“RES PUBLICA” E GJUHËS

Akademik Gjovalin Shkurtaj: “Fjalët dhe termat e huaj

vijnë e bëhen si orteku që nuk e ndalon dot”.  

DEDAJ,N 

NDUE DEDAJ

 

I është mëshuar aq shumë ruajtjes së gjuhës nga “invazioni” i fjalëve të huaja, por pa shpresë. Kësisoj të mos duket i çuditshëm propozimi ynë për t’ia dorëzuar publikut mbrojtjen e gjuhës shqipe nga shpërdorimi i gjithanshëm! Pikërisht atij që është përdoruesi më i gjerë i saj, po në njëfarë mënyrë dhe shpërdoruesi (sigurisht padashje) më i madh përmes rrjeteve sociale etj. Pse dalzotës publiku? Për arsye se askush nuk po e luan rolin institucionalisht për këtë qëllim. As qeveria, me anë të ndonjë strategjie, ku as korrektori gjuhësor në zyrat e shetit nuk u vendos, siç qe premtuar, dhe shkresat dëshmojnë nivel të ulët të administratës. As Akademia e lodhur e Shkencave, e cila dremit mbi titujt akademikë, s’lëshon një “urdhër” në vit për kujdesin ndaj gjuhës. As departamentet e universiteteve. As shoqatat e botuesve, përkthyesve etj. Ndërkohë që nuk kanë rreshtur shkrimet e gjuhëtarëve, individualisht, për mbrojtjen e gjuhës nga keqpërdorimi, sidomos në të shkruar, përdorimi pa vend i fjalëve të huaja etj. Gjuhët e huaja, që kanë fituar një terren të pazakontë në Shqipëri pas 90-s, sa të mirëpritura, aq e kanë dobësuar fuqinë e shqipes, duke e trysnuar me fjalë e shprehje steriotipe që janë bërë mbizotëruese, pa kurrëfarë kujdesi për t’i shmangur ato. Por pa shkuar tek depërtimet e viteve të fundit, mjafton të shohësh se çfarë popullariteti të pamerituar ka fituar fjala “bravo”, e gjithëpërdorur. E dëgjon aq herë nga mësuesit gjatë orëve të mësimit. E lexon gjithandej në FB dhe habitesh si nuk bëhet përpjekja më e vogël për të përdorur, në vend të saj, gjegjësen shqipe: “Të lumtë!” “Ju lumtë!” Këtë fjalë e dëgjon regullisht dhe nga drejtuesit e programeve televizive. “Një bravo e madhe për finalistët…” shpërthente njëri nga ata. Por nuk i kemi shpallur “luftë” vetëm kësaj fjale. Sa të tjera si kjo kanë fituar qytetarinë shqiptare, kur të huajt kurrë nuk do ta lejonin një gjë të tillë për fjalët tona. Të kuptohemi, të gjitha fjalët në gjuhët e tyre janë të shenjta, por ndryshon puna kur ato futen pa doganë në gjuhët e tjera, si përformancë (paraqitje) që na ka hyrë deri në një dokument të rëndësishëm arsimor, si Karta e Përformancës së Shkollës. Apo një tjetër fjalë që është kaq e shpeshtë në të folmen e të rinjve apo atë mediatike: event, eveniment (ngjarje, rast i shënuar), ashtu siç kemi jo shqip plot emërtesa lokalesh biznesi, tituj emisionesh televizive etj. Në vitet ’70-’80 ishte “trendi” (qëllimisht po përdorim këtë fjalë të panevojshme!) për disa intelektualë të përdornin fjalët e huaja vend e pavend, si për të treguar kulturë. Sot është për të qeshur më këtë mani të atëhershme. Dhe nuk është fjala për një, dy a dhe njëqind fjalë të huaja, por për një pafundësi, që i kanë gjegjëset në shqip!? Sot mund të mos ndjehet shumë ky ndikim, por mjaft të shohësh se ç’gjurmë ka lënë turqishtja shekuj më parë, për të kuptuar se nesër e njëjta tablo do të jetë me huazimet nga anglishtja etj. Mjaft t’i hapet paksa dera, pa fjala e huaj “pjell” bijat e saj, nga akses përftohet aksesim, e aksesueshme etj! Një ish-pedagoge e anglishtes e UT, autore tekstesh, shkruan nga emigrimi: Te “Doktor Gjilpëra” i Konicës shoh Shqipërinë e sotme, me një ndryshim: atëherë flitej shumë turqisht, tani shqiptarët flasin gjysma shqip gjysma anglisht, dhe kjo të bën të qeshësh. Mblodha nga gazetat dhe emisionet televizive fjalë dhe struktura fjalish që perdorin intelektualët shqiptarë si: “një billding i madh” për “një godinë e madhe”, donatim për dhurim, tranzicioniste për kalimtare, unitaritet për bashkim, prezencë për prani etj. Akademik Gjovalin Shkurtaj, jo vetëm ka shkruar libra universitarë mbi sociolinguistikën, por shfaqet herë pas here nëpër televizione mbi ruajtjen e pastërtisë së shqipes etj., s’është e tepërt të thuhet, me zell rilindësi. Në veprën “Kundrime Gjuhësore” ai shkruan se “fjalët dhe termat e huaj vijnë e bëhen si orteku që nuk e ndalon dot”, duke treguar se si përhapen e përdoren pa pushim fjalë të tilla si: lider, lidership, staf, bord, draft, involvoj – involvim, implementoj – implementim, konfrontoj – konfrontim, total, ekzil, moment, fluks, frustrim, prioritet, risk – riskoj, investigoj – investigim, prononcoj – prononcim, anonçoj – anonçim, akomodoj – akomodim, mazhorancë, minorancë etj. Akademik Mark Tirta, etnolog, sjell të tjera raste të fjalëve të huaja të panevojshme si: “pedonale” (shëtitore), “agravuar” (rënduar, përkeqësuar), “purifikimi i administratës” (pastrimi i administratës), “pa limit” (pa kufi, pa kufizim), “shantazhohet” (kërcënohet), “fokusohem” (përqëndrohem), “atraktiv” (i këndshëm, tërheqës), “azhornim” (përditësim), “minorenë” (fëmijë të vegjël) etj. Nëse dikush do të hartonte një fjalor të huazimeve të çerekshekullit të fundit në gjuhën shqipe, pamja do të ishte tejet tronditëse. Është një atentat i rëndë ndaj ABC-së, që nuk na e bëjnë më armiqtë historikë, por ia bëjmë vetes, në emër të qytetërimit modern, në të vërtetë, nga papërgjegjshmëria ndaj kryethesarit të identitetit tonë. Por mjerisht nuk i dëgjon askush kambanat që bien, mjeshtrit e gjuhës, gjuhëtarët, shkrimtarët, gazetarët, sociologët, antropologët kulturorë etj.

Pavarësisht gjendjes së tanishme kritike të gjuhës së rrjeteve sociale, përdoruesit e tyre kanë mundësi të mëdha të japin shembullin e mirëpërdorimit të gjuhës, në këshillim herë pas here me gjuhëtarët, mësuesit e gjuhës, portalet “fol e shkruaj shqip” etj. (Është për të qeshur kur prindërit shqiptarë, me të zbardhur drita, ua urojnë fëmijëve të tyre ditëlindjen në Facebook në anglisht, italisht, frëngjisht etj.) Nga ana tjetër, përdorues të kësaj media gjigande nuk janë vetëm njerëzit e thjeshtë, pa shumë dituri gjuhësore, por dhe profesorë të shumtë, mësues të panumërt, njerëz të mediave dhe të letrave dhe secili, përpos se mund të japë vetë shembullin e të shkruarit korrekt, lypet dhe të debatojë e thërrasë për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga gjëja e huaj. Nëse njerëzit e thjeshtë të një qyteti nuk mund të diskutojnë problematika gjuhësore të morfologjisë e sintaksës, ata krejt mirë mund të tubohen para bashkisë kundër emërtimeve në gjuhë të huaj të bar-restoranteve dhe dyqaneve të ndryshme të shërbimeve publike, ani se ato janë private. Mjedisi gjuhësor është gjithsesi publik, ndaj asgjë nuk është jashtë fuqisë vendimmarrëse të publikut. Aq më tepër gjuha, që është banka e tij e patjetërsueshme. Në këtë qasje, e para gjë që duhet bërë, me një supërligj etike a kushedi se si, është shërimi gjuhës së bastarduar të politikës, goja e shthurur e politikanëve sharës e bërtitës, batutaxhinj, të cilët ia kanë bërë dhe këtë të “shërbim” ndërgjegjes kombëtare dhe edukimit, duke ia shplarë gjuhën këtij populli, me fjalë qenërie, si “buça” etj?!

Për ta mbyllur me fjalën bravo. Bravo fëmijë! Bravo konkurues! Bravo zgjedhës, referendues apo referendarë!… Në pamundësi për ta ndaluar këtë tëhuajzim të gjuhës do të thoshim, në stilin fishtian, mos ju qoftë “bravo” të gjithë atyre që i përdorin lehtësisht fjalët e huaja “pa qenë nevoja”, duke patur në vend të tyre fjalët shqipe, ndër më të bukurat “të lumtë” e “ju lumtë”. Sigurisht pa një qendrim të skajshëm, që të zëvendësohet çdo fjalë e huaj, edhe parlament, meqë kemi gjegjësen kuvend, qoftë dhe për faktin se nuk mund të thuhet Kuvendi Europian, në vend të Parlamanti Europian.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *