“UNAZA E VIRGJËRESHËS”, ROMAN KUNDËR TABUVE NË JETËN E FEMRËS


KOLA LORILORI KOLA,

Master Shkencor në Arte, Universiteti i Shkodrës

“UNAZA E VIRGJËRESHËS”, ROMAN KUNDËR TABUVE NË JETËN E FEMRËS 

Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj: Ndue Dedaj është një nga autorët më prodhimtarë të letërsisë së sotme: poet, shkrimtar, dhe studiues e analist i mirënjohur nga Mirdita. Emri i tij është nga më të shpeshtët në faqet e gazetave dhe revistave kulturore. Ka botuar shumë artikuj e studime qysh në vitet ’70, ndërsa në vitin 1998 ka botuar librin e tij të parë poetik me titull “Ajsbergu i Hanës”. Në vijim, ka botuar librat “Toka e katedraleve” (1999 dhe ribotim me rivështrime e pasurime me 2006), monografinë “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”(2010), disa vëllime me poezi etj. Para do kohësh doli nga shtypi romani i tij “Unaza e Virgjëreshës”, një libër prej 372 faqesh, kushtuar një teme sa interesante e tërheqëse, aq edhe të lidhur me palcën e dokeve e traditave të Shqipërisë veriore e sidomos të Mirditës, ku ka qenë deri vonë edhe zakoni i vajzave virgjëresha, të pamartuara e të përkushtuara mbajtjes gjallë të familjeve, në mungesë të meshkujve etj. Romani është shkruar bukur, me njohje të thellë jo vetëm të tematikës së trajtuar në të, por edhe me prurje të një pasurie të madhe fjalësh e frazeologjizmash aq mbresëlënëse e funksionale nga e folmja e Mirditës e më gjerë. I urojmë suksese autorit dhe i ftojmë lexuesit ta marrin këtë roman të ri, duke qenë të bindur se do të gjejnë në të jo vetëm rrëfim kureshtar e befasues, po edhe gërshetim mjeshtëror të subjektit me thurjen ligjërimore, ashtu si e ka zakon autori Ndue Dedaj.(http://shpirtiarbritrron.blogspot.al/2015/02.)

Ky roman i ri i autorit vjen dhjetë vjet pas një tjetër romani të tij, me titullin “Shembja”, i mirëpritur nga lexuesi dhe kritika për kundrimin e minierës në një kontekst social-filozofik jo thjeshtë si nëntokë. “Unaza e Virgjëreshës”, aq më tepër, mëton drejt një prurje origjinale nga botëpërjetimi shqiptar i maleve, veçmas ai i femrës së mbyllur në korrnizën e së shkuarës. Autori, me përvojën e gjatë si publiçist, shkrimtar e studiues i Kanunit, guxon drejt trajtimit të problematikave delikate, ku në këtë roman ai ka shkërmoqur tabutë në jetën e gruas, duke nxjerrë në pah profilin e tij si artist i lirë, po dhe duke marrë përsipër një përballje të vështirë estetike që synon t’i thyejë disa klishe “klasiçiste” në art, risi e njëmendët kjo e mjaft autorëve të letërsisë bashkëkohore shqiptare nga vitet ‘90 e në vazhdim

Romani të krijon mundësinë të nxjerrësh në pah vlerat në të gjitha rrafshet, duke e parë letërsinë si konstrukt gjuhësor e zbërthyer kodet letrare të fshehura nën petkun e fjalës së shkruar. Një vepër semantike polifonike, me dhe pa subjekt, jashtë skemës klasike, siç e lëvrojnë këtë gjini të prozës autorët e letërsisë moderne Xhojsi, Prusti, Kafka, Kamy etj., çka duket dhe në mënyrën se si autori e stilizon, ndryshe nga e zakonshmja, personazhin e vet emblemë: “Dina – Gjon rronte gjithnjë me dilemën: të ishte burri apo gruaja? Burri ishte duku, shpallja, kurse femërsia ishte vetë qenia. Ajo habitej se si gjithnjë e më shumë femra brenda saj merrte trajtë burri prej mashkullsisë që e mbështillte, duke u bërë në sy të gjindjes përherë e më shumë burrë e përherë e me pak grua, sa përnjimend të harronte se ishte femër! Ishte njëlloj flijimi për së gjalli, sa i vetëdijshëm, aq i pavetëdijshëm. (fq. 252). Personazh tipik për klinikën frojdiane, në dilemën brenda vetë qenies njerëzore. Luhatja ndërmjet koshiencës dhe subkoshiencës nxjerr në pah kontradiktën e karakterit të saj, ku nga njëra anë vuan dënimin e përbetimit nën veshjen burrërore dhe nga ana tjetër i vlon dëshira për të jetuar një realitet jashtë rregullave të ngurta malsore. Një zgjedhje e tillë do t’i servirë asaj absurditetin jetësor dhe pamundësinë për ta jetuar jetën, sepse “ndërgjegja e saj ishte mbërthyer në një kod (të mos binte në shtrat me asnjë burrë!), kurse nënndërgjegja nuk mund të flinte kurrë. Ajo i turbullonte gjithnjë qenien aq sa dhe vetë ajo, Gruaja – Burrë, e kishte të veshtirë ta ndalte atë shpërthim ndjesor të vetin”. (fq. 218).

Dina-Gjon fsheh brenda vetes një shekull me enigma, që shkrimtari Bdek Diveli përpiqet me të gjitha mënyrat dhe mjetet t’i zbërthejë, ashtu si çdo përgamenë të vjetër të Arbnit dhe arealit verior shqiptar. Befasia shfaqet që në titullin e romanit, që e tërheq lexuesin dhe i shton kureshtjen: “Si… unazë… virgjëresha?!” Ajo është e tillë pikërisht se nuk mund të ketë unazë! Leximi i romanit do të befasojë lexuesin, pasi brenda rrethit të asaj unazë është skalitur historia njëqindvjeçare e Virgjëreshës, e cila e ka trashëguar atë unazë nga gratë e fisit që ndryjnë brenda vetes të njëjtin mister femëror, si për të treguar se në botën e maleve rrethi ciklik i jetës së gruas ishte një “unazë” e fatit. Romani përvijohet në dy linja, Dina Gjon – Zojs Shmia dhe Bdek Diveli – Hirna Gureshi, që përmbushin njëra – tjetrën, e para më tepër si sfond historik dhe e dyta si e tashme. Autori krijon një raport tepër të ngushtë me personazhet, ku ai vetë vishet me petkun e Bdek Divelit, që së bashku me Hirnën shëtisin gjithë “pjesën e Ballkanit” për të zbuluar gjithçka që nuk është thënë rreth virgjëreshave. “Bdek Diveli i vërtitej asaj plakë jetose si një ikone që i duhej hequr ajo cipëza e pluhurit që kishte vënë kore prej motesh mbi atë fytyrë të rrudhur nga jeta e tjetërsojtë, hëm burrë – hëm grua…! Donte ta ç’mitizonte Dinën – Gjon, ta shndërronte në karakter, por ajo e ndryme ashtu në heshtjen e saj njëqindvjeçare, nuk i bindej më as penës se tij, as daltës së mprehte të skulpurës…” (fq. 27). Autori i është drejtuar bestytnisë për të dhënë mjeshtrisht shndërrimin e vajzës në djalë, duke kaluar ajo ylberin, një detaj artistik i goditur, që do të thotë se për protagonisten e romanit nuk ka kthim pas. Ndërthurja e asaj çfarë është reale, natyrore me atë që është hyjnore, e mbinatyrshme të kujton konceptin dannuncian “ardhja e mbinjeriut”. Gruaja-Burrë e ka marrë tashmë vendimin e saj unik: “Të tjerët duhet vetëm ta pranonin, nëna, babai, vëllai, motra, shoqnia, prifti, hoxha, kryeplaku…Gjonin” (fq. 77). Paçka se kështu ajo kishte fituar vetminë e saj të përjetshme. Autori merret pikërisht me këtë karakter të pazakontë, si për ta nxjerrë nga vetmia dhe pengu i dashurisë, pasi lexuesi duhet ta dijë se ajo e kishte marrë atë vendim pikërisht se një djalë (Pal Pogu) kishte refuzuar martesën me të. Me aktin e saj të pashembullt Gruaja-Burrë (Dina-Gjon) fshikullonte gjithë burrat e dheut, që ndiheshin superiorë karshi femrave. Ajo sikur piskat në kupë të qiellit, në ato male të larta: nëse askush nuk më del përzot, ka një mënyrë për të qenë dalzotëse e vetes, përbetimi për të qendruar virgjëreshë. Letërsia nuk e ka lënë menjanë këtë traditë zakonore. Kanë qenë kryesisht autore femra ato që janë marrë me burrneshat, siç njihen ndryshe. A nuk do të shkruante një tregim me një fabul të tillë dhe shkrimtarja kanadeze Aliçe Munro, fituese e Nobelit në letërsi në vitin 2013? Apo shkrimtarja shqiptare Elvira Dones, romanin “Hana”, që në italisht do të botohej me titullin “Virgjëresha e përbetuar”, duke u bërë dhe film artistik.

Në këtë “antologji” letrare kushtuar virgjëreshave, romani i Ndue Dedës “Unaza e Virgjëreshës” padyshim që është një prurje ndryshe, pasi nuk ftillohet nga ekzotika. Në vepër vihet re ndërthurja e reales më fantastiken, ndaj mund të qëmtojmë disa elemente që në shtresat e tekstit janë të natyrës mitologjike, magjike, kulturore, morale, sociale, historike etj., të mbartura në rrjedhën e kohës, nga stadi më primitiv i zhvillimit deri në ditët tona. Elementet mitologjike janë të shkrira me elementet e tjera të krijimit duke marrë funksion artistik, ku do të veçonim disa figura imagjinare si: “dragoi” (fq. 9); “kulshedra” (fq. 9); “zana” (fq. 11); “shtojzovallet” (fq. 13); “magjistaret” (fq. 149); “qoftëlargu” (fq. 25) etj., që mishërohen me forcën njerëzore të personazheve. Autori rreh të na sjellë në këtë vepër frymën e kohës së kaluar, nëpërmjet ligjërimeve të personazheve, duke filluar që nga emri buzukian Bdek. Nisur nga kjo shihet prirja e shkrimtarit për ngjyrimin e kohës që evokohet në vepër, duke u marrë jo thjesht me atë që është e vjetër dhe realisht e përputhshme me gjendjen gjuhësore të asaj kohë, por dhe e bukur, e kuptueshme dhe e vlerësueshme si mbresëlenëse për kohën tonë dhe lexuesin e sotëm. Këto trajta të vjetra gjuhësore, që zgjidhen për individualizimin e ngjyrimin e veprës artistike janë të tretshme në terësinë letrare normative të romanit. Gërshetimi i elementeve artistikë është në përshtatje me veçantitë individuale të stilit të autorit Dedaj, duke bërë që gjuha e këtij romani të shquhet për një stilistikë tepër të pasur. Përmes figurave letrare të vetvetishme autori përcjell kodet e veshura të komunikimit për lexuesin e të gjitha zonave dhe niveleve. Gjithçka të duket si në metaforën e labirintit, përmes së cilës autori evokon idetë dhe përmbajtjen. Ka disa elemente letrare moderne dhe post – moderne si: intertekstualiteti, kur autori ndërkall vepra dhe shkrimtarë që nga antikiteti grek, si Homeri, apo universi shekspirian, qasje me personazhet e Eskilit (fq. 159), Xhon Gollsuorthit, Khaled Hosseinit, në funksion të idesë se kulturat maskiliste apo liberale komunikojnë, qofshin të vjetra apo të reja, shqiptare ose të tjera. Njëlloj fragmentariteti që bie në sy në roman duhet parë si procede letrar, që me strukturën e veçantë të veprës: prologu, kryekreu, ditari i Bdek Divelit (me anë të të cilit ai “zhvesh” intimitetet e protagonistes Dina – Gjon), si dhe paskryekreu e epilogu si ryzime e gjithë kalvarit të virgjerëshës autentike. Vërehet dhe “palimpsesti”, ngritja e një vepre arti mbi konstruktin e një vepre tjetër, që të kujton dramën “Nita” të Josip Rrelës, por me një devijim zhanror, nga dramë në roman, për të dhënë shpirtin njerëzor të protagonistes. Një lloj kaleidoskopie shumëngjyrëshe që rrezaton dritë përmes gjetjeve letrare, të cilat i japin veprës një bukuri të veçantë. Bie në sy dhe paralelizmi figurativ i gjendjes shpirterore të personazheve me elementet natyrore, me stinët si simbole etj: “Në sytë e Dinës natyra kishte ndërruar faqe plot tridhjetë e tre herë, aq sa ajo kishte pirë në kupën e jetës. Mali nuk kishte qenë asnjëherë njëlloj. Ai herë merrte ngjyrë të blertë me sythet e pemëve, herë të verdhë të përndezur kur ujërat ngroheshin, herë të kaftë prej gjetheve në rënie dhe herë bojë hiri buzë dimrit për t’u mbështjellë me të bardhën dimërake, por për të malet ishin thuajse gjithnjë të murrmë, eshtake, ku e vetmja gjë që e magjepste pafundësisht ishte ajo lulja e fjollës në të çarat e shkrepave”. (fq. 114). Paralelizmi nuk mungon as tek personazhi i Hirnës: “Ai dimër i Arbnit kishte qenë dhe dimri i saj. Tashmë ajo ndihej e vetme nën qiellin e bortë të qytetit”. Është e rëndësishme të vihet në dukje momenti final i veprës, ku autori i bën një mbyllje të mrekullueshme, Bdek Diveli gjen unazën e tretur të virgjëreshës Dina – Gjon pas një kërkimi simbolik shumëvjeçar. Jo rastësisht kjo ndodh pas vdekjes së Burrit-Grua, që vajtimoret vihen në pozitë se si duhej ta qanin – si burrë apo si grua?

Autori në këtë vepër na paraqet mendësinë e lashtë të shoqërisë shqiptare që nga kohët primitive deri në kohën me të re, ndoshta ngaqë “…në sferën sentimentale gjerat njëlloj janë si atëherë, si sot. Ajo që ka ndryshuar është reflektimi i njeriut për atë vetveten e fshehtë. Tani njerëzit gjykojnë ndryshe për tabutë, apo jo?” Romani përmes rrëfimit, përshkrimeve, subjektit e tejkalon botën personale, intime të shkrimtarit dhe fiton një timbër përgjithësues, ku qendrimi emocional i tij nuk është parësor, por dytësor. “Bdek Diveli ishte lodhur me atë rrugëtim të gjatë, të pafundëm në kërkim të njeriut” (fq. 371.) Vetë Ndue Dedaj si shkrimtar ka “ikur” nëpër rajone të epërme, përmes imagjinatës dhe fantazisë, sepse: “Shkrimtarët kishin lindur për të qënë ikës. A nuk kishte ikur ai, Bdek Diveli, në gjurmë të Dina – Gjon? Shkrimtarët vazhdonin të arratiseshin nga bota ku rronin, qysh nga Eskili.”

Së fundi, do të kërkoja vëmendjen e lexuesit ndaj kësaj vepre integrale, jo se tema e virgjëreshave të përbetuara nuk është rrahur, por kësaj here ajo vjen nga një krijues i zonës së burrneshave, që i ka njohur ato jo si gojëdhëna e virtualisht, por si arketipe jetësore nëpër shkrepat e Veriut shqiptar, që kanë mbërritur deri në vitet ’70, e hijet e tyre mund t’i hasesh dhe sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *