Himni i Nënë Terezës

DEDAJ NDUE,1NDUE DEDAJ

  1. Shqiptarët takohen përditë me Nënë Terezën, ashtu si të iluminuarit e saj nga e gjithë bota. Është një ritual që nuk do të pushojë asnjëherë. Figura të tilla tokësore-hyjnore i kapërcejnë përmasat e besimit fetar që u përkasin. 4 shtatori 2016 shton një datë të re në kalendarin e njerëzimit, kur Selia e Shenjtë, me shenjtërimin e së Lumes Nënë Terezë, konfirmon mrekullinë e ndodhur mbi një grua të sëmurë indiane, shëruar nga lutja dhe duart e bamirëses shqiptare, e para shenjtore e kësaj kombësie. Shenjtërimet nuk janë diçka e shpeshtë në asnjë kohë, ato janë ngjarje në tokë.

Dhe shqiptarët, si të shtëpisë së misionares shpirtbardhë, janë të përkushtuar që festa të ketë shkëlqimin e merituar. Më 3 shtator, në Vatikan do të jepet një koncert nga emra prestigjiozë të artit dhe sportit shqiptar, kryesuar nga Inva Mula, me pjesëmarrjen e Ermonela Jahos, Saimir Pirgut, Shkëlzen Dollit, Rita Orës etj., por dhe të Lorik Canës e Majlinda Kelmendit, pa munguar asnjëherë biografi eminent i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, njeriu që ka thurur si një gërshet jetëveprimin e saj të pazakontë.

Boshti i koncertit do të jetë Himni i Nënë Terezës. Nënë Tereza u lind në Shkup më 26 gusht 1910, kur po përgatitej të lindej dhe shteti shqiptar. Në shtator 1928 nis jetën misionare në Irlandë dhe vetëm një vit më pas, në dimrin e vitit 1929, mbërrin në Kalkutë, për ta rilindur atë komunitet të varfër e të sëmurë e për t’i dhënë emër në të gjithë rruzullin. Më 1950 krijon “Misionaret e Dashurisë”. Vjen në Shqipëri, djepin e të parëve, në vitin 1989 dhe më pas.

Shuhet me 5 shtator 1997. 88 vjet pas fillimit të misionit, ngjitet përjetësisht në qiell, me shenjtërimin këtë fillimshtatori. Nënë Tereza qe lumturuar 13 vjet më parë në vitin 2003. Kongregata e saj sot numëron 4000 murgesha, në 730 shtëpi bamirësie, në 123 shtete të botës, që janë dhe “ambasadat” e saj, aq sa të një shteti. Mbase asnjë personazh i kohës sonë nuk do të mund të rrugëtojë më gjatë se Nënë Tereza, në të gjitha vendet e në të gjitha kombet, sot dhe në motet që vijnë. Njerëzit nuk do të lodhen asnjëherë duke e fytyrëzuar veten dhe kontinentet me këtë shenjtore me famë planetare.

Ata nuk duan ta mitizojnë Nënë Terezën, por ta kenë përpara si udhërrëfyese në jetë. Një aktore e moshuar kosovare shkruan se qysh kur ajo pati takuar murgeshën e shquar në Prishtinë në vitet ’70 kishte pasur një tjetër sjellje ndaj njerëzve, veçanërisht ndaj atyre në nevojë, në botën e saj shpirtërore kishte lëvizur diçka që lidhej me dhembshurinë për skamnorët, më e pakta “t’iu buzëqeshja atyre, çka ishte falas”. Ky është dhe kumti i lutjes së pambaruar nënëtereziane në këtë planet, që njerëzit të mund ta duan më shumë njeriun e margjinalizuar nga fati dhe rrethanat sociale.

Pa Nënë Terezën zor se do të ishte themeluar doktrina europiane e mbështetjes së njerëzve në nevojë. Ajo i dhuroi botës jo thjesht bamirësinë e një murgeshe, as vetëm shtëpitë e saj misionare gjithandej rruzullit, por filozofinë e dashurisë për njerëzit me aftësi të kufizuara etj. Deri atëherë shtetet, qeveritë dhe shoqëria civile nuk e kishin një strategji dhe kuadër ligjor efikas për kujdesin social, shkollor, institucional ndaj njerëzve me nevoja të veçanta.

Gonxhe Bojaxhi kapi momentin, krijoi “urdhrin” global të bamirësisë dhe ia transmetoi atë njerëzimit, i cili e kuptoi se nuk duhej të vonohej më me këtë strategji, që do të thoshte shërbesë e përvutë ndaj njeriut në zgrip të jetës. Prandaj nderimi për Nënë Terezën nuk përfundon as me shenjtërimin e saj. Ajo kreu revolucion në ndërgjegjen e shekullit XX, duke u thënë të fuqishmëve, pasunarëve, udhëheqësve, yjeve të skenës dhe ekranit: ndaluni dhe ktheni kryet këndej nga periferia, ku vlon mjerimi, sëmundjet dhe leprozët. Ajo e sendërtoi këtë kauzë dhe të gjithë iu përulën asaj. Nënë Tereza është duke u shenjtëruar, sepse është vërtetuar të paktën një mrekulli e kryer prej saj, por ajo ndërkohë kreu “mrekullinë” e triumfit të dashurisë mbi mëshirën.

  1. Nënë Tereza tashmë është bërë fjalë, pentagram, bronz. Nuk është e rastit që bota vazhdon ta ketë për zemër si asnjë figurë tjetër globale, por se ajo kërkon ta ketë shëmbëlltyrën e vet, t’i ngjajë gruas së shenjtë me trup të vogël e shpirt të madh, duke u bërë më e përshpirtshme. Kishte pasur jo pak figura humaniste rajonale, por asnjë që të ngjitej në përmasat e saj për nga bamirësia e ngritur në sistem. Prandaj sot kudo bëhet diçka përnderuese për engjëlloren që krijoi mitin e saj në Indinë e largët e gjithkund tjetër. Në dheun e të parëve, Shqipëri e Kosovë.

Në Maqedoni. Në Itali. Në Gjermani. Në Detroit. Në Brazil. Njerëzit janë me Nënë Terezën në fluturim, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, në Prishtinë ku ndalen para shtatores së saj për të marrë bekimin, nëpër autostradën shqiptare nga Tetova në Gostivar, në shtetin e Maqedonisë. Qytetërimi modern e ka “shuguruar” Nënë Terezën me Nobelin e Paqes të vitit 1979, duke u bërë asokohe figura më popullore botërore dhe duke u pritur me atë rast në kancelaritë më të larta të shteteve. Siç e ka fytyrëzuar dhe në poezi, këngë, dokumentarë, buste.

Dy vitet e fundit ka pasur disa sheshe europiane që u ka dhënë emrin. Një bust i bronztë i Nënë Terezës është vendosur në qytetin Singen të Gjermanisë, në një park të hijeshuar të spitalit të fëmijëve. Një tjetër bust në qytetin i Torinos në Itali, në parkun me emrin “Nëna Tereze”. Qershorin e kaluar, dy ditë para shtegtimit apostolik të Papa Françeskut në Sarajevë, u bë përurimi i shtatores së Nënë Terezës atje, sponsorizuar nga shqiptarë që jetojnë në Detroit.

Në fillim të korrikut, në Rio De Zhaneiro u përurua shtatorja e fundit e Nënë Terezës, ku mori pjesë dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Mbi 200 milionë katolikë mësuan me këtë rast se shenjtorja e fundit ishte shqiptare. Ai që do të jehojë në shqip e anglisht është dhe Himni kushtuar Nënë Terezës, paraqitur për herë të parë më 5 shtator 2015, në Ditën Botërore të Bamirësisë në Prishtinë. Sopranoja e njohur Inva Mula, e cila interpreton këtë himn, përmes një videoje promo, kishte ftuar gjithë shqiptarët të bëheshin pjesë e kësaj feste të madhe.

Për të interpretuar himnin ishin bashkuar artistë të njohur nga trevat shqiptare, si dhe kori i filarmonisë së Kosovës. Teksti i himnit është poezia “Lamtumirë” shkruar nga vetë Nënë Tereza, gjatë kohës kur largohej me anije për në Kalkutë. Brenda rrobës së saj prej murgeshe katolike ishte poetja e shumë vargjeve, që mbartin mesazhe universale për njerëzit. Kurse muzika është shkruar nga një i afërm i saj, Lorenc Antoni. Sipas ideuesve dhe realizuesve të këtij Himni, çdo manifestim që do të bëhet në botë, kushtuar kësaj figure, do të shoqërohet me tingujt e këtij himni.

E vetmja figurë botërore me një himn të vetin. Dhe kjo është një shqiptare, me origjinë nga Mirdita. Nënë Tereza është pasaporta identitare e gjakut arbëror. Përmes saj ne jemi faqebardhë para botës për bamirësinë, tolerancën, paqen. Kësaj bote diverse që, deri më sot, nuk ka pasur një tjetër grua si ajo në fronin e një “mbretërie” humanizmi ngritur mbi skamjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *