TRE TREGIME Nga Agim Xh. Dëshnica

VJESHTE ME SHI E BALTE

agim deshnica

Ishte ditë e hënë. Aty rreth orës dymbëdhjetë, nisi të binte shi, shi i imtë Tirane. Nga plepate lagur ujrat rrëshqisnin tatëpjetë trungjeve,gjethet e verdha këputeshin nga degët e binin në asfaltin e xhadesë.Në atë kohë një Fiat-polak, dy Gaz–BÇ e një mikrobus Xin-Fu, pasi lanë rrugën e Durrësit,u kthyhen e hynë në udhën me gropa, të dëmtuar nga kamionët e ndërtimit. Makinat të spërkatura me llucë, ndoqën njera tjetrën, dalë ngadalë dhe më në fund ndaluan në qendër të Ndërmarrjes së madhe  me fabrika e sheshe pune, me vinçatë lartë dhe plepa të ulët. Nga oxhakët e fabrikës së çimentos shpërndahej deri larg tym i hirtë dhe i  zi.

Nga dritarja e zyrës së studimeve teknike, Rudi pa tre makina të ndaluarapara klubit nga po zbrisnin disa me pamje zyrtarësh. Më prapa qendronte pa lëvizur një mikrobus. Drejtori e sekretari i partisë dolën me nxitim nga ndertesa me dy kate e shumë dritare për të pritur miqtë e sapoardhur. Punonjës të zgjedhur nga zyrat e repartet, vrapuan drejt klubit të madh. Po në atë orë çastisën gazetarët nga Zëri i Popullit e Puna, ndërsa autobusi „Shkodra“, solli të dërguar nga ndërmarrjet e tjera të kryeqytetit.

Në sallën e mbledhjeve busti i bardhë i derdhur në allçi, i udhëheqësit hijerëndë të partisë dhe tështetit, gdhihej e ngrysej mbi skenë tok me parrullat në mure:“Lavdi PPSH!” “Në një dorë kazmën, në dorën tjetër pushkën!”Zakonisht në atë sallë mbaheshin mbledhje me rëndësi. Në mbarim shpërndaheshin urdhëra e medalje, fletë nderi e lavdërimi. Çdo të shtunë, pas orës tre, shfaqeshin dy drama, njëra me ballistë e gjermanë të trembur, tjetra me fletë-rrufe e revolucionarë të revoltuar. Jepej përherë i njejti koncert. Kovaçi Braçe i ofiçinës, i qeshur me gërnetë e def me zilka,këndontedy këngë. E para, ishte „Kongresi i Përmetit me shumë vendime“ dhe  e dyta   „Më ka marrë malli me u fejue“. Kjo këngë  shoqërohejgjallërisht nga tre tenorë të Operës së mbyllur, me refrenin „Merre pra, lene pra!“ Pastaj në kor vajza e djem, këndonin dy lavde për partinë. Bardhi, zdrukthëtar, recitonte dy poezi nga dy poetë të shquar të ngjashme me hymnin për revolucionin botëror. Në ato vite akull të ftohtë poetët me urat e zjarrit të vargjeve, ndezën flakë dynjanë, male, fusha e pyje. Regjizori i gjithë programit artistik, ishte një aktor i njohur të cilin pas studimeve në Moskë, siç flitej, e kishin sjellë për edukim në gjirin e klasës punëtore.

 

***

U përhap fjala vesh më vesh, se zytarët me vetura nuk ishin as artistë, as  konferencierë, as regjizorë, as vizitorë, por njerëz të drejtësisë. Salla u mbush përplot me punëtorë e nëpunës. Rudi kërkoi e gjeti vend në radhën e tretë.

Në skenë, pas tryezës së gjatë mbuluar me cohë të kuqe, zunëvend vetëm juristët. Ata hidhnin sytë nga salla, afroheshin e flisnin kokë më kokë. Hapnin çantat, rrëmonin brenda e nxirnin dosje gri. Pastaj mbyllnin çantat e hapnin dosjet ngadalë. Mbi kokat e tyre, udhëheqësi i madhnë allçi vështronte sallën  e murin përballë.

Sapo në sallë, hynë pesë djem të shoqëruar nga ushtarakë me uniforma blu, u kuptua se nuk do të mbahej konferencë për ligje, por do të zhvillohej  gjyq.

Kryetarja e trupit gjykues, shoqja Sandra, një grua e bëshme  e pak e shkurtër, pasi paraqiti anëtarët  gjyqtarë, çeli seancën gjyqësore për shqyrtimin e aktakuzës së prokurorisë kundër pesë të pandehurve që ishin orvatur  me grusht shteti të krijonin një qeveri të re. Të pandehurit i përmendi me radhë: Ceni, mekanik,  Agroni, frezator, Nasi, elektricist, Pali, tornitor dhe Zefi, shofer.

-Gjatë gjykimimit të çështjes- tha ajo- do të dëgjohen edhe dëshmitarët.

Më tej njoftoi se avokati i mbrojtës mungonte, se dergjej  në shtrat nga gripi kinez. Nuk la pa harruar as ligjet, rregullin e qetësinë në vend. Mandej iu drejtua anëtarëve të trupit gjykues, nëse kishin pyetje apo vërejtje. Në fund  i dha fjalën përfaqësuesit  të prokurorisë.

Prokuroti i shtetit, shoku Teli, i gjatë e pak thatim, me disa fletë të bardha ndër duar nisi me gjallëri  të lexonte aktakuzën.

Rudi duke dëgjuar me vëmendje, mori vesh  se bëhej fjalë për një qeveri fantazmë, sajuar nga dorë mjeshtri, hë për hë me pesë zanatçinjë: Ceni-kryeministër, Agroni- ministër i arsimit, Nasi-ministër i brendshëm, Pali- ministër i industrisë, Zefi- ministër i transportit. Autori me hetuesin në këto çaste ndoshta  ndodheshin aty, ose pinin kafe me konjak, fjaloseshin e  qeshnin. në klubin pranë Teatrit Popullor.

-Qeveria e re- tha prokurori- do të krijohej pas disa mbledhjesh të fshehta dhe agjitacionit e propagandës. Në fund me grusht shteti, të paktën me njezëtë vetë, do të përmbysnin pushtetin e popullit.

-Na marshin të keqen! – shpërtheu zëri i njohur i Athinasë.

-Poshtë armiqtë! – thirri sa i hante fyti një nga ata, që ishte ulur në stolat e prapëm.

-Në litar! Në litar!-ulëritënnja pesë-gjashtë.Këto britmau mbuluan nga një murmurimë e mbytur në sallë, por u shua sakaq. Akuzat ishin të shumta.  Sipas prokurorit pak si gjaknxehtë, në mbledhjet e asaj qeverie të çudishme me zanatçinjë, ishte vlerësuar sidomos përhapja e njoftimeve për veturat në perëndim. Kush qe më i shpejtë, Fordi apo Fiati, Ferari apo Benzi, Pezho apo BMV?  Shoferi paskësh thënë një fjalë armiqësore,  se “me Xin-fu prej Tirane në Shkodër kam shkue bash për gjashtë sahat.”  Në mbledhje ngrinin në qiellskuadrën e fubollit të lakejve  të Gjermanisë revanshiste.

Mandej prokurori ngriti lart një letër. Sipas saj ishte nxjerrë një sekret i madh zyrtar! Ceni u paskësh treguar shokëve për një mbledhje të hapur në Ofiçinën Qendrore të ndërtimit. Atje, pas kritikave të rrepta nga të dërguarit e ministrisë dhe kantiereve të ndërtimit, drejtori i oficinës i skuqur në fyturë,  qe ngritur e kishte folur shkurt kështu: “Diku në Torino, është një uzinë e madhe veturash. Në mbarim të proçesit teknologjik veturat njera pas tjetrës, dalin jashtë.  Kontrollori me shufër hekuri në dorë, hedh vështrimin rreth e rrotull veturës së parë, përgjon rrahjet e motorit e thotë: “kuesto buono!” Më tej pa pritur therret: “kuesto non e buono!?” Ngre shufrën e godet mbi të, kurse ju kamionët e shkatërruar në rrugë pa rrugë e zalle lumejsh, kur shumë pjesë këmbimi mungojnë,  i doni, tuto buono!”

Siç po dukej kjo shfaqje e çuditshme drejtësie, po merrej me punëtorët, të cilët pas punës kishin folur parqeve për  makina e sportin.

Kur prokurori mbaroi rolin e caktuar, kryetarja thirri të pandehurit:

-E pranoni akuzën?

Të pestë,  njeri pas tjetrit u përgjegjën me “jo!”:

Ceni: as në andërr,s’e kam pa veten teme,

kryeministër.

Agroni:  ç’ne! Unë minister?

Nasi për një çast heshti pastaj tha: as unë.

Pali: ç’ka di veta! Veç në torno di me punue.

Zefi: tan kohën e lume kam drejtue veç kamiona „Zis“ ndër zalle lumejsh.

Prokurori kërkoi fjalën përsëri e derdhi breshëri  akuzash e pyetjesh, sidomos ndaj  kryeministrit, pa harruar se në emër të kujt fliste:„parti, popull, pushtet, ligje, drejtësi etj…“

-Na thuaj i pandehur, sa mbledhje të këshillit të ministrave keni zhvilluar? Kush diskutoi?  Ç’vendim morët për grushtin e shtetit?

Ceni, sa nuk qeshte me këto akuaza  e pyetje.

Rudi në heshtje e qortonte:”ç’qesh o i gjorë! Akuza të tilla të dërgojnë lidhur para togës së pushkatimit.“

Kur prokurori ngrinte zërin edhe më, i akuzuari mblidhte mendjen e zbehej. Djemtë e tjerë, duke mos qenë të njohur me seanca gjyqësore, e ndërprisnin shpesh shokun Teli. Shoqja Sandra përmendej dhe me të drejtë vendoste  rregull e qetësi.

Ndërkaq Rudi pyeste: „me gjithë mend e kanë këta juristë nga jugu, që ngrefosen përballë punëtorëve të lodhur, me defterë e stilografë kinezë në duar? Mos është kjo,posi loja me luftë para një jave në Kombinat, me alarme e sulme aeroplanësh me bomba atomike?“ Mesa i kujtohej, në raportin e luftës shkruhej: drejtori u plagos.Komandën e mori zv.drejtori. Sanitarët e mbartën drejtorin me barelë në spital-strehimin, ndërtuar me çimenton e prodhuar në fabikën e çimentos me forcat tona. Shefi i furnizimit u vra. Shefit të planit iu shtua dhe detyra e furnizimit. Punëtorët-ushtarë luftuan trimërisht me mitrolozë mbi taraca, çati e buzë lumit. Disa dhanë jetën me partinë në gojë. Armiku nuk pati më guxim të vijonte më tej sulmet pirateske. Kombinati shpëtoi me pak dëmtime. Fabrikat punonin, norma tejkalohej e plani realizohej.” Kështu ishin këto lojëra. Mos vallë në sallën e klubit po ndodhte diçka e ngjashme?

Nasi, i caktuar ministër i brendëshem, ndërsa po pyetej, ndërroi mendje, duke pranuar gjithçka. Befas iu morën mendt e u shtri me atë trup të shëndoshë drejt e në dysheme. Prokurori me dorën drejtuar poshtë, i mëshoi zërit edhe më:

-Shihni, ç’ministër kanë caktuar!

Një nga dëshmitarët, flok-kuq e verdhacuk, fliste shtruar. Nuk zbardhej, por as nxihej, me sajime e kallxime ndaj shokëve.

Rudi vuri re se proçesi gjyqësor po zgjatej si shumë me çështje transporti ndaj mendohej: “përse kryetarja paska zgjedhur kombinatin tonë, që s’ështe as uzinë traktorësh e tankesh, as park dhe as ofiçinë veturash? Veturë ka vetëm drejtori.”

Shoku Teli, sipas rregullit kërkoi nga trupi gjykues dënimin e tyre si fajtor: për kryeministrin 15 vjet me heqje lirie dhe për çdo ministër 5 vjet. Pas tij hynë në valle fajtorët pa faj e pa avokat, me kërkesa të kota për pafajësi. Trupi gjykuesme dosjet mbi tryezën e gjatë me shoqen Sandra në krye, ngritur më këmbë, pas përgjumjes, i quajti fajtor  sipas ligjit të njohurn.55, për agjitacion e propaganda, Vendimi: shtatë vjet heqje lirie për të gjithë, me përjashtim të ministrit të  brendshëm, i lirë me kusht.

-Ky vendim – tha kryetarja- është i formës së prerë.

Rudit iu kujtua një përrallë me Nastradin, Padishah e me vezir në gjyq. Kadiu pas akuzash të rrepta, kërkoi nga Padishau i përgjumur dënimin e një farë filozofi, kockë e lëkurë, të quajtur Risili, me njëzetë goditje kamxhiku në prapanicë.

 

***

Rudi i ngritur në këmbë edhe ai tok me të tjerët, pyeste në heshtje kryetaren: “Po me grushtin e shtetit ç’u bë? Po qeveria? Mos vallë trupi gjykues harroi?” Iu duk sikur perdet e skenës, ashtu si në teatrin tragjik, nën breshërinë e duartrokitjeve, po uleshin përvajshëm.

Në rreshtat e para shquhej shtati i lartë dhe i hollë i Rudit, ndryshe nga shoqja Sandra, e shkurtër, por e bëshme. Tek po dilte Ruditiu kujtuan shpikësit e dëgjuar të makinave dhe fliste me vete: “askush s’duhet të habitet me  ligjet tona  aq shkencore, që me të drejtë kërkojnë të mbyllet goja për shpikjet e tyre.” Ndërkohë Këshilli i Ministrave me Kryeministrin në krye pak javë më parë kishte marrë një vendim të jashtëligjshëm. Disa vetura çeke të mbetura parqeve, ua dhanë qytetarëve me çmime të caktuara nga lartë. Shumë djem vrapuan dhe i blenë pa ngurim. I ringritën menjëherë dhe u sulën me hare jashtë qyteteve. Një ditë, nuk dihet se kush, dha një kundër-urdhër. Veturat u ngujuan në oborre shtëpish për kotece pulash. Natyrisht si përherë, vetëm kuadrot kryesore, pas mundimesh në zyra, plenume apo mbledhje, duhet të shlodhen ndër vila pranë detit. Të shetisin me vetura nëpër atdheun tonë të bukur për të mirën e të cilit u del gjumi natën. Njeri drejt veriut, tjetri për në jug. Në ato orë vargu i gjatë i policëve në rrethe me radio në vesh, shfaqej  buzë xhadeve të cilat duhet të jenë të qeta e pa rrezik për jetën e tyre. Si mund të jetohet pa ta?”

 

***

Juristët e shtetit, të përcjellë nga drejtori e sekretari i partisë, u hipën veturave të përfolura . Të mbështetur  qetë në ndenjëset e buta  u larguan nëpër rrugën me baltë e gropa. Prapa  nxitonte me zhurmë Xinfu-ja-burg. Në ato çaste shkrepi rrufeja. Si mallkim,  qielli bubulloi. Shiu i imtë u kthye në rrebesh. Nëpunësit  e ndërmarrjes së madhe, të prirë nga drejtori e sekretari u sulën për në ndërtesën me dy kate e shumë dritare  të drejtorisë. Punëtorët vrapuan për në reparte, ndërsa ata të ndërmarrjeve të tjera, mbërritën me një frymë në autobusin “Shkodra.” Nëpër  retë e nxira të ulura poshtë,  tymi i zi i fabrikës së çimentos që ngrihej lart e shpërndahej në lagjen pranë, thuajse nuk dukej.

 

***

Prokurori i shkathët, kur dikush nga fisi i vet ra nga fiku, u emërua magazinierzhavori  jashtë Tiranës. Në kohra lirie, punoi avokat e mbronte mafiozët. Jo vetëm kaq, si i përndjekur, pas vitit 1997, u zgjodh anëtar i Këshilliit të Lartë të Drejtësisë.

Historianët e ndonjë shkrimtar i plakur këto histori i dinë më së miri, por nuk shkruajnë, se u është mbaruar boja. Kur takohen, nuk thonë asnjë fjalë për to, qajnë hallet për librat e tyre, që s’i prek me dorë askush e psherëtijnë për fatin e fabrikave gërmadha tok me oxhaqet pa tym.

————————-

 

BLETET,  MJALTI, ARIU  DHE NJERIU

 

Lart  në krahun e majtë  të rrugës që merr përpjetë për në Parkun e madh, në një sop nga duket liqeni dhe kodrat përballë, janë dy stola të drunjtë. Aty ishin ulur tre burra të thinjur, Nasi, Xakja, dhe Rudi. I pari  tregoi gjatë e gjerë  rreth  trimërive të tij kundër italianëve, i dyti për heroizmin e vet, kur pas ndeshjes  trup me trup me  gjermanët ua përdridhte qafen  dhe i verviste tutje në hedek. I treti, ishte kundër luftës, megjithatë dëgjonte me  vëmendje e buzëqeshte.

Papritur  mbi ta kaloi duke zukatur një grenxë e verdhë. Dy trimat u trembën e ulën kokën.

Rudi  e pa tek u ul mbi një gur pranë tyre, pastaj fluturoi e zhduk.

-Ai insekt grabitqar – tha- të pickon edhe e pa e trazuar.

Në ato çaste iu kujtuan bletët  fisnike e punëtore, ndaj  nisi të  fliste  për  mjaltin, për ariun e njeriun.

-Dikur  bletët jetonin në pyje maresh plot me lule. Foletë i ndërtonin nën tokë si milingonat ose në humnera si shqiponja! Këto soj bletësh trupin e kishin. më të madh. Fshatarët i quanin brumbuj. I pari që pat shijuar mjaltin e tyre ka qenë ariu i murmë.  E kam parë me sytë e mi, kur bridhja pyjeve me çifte në dorë. Pas ariut u mësua edhe njeriu, por ky më i zgjuar se ariu i zbuti dhe i strehoi në zgjoje

-Si shumë guximtar paske qenë– tha Nasi i habitur.-. Deri më sot  s’më ka qëlluar të shoh ari që ha mjaltë.

-Vertetë, çuditem dhe unë- shtoi Xakja – Jo vetëm kaq. Kohet e fundit si shumë i ditur po na del. Në çfarë librash  ke lexuar histori të tilla

-A keni qenë ndonjëherë në fshatin Shinovlash të Elbasanit?

-Unë njoh vetëm Shinovlashin e Durrësit- tha  Nasi.

-Edhe unë- vijoi Xakja.

.  -“Mjalti si mjalti“-thonë në atë fshat malor.  Akeni nuhatur eren e luleve të mareve? Po  kokrat  e kuqe i keni shijuar?  Po rakinë prej tyre?.

-Maret po,  ndërsa  rakinë jo – u përgjen njeri pas tjetrit, dy miqtë e tij..

-Nëse kthen një gotë  raki mare, përvëlohesh, hëngre mjaltë prej luleve të tyre, bëhesh esëll dhe shërohesh. Tani po deshet dëgjoni një tregim të shkrimtarit Isuf Kodra, botuar në revistën “Flaka.“

-Mirë, na e trego, – tha Nasi-por mos e zgjat më tepër se shkrimtri.

-„Në një fshat nën hijen e Tomorit, na ishte një ertef. Ky Përtefi, na qenkej pak si hamës ëmbëlsirash. Qysh në kohën e gjermanëve, kur nuk pat mbushur  edhe dymbëdhjetë vjeç,  i pëlqente mbi të gjitha, mjalti i bletëve.  Në atë kohë lufte, ai me shokë ruate dhitë e fshatit në pyjet me mare. Pa pritur  nëpër livadh pikasnin  vendin tek brofnin e fluturonin lart bletë të egra. Gërmonin lehtë e gjenin nën tokë foletë e tyre.  Merrnin  mjalt ne hoje e kënaqeshin me pak. Pastaj e mbulonin me kujdes me degza drurësh, me gjethe e tokë të butë për vitin e ardhshëm.

Pas luftës, Pertefi u rrit e na u bë drejtues i rinisë. Ke parë ti? Sado u lodh nëpër fshatra, pyet këtu e pyet atje, hë në një shtëpi, hë në një tjetër, megjithatë për drekë a darkë, i shtronin vetëm dhallë e supë me grosh e pak bukë. Mjaltë asgjëkundi. Në mëmgjes ngrihej i mërzitur e ia mbante për në fshatin  tjetër. I pat e rën në vesh se mjaltë të mirë nga bletë zgjojesh kishin kulakët, por Pertefi as në hijen e manit nuk u qasej, se syri sheh e lajmi fluturon në Komitet. Po ndërgjegjja? Kjo ia shtonte më tepër mërinë ndaj  kulakëve .

Një ditë prej ditësh, djaloshi ra në mjaltë. Në një fshat të humbur,  në shtëpinë e Kapo Sadushit, i shtruan  pëpara një poçe me mjaltë dhe pak bukë. U gëzua Pertefi sa s’ka. Ha e ha me lugë druri saqë bukën e harroi. Djali i vogël i shtëpisë, ulur përballë, e vështronte tek mbushte lugën, e kalonte ngadalë midis buzëve, i lëpinte me gjuhë e kënaqej.

Kur mjalti  në poçe po mbarohej.- Pertefi pyeti.

-Or çun- – sa mjaltë keni marrë këtë mot nga zgjojet?

-Tre qypa, dy me mjaltë nga zgjojet, një të vogël me mjaltë bletësh të egra.Te voglin babi e ndau veçan për miqtë.

-Vërtet?

-Po! Po! Sepse babi në qypin e vogël pardje në mëngjes gjeti një mi të ngordhur.

Pertefi sa s’ulurti. I zemëruar sa s’ka, lugën e flaku tej, ndërsa  poçen e përplasi në mur. Pastaj nuk u ndje mirë, i vinte  për të vjellë.

Çuni brofi në këmbë dhe vrapoi duke thirrur

-O babi! O babi! Ai miku e theu poçen e këlyshit!“

* * *

Rudi e mbylli revistën:

-Me kaq tregimi  i shkrimtarit tonë mbaroi, veçse unë di histori më të gjata me ujkun e uritur, që pasi ulurinte natën, linte pyllin e sillej rreth shtëpive e staneve pa bagëti. Erdhi një kohë kur ai i gjorë ose kaloi kufirin ose u zhduk. Tani çohuni se po afron dreka. Na presin gratë në shtëpi.

 

 

DHIMBJA DHE FARMACISTJA E BUKUR

 

Një mbasdite maji, tre shokë të ngushtë, Nardi, Miri dhe Lani u takuan pranë Sahatit të madh të Tiranës. Dy të parët qenë fejuar para tre muajsh, i treti për shkaqe qarkullimesh larg qytetit, kish mbetur beqar. Pasi kaluan nëpër turmën që endej në bulevard poshtë e lartë, shkuan në farmacinë, pak më tej sheshit Skenderbe, jo për barna mjeksore, por të  shihnin nga afër një nga farmcistet e hijëshme që punonte aty.

Të tre pa e zgjatur hynë brenda pa u ndjerë.. Për çudi në atë orë, nuk kishte njerëz në radhë. Ecën pak,  hodhën sytë përqark në raftet e bardha me shishe ngjyra-ngjyra, pastaj prekën me duar tryezën e gjatë e kthyen vështrimin drejt farmacistes. Në ato çaste ajo po merrej me shqyrtimin e disa recetave. Kur ndieu  hapat e tyre, ngriti kryet dhe pa. Lani u  hutua  e u mahnit nga pamja e saj. Fjalët iu mekën, ndaj  në vend të tij, ndërhyri Nardi  i shkathët si përherë:

-Mirëmbrëma  shoqe!

– Mirëmbrëma… Urdhëroni. Çfarë dëshëroni?

– Si mjek i ri më bën përshtypje rregulli  dhe pastërtia. Shoh se nuk paska radhë si në dimër.

– Faleminderit doktor. Për sa thoni keni të drejtë.

Nardi pa e shtyrë  më tej bisedën, pa pritur e pyeti:

– Më falni shoqe, beqare jeni ju?

– Jo, jam e fejuar- u përgjegj  farmacisja në të bardha, me një buzëqeshje të lehtë…

Në ato çaste aspak të këndëshme u hap dera dhe hyri me vrull një djalosh. Nuk priti Nardin të mbaronte fjalët, por u fut në mes. Si duket i befasuar nga bukuria e farmacistes dhe i munduar nga ndonjë dhimbje e mprehtë, sa s’thirri. I turbulluar  e sikur po lutej tha:

-O shoqe, pash Zotin, më jep një dhimbje për hapje koke!

Nardi, Miri e Lani për pak sa s‘ia shkrepën gazit. .Meqenëse nuk mund të rrinin  më kot aty,  përshëndetën e të tre kokulur dolën jashtë .

Lani  i heshtur e i mërzitur,  për pak  sa s’u kthye me vrap në farmaci e të lutej: „zonjushe, më jepni një hapje për dhimbje koke!…“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *