet e së vjetrës. Grupet e kërkimit muzikor në fshatra nguleshin derisa ta kishin peshkuar dhe perlën e fundit. Në Kodër Rrëshen grupi i punës, i kryesuar nga Dorian Nini, gërmonte në kujtesën e të moshuarës Nënë Mara (Jushi), dëgjonte motivet e vjetra që këndonte bardja popullore (që sot u është afruar të njëqindave), inçizonte materialin muzikor në një magnetofon “Gruding”, mbi të cilën do të ringjalleshin këngë lirike që i këndonin dikur gratë në dasma, si “Kanga e Liles” etj. Këngë të tilla Doriani i paraqiste në festivalet zonale e kombëtare të folkut, kurse plot motive të tjera i përpunonte dhe i shkrinte si kripën në ujë në këngët autoriale kushtuar heronjve të kombit, si Mic Sokoli, Pavarësisë etj. Bashkëpunëtorët e tij në Mirditë veçojnë sidomos dy melodi orkestrale të karakterit simfonik luajtur me vegla tradicionale, si çiftelia, lahuta, sharkia, fyelli, kavalli, bilbili etj., që luhen dhe sot nga formacionet muzikore të trevës.

Françesku dhe Doriani ishin dy nga mjeshtrit e rinj të muzikës së re shqiptare, që Plenumi IV i hodhi në provincë si punonjës të zakonshëm të shtëpive të kulturës, ndërkohë që ata arritën pas shumë sprovash artistike dhe jetësore t’i ktheheshin Tiranës, Gjiro-folkut, muzikës shqiptare sy yje. Ky sigurisht është një përjashtim nga “rregulli”, pasi artistët nuk ka pse të braktisin formacionet muzikore të (krye)qytetit, orkestrat e radios dhe televizioneve, operan, filarmoninë, studiot muzikore etj. për koloritin e “provincës” së largët, sado që arti burimor gurrat i ka në popull, në epe dhe balada dhe mbledhja e nektarit, ashtu si bleta në njëqind mijë lule, është veti e artistëve të mëdhenj që nga Moxarti e Bethoveni, për çka mjeshtërve të muzikës klasike europiane, nuk iu mplaken kurrë partiturat dhe tingujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *