Shenime kritike per botimet e reja te Flutura Açkes dhe Reshida Çobes

A. MONDA MOISIUNga Raimonda Moisiu

 

Shpirti nuk gjykohet……

 

Esse analizë rreth vëllimit poetik, “Ftesë për Flirt” e  autores Flutura Acka

 

Shkruar nga Raimonda MOISIU

 

Ambicioze dhe e mëncur, e palodhur, e qëndrueshme dhe e papërkulur, ajo është gjithmonë, në kërkim të njerëzores dhe së bukurës. Së bashku me talentin e lindur, aftësitë gjeniale dhe shpirtin krijues, e kujdesëshme deri në skrupulozitet, për të portretizuar qëniet njerëzore, përvojat dhe të vërtetën jetësore, atë  humanen të prekshmen e patundëshme, herë pesimiste dhe herë optimiste,  kurajoze dhe dekurajoze, forca e saj ideore nga përmbajtja e detajizimitthellësisht, filozofike, sociale dhe letraro-artistik, analizë e hollësishme e ngjarjeve dhe fakteve, problemeve të mprehta të dramës sociale,  që karakterizojnë veprat e shkrimtares dhe poetes, Flutura Acka,e kanë shndërruar atë, një nga shkrimtaret më të  rëndësishme dhe me emër në letrat shqipe. Dhe jo vetëm kaq! Edhe më tej gadishullit Ballkanik. Autore profilike e një sërë romanesh dhe vëllimeve me poezi, e vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare, në karrierën e saj mbresëlënëse,  të gjatë krijuese letraro-artistike dhe dokumentare, Flutura Acka, na ka dhënë gjithcka nga talenti dhe shpirti krijues i saj. Me vitalitetin e saj krijues, në veprat realiste të Ackës, fokusi kryesor është sfondi jetësor e njerëzor në kulturën e një kombi, me marrëdhëniet midis burrit e gruas, jetën e brendëshme të grave dhe vendi i tyre në shoqërinë moderne. Në një epikë dimensionale dhe të guximëshme, studiuese,  dhe me një skedar të gjerë letraro-artistike dhe  dokumentar, e mirëvendosur në një tjetër galaktikë; midis  dialogut intim dhe shoqëror, romantizmit dhe njerëzores, midis  identitetit dhe rolit të tij,  midis brezave dhe kufirit të ngushtë të thyerjes së brezave, fëmijës e prindit, vetes dhe të tjerëve që e rrethojnë, midis botës shpirtërore  të brendëshme dhe asaj të jashtëme,  vdekjes dhe radiografisë së shpirtit të dhimbjes e të mbijetesës, të dashurisë dhe intimitetit të shpirtit, të kaluarës e së tashmes, për t’i hapur udhën e shpresës dhe jetës, -individuales, kolektives dhe gjithësisëme vështrimin kah e ardhmëja. Me fjalë të tjera, Acka hyn në rolin e psikologes dhe sociologes, historianes e analistes, duke qenë e lirë, me brishtësinë dhe sinqeritetin e saj eternal dhe universal të shpirtittë lirë, që  kurrënuk gjykohet! Krijimtaria e saj si në prozë e poezi, konsiderohet dialog shumëdimensional e gjithpërfshirës mbi tema të rëndësishme të kohës që jeton, në madhësinë e interesave të saj dhe të përfshirjes të vetë autores në  bashkëbisedimin letraro-artistik,  interpretuese e ndjenjave dhe mendimeve njerëzore, të cilat mbartin mjeshtërinë  aristike, lirike e filozofike që më shumë ndjehet sesa shprehet, duke e bërë prozën dhe poezinë e saj me një feminitet të këndshëm, metafora të goditura, plot dashuri e dhimbje.

“Ftesë për flirt”, titullohet libri me poezi, i shkrimtares Flutura Acka, i sapo dalë nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, Tiranë, të cilin autorja ka zgjedhur të mos e ndajë në kapituj respektivë, por i ka mirëvendosur poezitë,  si një poemë e tërë. Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi poetik, del në konkluzionin se titulli “Ftesë për flirt”, është alegorik dhe unik, i cili merr kuptimin e dyfishtë në tërësinë e tij. Në të përditshmen njerëzore të gjithë “flirtojmë” në mënyra të ndryshme, sepse edhe vetë jeta lind nga flirti, gjallohet po nga “flirti”, dhe ecën me kohën e për kohën, po nga flirti. Ky lloj dualiteti alegorik, është metafora joshëse  dhe elokuente  në kufijtë e meditimit dhe të dialogut, që autorja eksploron testamentin e shpirtit të lirë dhe të besueshmërisë në lirinë e vetëreflektimit shpirtëror, manifest femëror, qytetar dhe intelektual në kërkim të bashkëkohores. Poetesha Acka, nëpërmjet penës poetike dhe vargjeve lirike,  refuzon rolin e viktimës në dashuri, jetën social-politike dhe në art, duke thyer heshtjen dhe tabutë, pranon të “flirtojë”me misionin e gjallimit të jetës, si pjesë e së tërës, universit njerëzor e shpirtëror dhe dukurive të tyre psikollogjike: “Fjalë erës i them, puhisë fëshfërimë,/E pagjumë ëndrrës pres të vish,/Portën hapur e gjen, shpirti im,/Botën ne ta harrojmë dashurisht.” (poezia “Dashurisht” f.22).

“Ftesë për flirt”, nuk është vetëm ftesa për pasion apo intimitet biollogjik, por është;“ftesa për të biseduar” lirshëm me vitalitetin dhe intimitetin lirik e një shpirti të trazuarnë harmoni me kontrastet shoqërore, forcës sociale, ngarkesës emocionale  dhe psikollogjinë e saj.

Pra, poetja Acka “flirton” duke iu gëzuarreales  dhe emocionit të castit, duke i dhënë frymë poetike ekzistencës njerëzore, besimit në të vërtetën e sfidës e dashurisë për jetën e me jetën. Realistedhe moderne, ironike dhe dramatike, me ndjenjë e ngrohtësi, mall e brengë, brishtësi femërore,  ironi e sarkazëm, e vetëdijshme dhe e guximëshme, qytetari dhe inteligjencë, autorja “flirton” ndjeshëm, me lirizëm të hollë, ton historik dhe atdhedashuri, social dhe kombëtar. Acka ndjehet tejet koncize dhe e vetmuar duke ofruar në mënyrë paralele një sistem vlerash sociale, filozofike, historike, lirike dhe atë erotike,  në  diagramën e dramave të vogla e të mëdha në të përditshmen njerëzore.

“N’kullën e rrnueme prej ikjes,/Prej zanash,/Prej frymësh,/Prej ahtesh,/T’panjoftun,/Numuroj ushtarët e betejave të andrrës,/Përdit,/e sillem si gur shpatit,/Si gogël e humbun,/Natyrës së pasosë,/Unë hici,/Në rropamën e gjamës,/Një Atdhe të pamujtun,/Për fminë,/Për shtratin/Për vorrin,/Kërkoj./Por Atdheu më shklet, Si ranë e imët gishtash t’pabindun të rrinë bashkë,/Si uj i rrjedhun prej birash,/Ku streha unjët nga vitet,/E mban zorit muranën e lashtë,”(Poemth, Kang Gegnisht, f.63)

Në tërë konceptimin e vargut poetik dhe fizionominë e tij, Acka sintetizon motivet kryesore me ndjeshmëri të lartë dhe  koloritit të pasur figurativ në poezi, që nga romantizmi brenda mendimit mbizotërues të poezisë moderne, deri në motivimin e luftës për jetën e mbijetesë në hapësirën e boshtë të farsave dhe mureve socialë, e palodhur në kërkim të vazhdueshëm të një bote ndryshe, nga ajo e padobishmja dhe e pavlerë:

“  Kuku, Atdhe,/N’dor t’kujt ke mbet,/Me mbet Atdhe!”Acka shfrytëzon  ndjeshëm mjeshtërinë e vet artistike me mendimet dhe idetë thellësisht filozofike, të rrënjosura këto në imazhe konkrete, vizuale dhe simbolike, me  stil  mbresëlënës dhe kuptimplotë, që i mbart të dyja: të shprehurin e një shpirti të lirë dhe  kontrastet e dy aspekteve në virtuozitetin e poezisë, për vështrimin e ngulur e  të patundur  prekës, drithëronjës dhe mallëngjyes të poetes,  në kufijtë e të pamundurës. Gjetjet e goditura të fabulës së poezisë, episodike dhe estetike janë karakteristikë e persionalitetit krijues të vetë autores, kontrasti midis realitetit dhe fantazisë, se si në  të vërtetë janë gjërat dhe  se si ne i perceptojmë ato të jenë.

“ Vitesh,/nuk e ndala dot,/blojën e madhe të  shpirtit,/që më endet botës,/kahmos, si kaike./Atdhe, shpesh t’i ndjej poplat,/mbi shpinë, e në kryet, që i ul durimshëm.” (Poezia “Atdhedashuri”, f.70)

Pavarësisht forcës së atdhedashurisë, që dominon në shkretëtirën e një bote të egër e të padrejtë, Acka “flirton”me  “blojën e madhe të shpirtit”,-incidente  dramatike natyrore të jetës, por që  është ende; “eshtra jote, diku në terrina”, të cilat  ekzistojnë mes trupit dhe shpirtit, reales dhe mitikes, qetësisë dhe lëvizjes, dhe “më trembin me miopi mizore” –shprehet poetja.Me stilin e saj karakteristik për të paraqitur të kundërtat, Acka zbulon varësinë e natyrës me perceptimin e shpirtit të lirë dhe syrin e vizionit poetik, për t’i dhënë kuptim e vlerë, Atdhedashurisë: “Zër vend,/në do të jesh një formë,/një përmbajtje,/një kuptim,/një ngjyrë,/një njollë”, –po aq sa edhe përfytyrimeve të aftësive njerëzore, dhimbjes e  lotëve që derdhim në heshtje, dhe na japin forcë për të përballuar shpagimin, të cilat dalin nga koha e frikës e tragjedisë, vuajtjes e trishtimit: “ Unë hesht,/por edhe të hesht marr shpagim”! Sa bukur poetja komplikon dhe humanizon në poezinë “Atdhedashuri”!

Në  një nga poezitë e saj më të mira dhe e trishtë, e titulluar“ Vdekja e fqinjës”, ku Acka, nëpërmjet metaforave, legjitimon  melankolinë dhe trishtimin në një të  vetme në vazhdë të perceptimit të origjinalitetit dhe ngjasimit të castit kalimtar trishtues,  meditimit dhe dilemës:“Dorëzuar engjëllimit,/ti ve grimin e fundit të përkories njerëzore,/dhe e pret pa pendesë gjykimi./Tani në shpellën e madhe,/mësuar t’i themi,/apartamenti yt, shpellon vec heshtja.”

Hipoteza metaforike e Ackës përforcon stilin e saj karakteristik dhedialektik,  në përpjekje për të shtjelluar qartë e mirë, marrëdhëniet mes realitetit të gjërave  dhe kuptimit të tyre, gëzimet e hidhërimet e të përditshmes njerëzore.  Acka kontraston dy mënyrat; zbulesën, nën petkun e vdekjes;  “ Askush tha në vdiqe e bukur,/e bukura ime,/Askush tha në vdiqe e heshtur,/e heshtura ime.”, -dhe shmangjes hedonistike të saj. Një grua ka vdekur dhe duhet të tregojmë dhëmbshurinë e mirënjohjen njerëzore. Me stilin e saj të gjallë aforistik, plot talent, mjeshtëri artistike dhe  thelbin filozofik të psikikes, poetja,  nën lëkurën poetike, na jep thelbin e jetuar të një jete dhe   ballafaqimin e realitetit të saj dhe përvojave jetësore; mungesën, dhimbjen e shpresën,  dukshëm në kërkim të normalitetit brenda shpirtit dhe ekzistencës njerëzore, bërthamën e kuptimit mes jetës e vdekjes;“Fytyra jote nën qelqe, përcjell një qeshje ironike,/që sfidon shpërfilljen botës së madhe,/që nuk e diti se,/ëngjëjt, ndonjëherë, janë edhe të gjallë,/dhe pret pa pendesa gjykim,” Poetja e koncepton botën e vet me forcën e vargut. Vargjet poetike në poezia “Vdekja e fqinjës”, deklamojnë idetë dhe lidhjet  dialektike mes njerëzve dhe natyrës, evoluon zërin lirik, retrospektivën erotike,  shpirtëroren e psikiken, metamorfoza të  jetës këto, që janë edhe  karaktëristikat  e stilit poetik të Ackës. Zëri i saj poetik modulon nga më e thjeshta e naivja, deri te tërësia e kompleksiteti i një bote të cuditëshme, por që Acka zbulon të vërtetën në të gjitha aspektet e paradoksit dhe ambiguitetit plot gjallëri, mencuri dhe intensitet ironik. Kjo strategji poetike e Ackës,  nënkupton negotacionin delikat dhe meditimin brilant të poetes, shpjeguar farë qartë në vargjet e fundit të poezisë:“ Pragun e ka zënë ngrica,/e dimrit të gjatë të mungesës./Reklamat kapicë do ta mbysin,/pa e ditur kur e kush t’i japë fshesën./Ti qiri i bardhë,/ në laryshitë e kohës që të derdhi vetmi, thurr përhirje intime, të fqinjërimit të njeriut njeri!”, u jep shpjegim karakteristikave të stilit të saj  nëpërmjet gjuhës dhe ngarkesës emocionale, sepse ndjeshmëria shpirtërore është e patjetërsueshme.

Poetja Flutura Acka me mjeshtëri filozofike e artistike dhe solemnitet kuptimplotë, mirëkuptimi, sinqeriteti dhe vendosmëri, bën kompromis me forcën e vargut  nëtërësinë e botës së brendëshme njerëzore  dhe hyjnore,  në të gjitha dimensionet e dualitetit e polaritetit të jetës e vdekjes.

Në vargjet lirikë të poezisë me titull “Dashuri që ecën”,  Acka mediton  forcën  simbolike të natyrës njerëzore dhe shpirtit të lirë, marrëdhnien që përfshin variablat e tyre, dhe vargëzimi i poetes;“ Ti je qenie brenda meje./- funskionon paralelisht me përjetimin e forcës së  dashurisë, emocion i brishtë i clitër, që transformohet në instrumentin e poetes për të materializuar konceptimin e vargut  dhe fizionominë e tij.

“Dashuri, të kisha dashur të ishe, i dashur,/një shumëpërmasë, të të prekja,/Një dashuri në ecje,/një siluetë,/thonj, nerva….qeliza e inde konkretë./Aniprapë,/dashuri je,/mjegull në kufijtë e rejshëm të kërkimit tim,/beft globin e mbylltë të dëshirave të mia.”

Acka nëpërmjet këtyre vargjeve të ndjeshme lirike dhe erotike,kombinon  monolgun e brendëshëm, ku forca  e dashurisë dhe natyra e qëndrueshme e saj me  butësinë, dhimbjen e  trishtë e të brishtë të llojit njerëzor, në varësi të  përjetimevedhe përvojave jetësore të një zemre humane; “Dashuria,/një tokë mes nesh,/ku as vemi,/as e kemi,/C’mbetet tjetër,/janë fjalë,/humbasin,/t’i themi.”,-duke e mbartur atë, dashurinë si shpëtimtaren e botës njerëzore.

“Unë e lexoj pritjen tënde,/Biri im,/në ecejakëne paqetë,/që mësuar të kam,/se i lumtur është kush ka për të pritur./Por Nëna është aty,/më e brishta qenie femër,/me posesionin e saj sentimentesh trazuar,/krijesë e ndërtuar me cudinë e durimit,/bëhet sy.” (Poezia “Pritja jote”, Birit,f.45).Acka transmeton ndjeshëm e me talent energjitë pozitive në këto vargje, duke i ndarë me audienvcën e lexuesve, edhe për faktin se ndjeshmëria e tyre analoge i jep kuptim, simbolit të dashurisë njerëzore, kuptimit metaforik emocional, origjinal dhe njerëzor, se si ne e perceptojmë atë; pra jeta lind nga flirti dhe dhimbjet e lindjes: “ Biri im,/frymës m’i jep kuptim,/e jetën ma dizenjon me dritë,/Burri i vogël që hov maturi,/e me t’bukurat revolta adoleshente,/t’i ikësh, fëmijërisë ti,”–dhe se si ne i kapërxejmë kufijtë e mitit në progres që merr kuptim të ri simbolik njerëzor, Nënë&Bir;“Ti mbetesh Bir, ti Bir,/E të t’vijë era Njeri!”,-që  natyrisht në vetvete këto janë metafora thellësisht njerëzore të gërshetuara me mjeshtëri ndjenjë e dashuri,  artistike dhe filozofike.Autorja flet me ndjenjën e shpirtit, pjesë qelizore e cila shndërrohet në forcë shpirtërore që noton në optimizmin dhe shpresën tek ardhmëria.

Përjetimet, kujtimet konkrete dhe origjinale, që të dyja kanë historinë e tyre dhe për të qenë specifike, Acka, “një grua-limfë”, krijon dicka madhështore, personale, private dhe intime duke e  kryqëzuar historinë e kujtimeve me nostalgji e dashuri: “Kthjellët sonte,/Trieste trandet territ tretur,/nëpër blu./Në Piazza del’Unita,/hapash penguar,/një grua tymiset mes zjarresh adoleshente,/pa e ditur se rinia kohësh ka shkuar./Rrudhat  në pasqyrë turbullojnë ndjenjën,/që koklavitet në rrjedhën e limfës.”Këto kujtime, momenteve të vecanta,  ndjenjave mistike Acka i bën tërësisht pjesë të shpirtit të saj dhe u jep një dimension të ndjeshëm, të rëndësishëm, të pavdekëshme, eternal, dhe të prekëshme; “ Tutje, në kryqet e rrugëve, kujtimet kryqëzojnë krenarinë,/ shtylla, hije,të dikurshmit dashnorë,/në skenën që dhezëllin aktrojnë,/por të vetmuarën spektatore tukequr nga befit,/edhe fryma e tremb.” Acka ka krijuar një klimë intime, ngacmuese  dhe nostalgjike, që  e bën poezinë më të kuptueshme e ndjesore, me fenomenologjinë e përfytyrimeve, duke hedhur dritë në shumë aspekte të përvojave jetësore: “ Në këtë vend historish të mëdha,/nuk po ditke, grua,/as të voglën tënde të mbrosh, ti?!”  –që burojnë së brendëshmi për shkak të moralit të shoqërisë, duke i shfaqur ato mes origjinalitetit dhe fuqisë shprehëse të të kundërtave. Gjithkush gjen veten në poezinë e titulluar;“Kujtimet që kryqëzojnë historinë”, (f. 36).

Vëllimi poetik, “Ftesë për flirt”, është  një vëllim alegorik dhe unik, -vargjet poetike lirike e të cilit shpesh i tejkalojnë kufijtë e traditës dhe forcës së zakonit, arrijnë në nivelin e guximit, heroikes dhe origjinalitetin e tyre, fuqisë sensuale shpreheëse dhe erotikes,  duke sjellë universalen dhe përjetësimin e përvojave jetësore, që eksplorojnë intensitetin e lirisë individuale dhe kolektive, të lirisë së shpirtit dhe ftesës për të “flirtuar” me brishtësinë e intimitetit njerëzor dhe me të gjithë faktorët socialë, historikë dhe psikollogjikë të  aseteve njerëzorë.

“Ftesë për flirt”, është forca e aspiratës substanciale të lirisë së shpirtit dhe mosgjykimit të tij, konkludimi erotik dhe lirik i titullit,  tek i cili  impresionet dhe të shprehurit, poetja Flutura Acka  flirton pa u epur më dashurinë njerëzore, dhe i jep gjithkujt mundësinë për të jetuar dhe kuptuar jetën ashtu si vjen e të ofrohet me misterin eternal të natyrës njerëzore. Dashuria njerëzore mes vedit dhe njerëzve që na rrethojnë, shpëton botën!

 

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Mars 2016,

 

 

 

Flirt i Perëndishëm

 

Esse-analizë e detajuar rreth vëllimit poetik “Flirtoj me Universin”, të  poetes së Haiku-t shqiptar, Reshida Coba.

 

Shkruar nga Raimonda MOISIU

 

Poeti dhe poezia i japin kuptim jetës, dashurisë, respektimit  të botës njerëzore dhe hyjnore , vlerave dhe atributeve qytetare, intelektuale e kombëtare, me integritetin krijues të tyre, që janë  vlera të  domosdoshme në vetvete dhe mbartin filozofinë për jetën dhe me jetën. Botimi  i një libri  me poezi është shpirti mitik i poetit/poetes, është  vigjilja mbresëlënësë me rrjedhën e vetëekzistencës dhe butësinë  e të bukurës, universales,  dhe po aq mbresëlënëse  dhe e vlerësueshme për forcën shpirtërore poetike të mendimeve dhe të ideve, që ndryshojnë botën, me mesazhin e patjetërsueshëm të dashurisë njerëzore.  Për sa kohë poeti/poetja  bën sakrifica dhe përpjekje të guximëshme në artin e të shkruarit poezi,  ai/ajo ndricojnë  botën  e brendëshme, ndjeshmërinë dhe bukurinë shpirtërore të marrëdhënieve të njeriut me imazhet tradicionale të natyrës, njerëzit dhe sendet që e rrethojnë, me temperamentin e natyrës njerëzore, mes  botës natyrore dhe hyjnore, duke i parë ato si ndodhi fenomenale. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në cdo varg, poetja Reshida Coba, pa e ditur dhe njohur atë, zbuloi flirtin e perëndishëm në vargjet lirike të saj; se ishte e dashuruar me Haiku-n. Në një hark kohor të admirueshëm, ajo arriti të botojë dy vëllime me poezi në stilin e Haiku-t, atë të titulluar, “Unë Gruaja R”, dhe   “Flirtoj me Universin”, ky i fundit, i sapo dalë nga shtëpia botuese,- Botimet Nacional, 2016-ë, Tiranë.

Në një vështrim të përgjithshëm mendimet dhe idetë e  poetes  Coba mishërojnë një ndjeshmëri poetike të perëndishme, stil i guximshëm, ndjeshmëri romantike në fluturimin e saj imagjinativ femëror dhe  hyjnor, madhështinë e natyrës, irracionales dhe magjikës, në kërkim të ndricimit nëpërmjet pasazheve të bukurisë shpirtërore e njerëzore dhe intensitetin simbolist që injekton individualitetin sensual, të sinqertë dhe intuitiv të poetes, duke e indentifikuar atë si poete progresive e bashkëkohore.  Reshida Coba është e lidhur fort me temat e  akretipeve, që përfshijnë rrjedhën e evolucionit, që   individë të ndryshëm e përjetojnë dhe e ndjejnë, e mendojnë dhe e respektojnë në modele të ngjashme me  enthusiazmin, forcën e harmonisë  dhe të dashurisë njerëzore, vargje lirike të  frymëzuara me gjithë kompleksitetin e ndjenjave njerëzore si pozitive e negative. Në nivelin metaforik kjo është  liria nga prangat e kuptimit dhe qëllimit të poetes, trillimit e origjinalitetit, se bota letraro-artistike është një metaforë e botës reale njerëzore dhe hyjnore, është flirt i perëndishëm dhe  tjerrja kuptimplotë me  aftësinë krijuese, por e “pikturuar” me sinqeritet e vërtetësi, anë të qenësishme të jetës; mirëkuptimin,sensualen e liriken,  me një feminilitet të këndshëm, jashtë kontrollit të kuptimeve dhe ideve të shumtadhe pakuptimësisë së pashmangëshme të tyre, të cilat e bëjnë poezinë lirikë të  Cobës, që të lexohet me ëndje dhe përfitim të madh njerëzor, femëror, bashkëkohor  dhe dinjitet. Coba është një mesazhiere e lirisë së shpirtit, ajo flirton perëndishëm me universin deri në shenjtëri, me të cilat shpirti i saj frymon nëpërmjet artit poetik, që gjen prehje në hapësirat virtuale të ndjenjave, miqësisë, simbolit, metaforës, kujtimit, romantizmit, nostalgjisë, mallit, ëndrrës dhe dashurisë duke i dhënë impuls jetësor dhe eternal, oazit të botës femërore. Shpesh, poetët, vëllimet e tyre me poezi,  zgjedhin të mos  i ndajnë në cikle apo kapituj, -por vëllimin e saj poetik, “Flirtoj me Universin”, poetesha e haiku-t, Reshida Coba ka zgjedhur ta ndajë në cikle me tituj të larmishëmdhe krejt të vecantë, sikundër:“Haiku me një varg”, “Haiku me dy vargje”, “Haiku me tre vargje”, “Perëndia jonë është e gjelbëra”, “Puthja e Lipsarit”, “Të  Haiku-t tim me një dhe dy vargje”, dhe poezitë e gjata “Nuk ka vetëm një dashuri”, “ Loja e Trupit” ,“Perëndia jonë është e gjelbëra”, “Uji bën dashuri”, “Puthja e Lipsarit”, ” Mos nga Korca …ishte Eva ? ” etj.Vargjet lirike të Haiku-t të poetes Coba, kanë simbolikën e fortë, flirtin e perëndishëm, njerëzor e hyjnor, me lirinë e shpirtit, rebelizëm e mëncuri, etja për dashuri; “Zjarri jo më kot ndizet në mes gjithmonë”, “Dhe lulja në lulëzim, ngelet pafjalë, kur sheh dy njerëz që puthen”, “ I pari që kupton trupin tim të dashuruar është krevati”, “Llastimet e mjelmës më zgjojnë fillime dashurie”, “Kur pres të bëhet e plotë hëna, humb durimin.“Asnjë gardh nuk e ngatërron rrugën e vet”,“Kjo re e thinjur vetëm këshilla jep”, (nga Cikli” Haiku me një varg”, f.9,10,11, 12, 13).

“Cfarë moshe ka ky grurë / Hedh sytë në gjinjtë e grave”, “Syri im i vogël / Si e nxe gjithë këtë oqean të madh ”, “Sa guxon kjo lule  / Kapërxeu dhe murin e komshiut “, ”Mbrëmjeve merakosem për dritën / Ku të ketë ikur e vetme”, “Bukur tundet bari /Nuk di të vrapojë”, “Bregu nuk ja u heq njëlloj dallgëve/Mbathjet tyl  të bardha”, “Shinat e vjetra akoma kujtojnë / Fërkimet me trenin”, “Më të turpshme se gjethen /Era nuk gjen dot të dashur”,  “C’është ky mall i fshehur zemre / Për fjalën zemër”.(“Haiku me dy vargje”, f.31)

Këto vargje me stilin e Haiku-t, janë harmonike me botëndijimin dhe botëperceptimin psiko-analitik dhe  metaforik, muzikalitet të ndjeshëm, plot sharm e krenari femërore në vargëzim, melankoli e brishtësi tekanjoze, ëmbëlsi, butësi dhe lirizëm i feminilitetit në kërkim të dhimbjeve të ëmbla dhe gabimeve të bukura njerëzore të  intimitet hyjnor dhe forcës tërheqëse të tyre për t’i ndjerë,  ku magma ndjesore e delikatesës femërore maturon mendimet dhe eksklamacionet poetike të ndjenjave  dhe dashurisë njerëzore. Në mënyrë të sintetizuar  Coba kap nocionet kryesore të Haiku-t me një varg, dy vargje dhe tre vargje, fraza post-strukturaliste në të cilën shqetësimi kryesor i poetes, që shkaktohet   nga dëshira e pluralitetit të mendimeve  dhe  marrëdhënia e gjerë dhe intensive, pakti i saj i shpirtit me intimen,  që poetja krijon mes tyre: “Cfarë moshe ka ky grurë?/Hedh sytë në gjinjtë e grave.”, “ Me një dimër flenë,/Tre stinët femra.”, “ Dhe gruaja provokuese,/Nuk tundet aq bukur sa bari.”, “Si nxë syri im kaq i vogël”,/Gjithë këtë oqean të madh.”, “E vetmja gjë që zbutet pleqërisë, /Zemra dhe lotët.”, ( “Haiku me dy vargje”, f.31), -dhe poetja i gëzohet  pranisë së reales, asaj të dukëshmes dhe emocionit të castit, jo vetëm nga motivi dhe intensiteti emocional, por edhe struktura harmonike brenda realitetit  lirik-baladik, të lidhura së bashku me pasionin dhe femilitetin në tërësinë e vargjev, merr hov fluturimi i flirtit të perëndishëm në  universin i poeteshës, Reshida Coba.

“Luginës së gjinjve,/Hutuar dallgë e bardhë,/Harroi bregun.”, “Varg i këputur,/Gjinjve shkërmoqen,/Perla të përlotura.”, “Perlë e vogël,/Sy i bardhë,/Për detin blu.”, “Me vërshëllimën e tij,/Veriu capkën,/Puth  gjinjtë kodrave.”, Unë në gjumë,/Gjinjtë bisedojnë,/me njëra tjetrën”, “ E cmendi gurin e nxehtë,/Ikë e hajde/Kjo dallgë e lagur.”, “Me erë i njeh krimbi / Gratë që veshin/ Mbathje mëndafshi”,  “Grindem me Korcën /Ku i ke kalimtarët  /T’i përqafoj ”,”C’thonë korbat e Van Gogut /Re të zëza në shtrat/ Penelave plot ngjyra”, “Gjithmonë në udhëtim / Pluhuri mbledh pluhur/Ushqen universin”, “Xixëllonja e unë / Netëve flirtojmë/ Ndiz e shuaj zjarre”,  “Unë në gjumë / Gjinjtë bisedojnë / Me njëra tjetrën”, “Merak më mbeti/ C ngjyrë kishte molla /Që cuditi Neëtonin / ”( “Haiku me tre vargje “)

Poetja Coba krijon harmoninë me qeniet e universit, ku forca e dashurisë, erotizmi dhe sensualiteti në poezitë e saj me tre vargje nuk simbolizojnë vetëm qeniet njerëzore, por edhe botën natyrore me elementët e saj: Lugina, dallga, gjinjtë, bregu, veriu, kodrat, guri i nxehtë, dallgë e bardhë, etj. Poetja përdor metaforat dhe i konsideron kontrastet  e dashurisë dhe lumturimit, ndjenja që veprojnë e riveprojnë, mbajnë të tendosur erotizmin e natyrës me flirtin shpirtëror dhe triumfin e dashurisë njerëzore; “ Dy perëndime/Dielli e dashuria ime/ U ndanë në horizont”/, “Dy breshka të gjelbëra/Ciftohen ëmbël/Herë në tokë e herë në ujë.” -vargëzon  Coba.

Poema“Nuk ka vetëm një dashuri”,është një nga poemat më të bukura të Cobës, një poemë evokative  dhe medituese me vargjet e saj lirike, poetja menaxhon ndjeshëm paralelizmin figurativ: “Netëve tejnetëve …në pakohësi,/mendohem të përzë errësirën brenda vetes,/Për gjërat që nuk jam e gjërat që nuk di,/Guxoj të pyes në terrnajën e universit,/në udhët ku ende drita s’është nisur,”-pavarësisht vargut e aluzioneve;“errësira  dhe drita”, “terrnaja dhe tejnetët”,  të cilat kanë simbolikën e një prekëshmëri shumëkuptimore,  pa rënë në sentimentalizëm dhe fatalitet, duke kapur thelbin në imazhet me strukturë komplekse, emocionale dhe stil ekspresiv, atyre poetja edhe iu kundërvihet: “Pse mbeta gjithë jetënte habia e dyshimi,/Pse mbijnë njëlloj dashuritë e tradhëtitë,/Bota është MONO, por s’janë MONO,/Dashuritë!”, – stil, i cili mbetet i njëkohëshëm dhe i fuqishëm, mishërim i prehjes e paqes shpirërore se “Bota është Mono, por jo dashuritë’,  –një lloj mospajtueshmërie romantike,  vizuale dhe e erotizuar me materjen lirike dhe konceptin filozofik e hyjneshës së dashurisë njerëzore.

“Ndaj e trishtuar i rrëfehem universit,/ E zgjedh momentin kur dua të sulmohem netëve/  Kur jam e tëra Eter /Kur bëhem e tëra një moment zog Palloi / Me cmendurinë e ngjyrave,hapjes së krahëve /Lojës me format / Atëhere flirtoj me universin / Flirtoj me yjet gjysëm të cmendur /Dhe iki mijra vite drite larg /Kulloj qumësht të bardhë  plot dije/ Trupi im një orizore e madhe / Shkund kokra orizi mbi  gjokse universesh / Ju shfaqem me të vërtetën time fisnike / Dhe pyes ,a  janë Mono…Dashuritë / Dy të vërteta gjithmonë luftojnë / Por vetëm njëra mbetet e vetme / Edhe Hëna dikur guxoi të hiqte dorë nga froni /Kur pa se flitej  për një diell plus ,minus një hënë ”.

Koncepti elegjik është një epitaf i paharrueshëm me intensitet të fortë emocional në këto vargje lirike, që në mënyrë të barazvlefshme Coba nënkupton veten e saj dhe marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat, se si funksionon bota njerëzore në akord me natyrën dhe hyjnoren. Poetja është vazhdimisht në kërkim të një klimë artistike e filozofike, kontemporane, elegancë dhe elokuencë  në varësi të rrethanave natyrore, fizike e shpirtërore: “ Pse kaq e padukëshme lavdia e Dashurisë?/Pse kaq e lartësuar Lavdia e Zotit ndaj Monogamisë?/Unë do  pres edhe këtu ku jam dhe në botën tjetër,/Do përgjoj mbi fatin e njëshit të dashurisë,/Edhe pse e zënë do jem me punët e vdekjes sime.”

Poetja e do lexuesin e saj, e vlerëson dhe është e shqetësuar a do ta kuptojnë drejt,ndaj vazhdon me vargjet: “Nuk di c’do thoni ju,kur të më lexoni / Do dyshoni për mua / Mundet të më  sugjeroni se duhet të flas me një zot / Por unë nuk do ta bëj / Ju kam zgjedhur juve/ Me zotat bisedoj vetëm kur nuk kam njerëz më të mencur afër.”

Poetja Coba beson në të vërtetën e jetës e dashurisë, në vlerat njerëzore që ato mbartin, beson në tragjedinë njerëzore, jetën në botën e përtejshme, dhe e konsideron atë një botë në harmoni me natyrën edhe“pse e zënë do jem me punët e vdekjes sime”,- thotë poetja,-e cila guxon të drejtojë veten drej tejdukshmërisë lirike të intimes sensuale, brenda cdo individi e universit shpirtëror ku të gjithë dashurojnë, vuajnë, gëzojnë dhe “përgjojnë  fatin e njëshit të dashurisë”,  këtë ndjenjë universale e flirtit të  perëndishëm, nga ku lind jeta, dashuritë dhe dhimbjet e saj.Tashmë pa e fshehur shqetësimin e kohës, poetja kërkon zgjidhje,kërkon ndihmë nga mendjet njerëzore, poetët, duke iu drejtuar: “Ku janë pendesat/ Ku është poeti i Monogamise / As martesën e vet se mbrojti dot /Nga rreziku i dashurive të reja / Është koha të shkruhet e vërteta /Asnjë nuk është i mbrojtur, nga rreziku i rrënies në dashuri edhe në kohën e shenjtë të bashkëjetesës /Ndodh shpesh në shtratin bashkëshortor  zgjohen mëkatet / Mbushen  brinjët e shtratit me  dhimbje / Shtohen ritualet / Gruaja duke zgjatur flokët / Burri duke thërmuar heshtjen / Bashkëjetesa fytyrë e dubluar / Rrënkon në numurin njëjës”.

Duke njohur karakteristikat e botës poetike të Cobës, të poezia “Puthja e Lipsarit”, poetja injekton duke përfshirë kontradiktat e dykuptueshmërisë dhe rolin e dualitetit  të paqartë të poetit dhe vetë poezisë, për të  gërshetuar tema më të gjëra, duke grishur me  motive romantike,: “Puthmë, puthmë….lermë të të puth,/Nuk kam puthur kurrë një grua kaq të bukur!/O Zot…cfarë po ndodh, nuk paskam vdekur,/Pse ndjej se mund të puth një grua…vërtet?/Lermë të lutem…lermë të të puth,/I lumtur të bëhet një lipsar..”Në këtë  reflektim  këmbëngulëspoetja shpreh dhimbjen me vargje lirike dhe meditime shumë më të thella në përvojën njerëzore dhe natyrore, dashuria është joshëse, e pashmangëshme dhe fatale.Poetes  i dhimbset “Lipsari”, të cilit nuk i plotëson dëshirën e tij,  nuk ia zbut dot dhimbjen për një puthje, dëshpërohet poetja dhe vrapon të hedhë dhimbjen në vargje;  “Ishte tronditur kujtesa ime,/Ndjeja se isha kthyer nga një funeral,/Ku nuk shkohej për të vdekurin, por për të lindurin nga vdekja, si detaj.” Dashuria për Cobën kurrë nuk është e drejtpërdrejtë, por e paraqitur gjithmonë me elementë komplikues e ngushëlluese: “Në dorë mbante një shishe uiski,/Që përkëdhelej andej këtej,/Fliste fjalë të bukura për gruan,/këndonte kërcente,/Recitonte vargje nga idehuri Heminguej”/ “Dhe kthehej të humbiste në kërcimin e tij”,/Me përplasjet e dhimbëshme  të thembrës në tokë.”

“Ishte tronditur kujtesa ime,/Ndjeja se isha kthyer nga një funeral,/Ku nuk shkohej për të vdekurin, por për të lindurin si detaj.”-një shpërthim i jashtëzakonshëm i poetes, aktakuzë tronditëse shoqërore dhe morale e Cobës, që trajton varfërinë dhe dëshpërimin nëpërmjet kombinacionit poetik, tërë filozofi dhe mjeshtëri artistike, që sfidon didaktin dhe simplicitetin  e sferës amatore. Poetja dashuron jetën, vuajtjet e dhimbjet e të tjerëve, (lipsarit), i bën të vetat, dhe shpirti njerëzor i poetes gurgullon me vargje lirike e romantike, për të zbutur sadopak ato, streset, dhimbjet  dhe ndjeshmërinë e tyre nga problemet e mosmarrëveshjet e ditës në të përditshmen njerëzore: “Hapa derën /Hyra në shtëpi pa zhurmë /Kisha frikë mos trembja lutjet e tij /Kërcimin, zërin e tij të bukur  /Që mpakte cdo grua / Kam qarë dhe kam kërcyer në dyshemenë e dhomës/ Pa asnjë orendi /Jashtë e nxorra ajrin /Gjithë puthjet e mia / Jetën time /Kërceja, qaja, këndoja, recitoja vargjet e mia /E  dehur … ashtu si ai “Dashuria pavarësisht nënrrymave të heshtura në vargun e saj, për nga mënyra e artikulimit poetik, Coba intimiton muzikalitet dhe zotërim të konvencioneve lirike. Me anë të fabulës  në këtë poezi, Coba jep konceptet e ndërtuara nga shoqëria, që kanë  të bëjë me cështjet social ekonomike  dhe fatin e individit, cfarë ndodh në botën e brendëshme shpirtërore të saj dhe individëve, mentaliteteve të ndryshme të shoqërisë e përplasjeve të tyre në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës.E ndodhur mes dilemave dhe pyetje të shumta në  mendjen e saj, poetja Coba përpiqet të bëjë dallimin midis instikteve intelektuale të dashurisë e instikteve gjenetike të seksit  dhe ja vjen me një poezi shumë të komplikuar si subjekt ; “Loja e Trupit”, nëpërmjet vargjeve:  “Nga cili planet vjen ky mesazh qiellor / Dëshirë e fshehur eksitimi zbret nga diku /Ngjan me sekretin e Perëndive të panjohura / Me heshtjen gurkali…Dremitjen e minutave blu”.As me shpjegimet e saj filozofike, as me shpjegimet shkencore,poetja nuk ndjehet komode,e mundon limiti i mendjes njerëzore,që nuk depërton dot në këto mistere të trupit, kaq të pranishme,pjesë e kërkuar vazhdimisht nga trupi,ku njeriu nuk kundërshton ,por dhe nuk shpjegon dot atë cfarë  ndodh, ndaj Coba vazhdon; “Bie era trup …era qiell / Sëmundje e përsosmërisë në udhëtim /Për të mbritur në rrëmujën e rregullt të shpirtit  / Le të ndodhë përfytyrimi ! “ dhe më tutje: “Epsh i harlisur vjen / Nisur nga diku /Dikush e quan eksitim,ves/ Dikush e quan një fe vulgare / Dikush thjesht e quan seks”.Dyshimi dhe kërkimet e poetes nuk mbarojnë,ajo do të dijë të vërtetën që e mundon netëve dhe e le pa gjumë, ndaj shtron dilemat e saj; “Mos shpirti i thotë trupit nuk të kam harruar / Dhe ikën të mbetet shpirt i pashpjeguar / Mos zoti tallet me naivitetin e krijesës së tij / Dhe shfaqet me guximin e maskës së dritës e frymës /Ndërsa njeriu me guximin e rrënies në dashuri / Atëhere – Epshi është kafsha  ! Dashuria është njeriu  ( O Zot …mos qoftë kështu ! ) Të mendohem më shumë dua / Ta njoh universin absurd të trupit tim / Por nuk di si ! Ndaj shkruaj për lojën e trupit /Kufijtë midis dritës e ferrit/ Unë luaj me dy gjysmat që kurrë s,do ti kuptoj / Kur I përkasim gjysmës së parajsës / Kur i përkasim gjysmës së ferrit.”

E dashuruar me natyrën, me të gjelbrën,poetja Coba në këtë libër  emërton  dashurinë e saj   “E gjelbra”, ndaj dhe vesh fustanin Jeshil,i përkëdhelet  dashurisë së saj,dhe ngjyrës,Jeshile.

“Kam veshur fustanin jeshil për ty,/E mban mend ditën kur u ndamë….unë bëja sikur/shkundja dritën nga supet,/Dhe zëndrojtur fola:-Dukem bukur në jeshile?/Ti mbillje vështrimin në gjoksin tim të bardhë,/Me kujdesin sa më afër qendrës….sa më afër erës së/qumështit.” ( Perëndia jonë është ….e gjelbëra”,f.157).

E vecanta e këtyre vargjeve lirike është metamorfoza e kompleksitetit të emocioneve, e cila me delikatesën femërore elegante e nazike fillon të flirtojë me universin, ëndrrat, dëshirat dhe heroin lirik të saj,  që e mbajnë të lidhur përjetësisht poeten. Nëpërmjet ngjyrës jeshile, poetja insiston në coroditjen e  turbullt të ndjenjës mashkullore; “ Nga drithërimat e prekjes, lind ylberi tokë-qiell pritur,/Në të kundërtën e shkëlqimit të diellit’, -simbole të  adhurimit këto, të prushta e drithëruese, një dritë e dëshirë jeshile,mes veditdhe heroit lirik të saj;  “A nuk ndjehesh i zgjedhuri qiellor..Re-Shi-Diell?/Fol-Qiellori im…që ylberon mbi mua!”Në mënyrë të ngjashme poetja konfirmon romancën potenciale me forcën dhe energjinë shpirtërore, përpos bukurisë shpirtërore e fizike, dhimbjen e ëmbël të egos supernatyrale dhe ambicjes së  ndryshimit në botën e brendëshme shpirtërore rrethuar nga dashuria. Vëllimi poetik “Flirtoj me univertsin”, i poeteshës së Haiku-t shqiptar, Reshida COBA, është manifestimi i një shpirti të bukur, të ndjeshëm, sensual, lirik dhe romantik, hymn dashurie për botën njerëzore si dinjiteti, dashuria për jetën -dhe për atë më sublimen, Dashurinë Njerëzore.

 

Postscriptum

Poeteshën Reshida Çoba, e kam mike të fëmijërisë, lindur e rritur në qytetin e bukur, që vetëm buzëqesh, Korca, në lagjen e aristokracisë myslimane, ku ngrihet madhërishëm për 6 shekuj e gjysëm,  Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit, themeluesit të Korcës moderne.  Arësimin e hershëm tetëvjeçar e kemi bërë në të njëjtën shkollë. Lagja jonë,  që nga brezat në vazhdim thirret “lagja e Radanecit”,  ishte dhe  vazhdon të jetë aq e veçantë, për vetë pozicionin e saj gjeografik, dhe perëndimin më të bukur të diellit. Çdo mbrëmje njerëzit, përfshirë edhe mua e Reshidën dilnim sofateve të shtëpive tona, jo vetëm bënim ndonjë punëdore me grep apo qëndisnim jastëkët, pajën vajzërore, por me kënaqësinë më të madhe ndjenim në atë përcjelljen e ngrohtë të diellit, sikur të ishte pjesëtar i familjes tonë dhe shijonim kabatë  me klarinetë të arixhinjve, e Lulushit të pavdekshëm dhe melodinë e fizarmonikës së Bani Kuqos, të cilët cakërqejf nga rakia e muzika, duke kënduar  këngët e vjetra të Qerime arixhofkës, na shkelnin syrin e ngacmonin ne qëndistareve bjondina. Të gjithë  ata dhe njerëzit që i rrethonin na dukeshin aq të bukur e të përzëmërt, me bekimin diellor, flirtin e perëndishëm dhe dashurinë për njëri tjetrin, dhe vërtet ishin të tillë! Përveç atyre qëndismave me yje, trëndafila dhe perëndimin e diellit, belbëzonim vargje poetike nën tinguj serenatash të Abaz Hajros. Reshida na jepte edhe një kënaqësi më shumë, si folëse në Radio Korça, ku recitonte vargjet e saj të shkruara nën përqafimin e perëndimit diellor, por lexonte edhe ato vargjet fillestare, tonat. Përveçse në këndin letrar të shkollës, poezitë e atëhershme të Reshidës u botuan edhe nërevistën “Shqiptarja e Re” dhe “Drita”. Më pas ajo emigron në SHBA-ës, ku jeton, punon e krijon prej 20 vjetësh. Poetja korçare, tashmë shqiptaro-amerikane, i rishikon edhe njëherë poezitë e saj të para, por edhe duke krijuar të tjera dhe zbuloi  se ishte dashuruar me Haiku-n, pa e njohur atë, përmes ndjeshmërisë dhe bukurisë që përshkruante marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe njerëzit që e rrethojnë, por edhe vetë temperamentin e natyrës njerëzore me botën natyrore. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në çdo varg të Haiku-t, ajo arriti të botojë fillimisht  librin e titulluar “Unë, Gruaja R”, dhe këtë vit, vëllimin e dytë poetik “Flirtoj me Universin”, me vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë.

Për stilin poetik të poetes Reshida Coba janë shprehur pena të njohura të letrave shqipe; që nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili mendon se: “Shprehja e saj poetike është e thjeshtë e komunikuese, larg retorikës spontane. Mendimet e autores mbartin filozofinë që më shumëndjehet, sesa shprehet. Kjo e bën poezinë e saj lirike me një feminitet të këndshëm, me figura të përvijuara lehtazi, të dhëna me dashuri e dhimbje, që shpesh vjen larg. Ajo këndon lirisht, cdo gjë njerëzore, e hapur dhe e sinqertë deri në sensualitet. Është padyshim një zë i ri në poezinë femërore, që po e pasuron me vlerat e saj më të mira e bashkëkohore, këtë dekadë të fundit.” Ndërsa kritiku letra Fatbardh Rustemi, i cili është edhe njohës i mirë i penës poetike të Cobës shprehet se: “ Reshida Coba edhe kur guxon të vërë pikëpyetje mbi monogaminë, rrëzon tabunë duke shenjtëruar dashurinë, tek e cila mbahen të gjitha vlerat njerëzore,  te butësia femërore, te delikatesa, te shfaqja e një shpirti të dlirë, feminiliteti me ngasje të bukura qendron gjithë pushteti poetik lirik, romantik e sensual i poetes.”

Mjeshtri i Madh,poeti,Petrit Ruka shprehet se: “Vetëm sinqeritete të tilla kaq shkundulluese në vargjet e një gruaje, mund të të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike. Do mjaftonte vetëm poezia “Luksi me arrixhinj “,për t’u bindur se kjo është poezia e vërtetë,cdo poet do e kishte zili një poezi të tillë në librin e vet “, por jo cdo grua do kish guxim,ta quante “ një luks me arrixhinj ”

Më dt 6 Mars 2016, në ambientet e bibliotekës Tirana Times, Tiranë, -Shtëpia Botuese Nacional, nën moderimin e botuesit të saj, shkrimtarit dhe poetit Mujë Bucpapaj, promovoi vëllimin poetik “Flirtoj me Universin”, i poetes shqiptaro-amerikane Reshida Coba. Morën pjesë figura e personalitete të njohura të letrave shqipe, artit e kulturës shqiptare, mes tyre nuk mungoi edhe këngëtarja e shquar Aurela Gace, e cila me zërin e saj të magjishëm përshëndeti, duke kënduar hymnin apo flirtin e perëndishëm të  bukurisëfemërore korcare, serenatën, “Perëndeshë e Bukurisë”.

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Mars 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *