Makabriteti i një regjimi makaber!

Shenime për romanin “ gurit të varrit ia rrëfej” të shkrimtarit Agron Tufa

 

Pjetër Jaku

 

“ Kur ta keni të qartë atë që do të shkruani, fjalët do t’u vijnë vetë”, – do thonte Horaci, dhe mendoj se pikërisht  kështu ka ndodhur me romanin më të ri të Tufës. Romani e mbart peshën e tij në trekendëshin artistik  të dy përsonazheve që rrëfejnë dhe njërit që dëgjon, në një subjekt të rrafshët, intrigues dhe shumë të goditur. Lirika, Arsenio dhe Zonja O. mjaftojnë të na sjellin artistikisht një ngarkesë emocionale dhe kureshtare. Romani është i shkruar njësh, si një lëndë e vetme, pa kapërcime dhe rregulla strikte të letërsisë që kërkonte kulme dhe intriga të porositura, që gjithëmonë e kishin një zgjidhje, një shabllon, një model veçëse ndryshonin subjektet, por asnjëherë formen. Një realizem banal, që thirrej realizmi socialist, ku filli i kuq ideologjik do ta përshkonte tej e mban  çdo vepër artistike. Tashmë dihen mënyrat dhe rrugët e të bërit shkrimtar, në regjimin, të cilin Tufa e zbërthen mjeshtërisht në rrëfimin e Lirikes, që në marrëdhenien me mësuesin e letërsisë ku, edhe pse me detyrë partie, në fund nuk mundi ta mbronte. Një regjim që vriste e përdhunonte, që diskreditonte për interesa përverse të besimtarëve politik.

agron-t

Letërsia është dhe duhet të jetë një skanim i kohës, të cilën ka marrë përsipër autori të na e rrëfej dhe, jo vetëm kaq, por edhe  një skanër detajor i një sistemi shoqëror, e një stampim historik i bëmave antinjerëzore të një regjimi banditesk. Konkretisht në “gurin…” e shkrimtarit Agron Tufa goditet jo vetëm komunizmi eksperimental shqiptar por, edhe fillimi i një lirie përdhunuese dhe kaotike me kalimet horizontale nga një nëpunës komunist, në një pushtetar “demokrat”. Të gjithë këta lloj qeniesh që i ngjanë shelgut , lakueshmërisë skajore, kanë aftësinë të mos lënë kurrë prekjen e tyre, duke sunduar deri në rangjet më të larta. Këtë e dëshmojnë artistikisht Lirika dhe Zonja O, ku gjithëkund e ndeshin forcen e ish përsekutuesit komunist, Hetem Gj. Ai i ndjek si hije në gjithë veprimtarinë e tyre. Nuk lejon të publikohet emri i tij si një përdhunues profesionist dhe, si një trajektore triumfuese në të gjitha betejat e lidhura në dy skajet pushtetuese të të dy regjimeve, ia del ta kaloi lumin pa u lagur.

Kompozicioni nuk është ndërtuar në skema klasike, i ndare në kapituj ( edhe pse i ka dy pjesë, dy rrëfimet që e mbajnë romanin, Lirtika Mërtirit dhe Zonjës O.), me një subjekt që ka një fillim dhe një mbarim, që e ndjek logjika ndërvepruese e përsonazheve, me konflikte të situsura pa shije, por vjen rrjedhshëm dhe me shumë të papritura befasuese, që lexuesin e mbajnë pengë deri në mbarimin e librit. Gjatë leximit mund t’i bësh vetes disa pyëtje, se ç’do të ngjasë me Liriken, çdo të thotë Zonja O, në një intervistë që i merret  pa dijen e saj, e cila lëshohet lirshëm në incizimin e gazetares. Arsenio duket e zhduket në një mugëtirë kohore, që herë bëhët një qiell i vrejtur, herë një kohë me diell, që dëgjon me vëmëndje rrëfimin e Lirikes, të adhuruares së përhershme, por që kurrë nuk arriti ta bëjë të tijen.

 

Përdhunimi i dijes

 

Lirika i beson mësuesit të letërsisë dhe e pëson pikërisht nga të besuarit, duke mos menduar se ai ishte njëkohëshëm edhe sekretar partie, në regjimin që i kishte vrarë babanë! Talenti dhe zgjuarsia e saj bie pre e “skifterëvë me kobure” , siç do t’i quaj autori komunistët që nuk lëshonin pe, duke bërë akte të turpshme edhe si ridënim i një klase, që vet e kishin përsekutuar, në mos si nënshtrim banal të tyre. Pikërisht këtu del në dritë “puna” e mësuesit të letërsisë, proesor Marenglenit, i cili mbante me shkurtime emrin e tre  figurave ndërkombëtare të komunizmit Marks-Engels-Lenin! Ishte pikërisht monstra, që në emër të “pastrimit të biografisë” dhe forcën fizike e nanshtron Liriken.Si për gjynah, mundohet t’i realizoj takimin me udhëheqësin, që së shpejti do vizitonte shkollën e tyre.Këta përversa ishin me shumicë në sistemin e djallit. Ai arrin të hyj aq thellë, sa t’i bind dhe të emën, se “po punonte për të mirën e tyre”. Të gjitha këto i kuptonte Lirika, por… mosha, pamundësia për të qendruar në një përballje si të luanit me miun, bie pre e një sistemi kafshëror dhe të pamëshirshëm. Ajo i dallonte çdo ditë kuçkat komuniste, se si ishin ngritur në karrierë nga pallimi i shefave dhe, se si i shihnin nga lart- poshtë sojin e nënës së saj, që po rriste fëmijët me pafuqinë fizike dhe me njëmijë mundime, duke gdhirë netë të tëra për rrobat e mira që do ti bënte, për t’i pasur në takimin me udhëheqësin, gjë që nuk ndodhi, pasi sekretarit të partisë nuk i shkoi fjala. Por, këta tipa dhe me të këqij se ata që rilinden në vitet e para të demokracisë, kur shteti në brishtësinë e tij si dhe në hapjen e kufinjëve, nuk pati asnjëlloj force, ose segmente të tij bashkëpunuan me krimin, duke i kthyer konviktet e femrave në një panair shitjesh, me gënjeshtra që u bënin halabakët me e pa mjekër, për një jetë më të mirë në perëndim, për  t’i rrëzuar në humnerën e prostitucionit ndërkombëtar, pasi i ngopnin mirë e mirë epshet e tyre shtazarake! Një sistem epshor i instiluar në regjimin komunist, ku femra ishte një lodër në duart e sekretarve me e pa numër, ku burrat, baballarët dhe vëllezrit e tyre torturoheshin, vetëm pse kishin një femër të bukur në familje, e ku e vetmja mënyrë për t’ia arritur ishte degdisja  në  zgafellat e burgjeve shqiptare, për të siguruar deshirat shfrenuese dhe “urinë” e përhershme për nënshtrimin e të pambrojturve. Me të drejtë, dikun autori pyet: “ A ka mbetur vallë dikush që di të dëgjoj?” Politika shqiptare nuk e ka këtë shkollë, që mësohej që në kohën e Pitagorës, në Universitetin  e tij “ Omakio”. E kush mund ta mbronte femrën? Spiune si Besiana, këshilltare si Dina, mësues si Marengleni, apo hetues si Hetemi, të cilët veprojnë në dy kohë? Takim kohësh me përsona të  njejtë, s’do thotë gjë tjetër veçëse vazhdim i së keqes në një vend që dallohet për bunkerë e dosje, për një harresë kolektive, që kurrë nuk duhet të ndodhë! Me të drejtë thuhet: “I verbëri më i madh është ai që s’do të shoh.” Por, a duhet kthyer kjo në një verbëri kolektive? Pikërisht këtu na ndihmon Tufa me këtë vepër dhe… por a duhet kthyer ajo kohë në një shurdhëri kolektive!? A duhet dikush të na e risjellë në kujtesë, ose t’i njohë brezat që nuk e kanë jetuar atë periudhë, ta mësojnë se ç’bëntë komunizmi dhe ç’bën diktatura, kur drejton njëshi, kur mungon mbrojtja, siç ishte koha pa avokaturë, që përjetoi Shqipëria për afro 50 vjet!? Kujt do t’i ankohej Lirika? Po Zonja O. si do të mbrohej? Po qindra zonja të tjera që dergjeshin nëpër burgje për huqet e derdimenve të sigurimit, po mijëra meshkuj që burgoseshin me lloj lloj sajesash, vetëm për të siguruar lirinë e padrejtë të një pakice shtypëse? Skenat e llahtarshme  të ikjes së shqiptarëve, në pjesën e parë të vepres jepen me dozën maksimale të dhimbjes dhe të pamundësisë për t’i mbrojtur nga kthetrat gllabëruese, tanimë të skifterëve të rinj, që bënin çdo ditë pazare të kontrolluara nga shteti në dëm të individit, në një kohë kur të rinjtë ëndërronin një tjetër jetë. Me një mjeshtëri  admiriuese jepen skenat e levizjeve të halabakëve me motorë, të cilëve u trembej dhe policia, në qytetin studenti, te konviketet e femrave. Rrëfimi i Lirikës është model, por dhe degjesa e Arsenios, njeriut me botë, përbën një tip tjetër të njeriut të mirë.

 

Trinia artistike në prozën e Tufës

Që në fillim na bie në sy ana ndërtimore e një romani larg klisheve e steriotipeve të mundimshme, edhe  në qofshin të zgjedhura me kujdes. Galeria e përsonazheve është e atillë që të mbetët në kujtesë, edhe pas shumë kohe nga leximi por, edhe mospasja nevojë për ta sforcuar  trurin në rikujtesën e subjektit! Këto i hasim që në fillimin e romanit:   Lirika – babai Trajan- Dina, pas kësaj: Lirika-Arsenio- Marengleni për të ardhur te: Ardi – Dona – Drejtor Nasi dhe, më në fund, te rrëfimi  i Zonjës O: Zonja O.-Ditari – Besiana, Zonja O. – Hetem Gj – babai. Ndoshta kjo risi ka ardhur vetvetiu në funksionimin e krijimtarisë së Tufës por, e parë në një rrafsh tjetër, ngjanë si e qëllimshme, që edhe ngarkesa emicionale gjatë rrëfimeve të mos jetë e shpërndarë në shumë emra. Sot, në përgjithësi po kërkohet proza e lehtë, por me një botë të madhe, që nuk ka nevojë për shumë fjalë, për shumë stringla që i zbukuronin dikur nuset. Në më të shumtën e rasteve minimizohet përshkrimi i mjediseve në stërzgjatje të bezdisshme, duke u lënë më shumë vend e kohë jetëvë të përsonazheve dhe rrëfimeve të tyre. Në vepër nuk ka një aksion tipik, që fillon e mbaron sipas një skeme skolareske, ku në të shumtën e rasteve kthehet në bezdi, ose që përfundimet priten pa u lexuar.Befasia në rrëfimin e Lirikës, sidomos, është shumë tërheqëse. Por, poashtu edhe Zonja O. ka rrëfimin original, ku kthesat, të rrëmbejnë për ta shfletuar me një frymë, duke mos u kthyer kurrë në një libër edukate me fabula të gatëshme! Letërsia duhet të thotë diçka , por gjithëmonë artistikisht! Për mua çdo vepër arti, që nuk thotë, nuk vlen! Bash për këtë lexuesi nuk lodhet kurrë, kur nëpërmjet të ndjerit fikson një sjellje, që i shërben në veprimtarinë e tij, ose gjenë diçka të ngjashme me veten. Veshja e mendimit kërkon jo vetëm stilin, por edhe nëntekstin, edhe figuracionin. Të treguarit është një mjeshtri që jo gjithëkush e zotëron! Në rastin tonë, Tufa i ndërton përsonazhet me formim psikologjik, që arrinë të analizojnë veten, por edhe të mendojnë se si duhet të dalin nga udhëkryqi, që të fusin rrethanat. Kështu ndodh me Liriken dy-tri herë, kur analizon ndodhitë e saj, sidomos me Marenglenin! Kështu ndodh dhe me Zonjen O, kur rrëfen të shkuaren, duke e vendos çdo rrethanë në kohë e, duke sjellë të paprituren, me një ngarkesë emocionale, në disa raste rrënqethëse! Nuk është krejt puna që shkrimtari të mendoj, por ta bëjë lexuesin të mendoj, sa herë lexon diçka prej tij. Një pasqyrë e kohës na paraqitet artistikisht tek Dina, shoqja e konviktit, ku Lirika kurrë nuk i besonte. Pas rrezimit të sistemit komunist, ajo bëhët këshilltare  e një ministri të rëndësishëm, një kuçkë me diplomë, që notat i merrte hoteleve të Tiranës dhe, më vonë, ministrat e shisnin deri te ambasadorët dhe përsonalitete të tjerë që e vizitonin Shqipërinë.

Si përfundim dhe në fund, Zonja O. pyet bashkëbiseduesen, tashmë gazetare, Lirika Mërtirin: “ Çfarë i gjeti oficerët e Sigurimit, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët si Hetem Gj, apo spiunët dhe bashkëpunëtorët si Besiana? Jo, po të lutem… Ju këtu do t’i keni nëpër këmbë. E sa për Besianën, se çfarë vampirje kishte qënë ajo, kjo përbën një tmerr më vete, që s’mund ta rrëfej.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *