VLASHI FILI, FILADELFIA
Sapo zbardhesh dita, ata fillonin fluturimin e zakonshëm, nga faqja e malit ku kishin “rezidencën e tyre të banimit”, kalonin përmbi qytezën e vogël, shkonin deri në faqen e malit tjetër, për karshi, pastaj merrnin rrugën e kthimit, bënin dy – tre xhiro mbi qytezë dhe si me komandë drejtoheshin dhe uleshin, një nga një apo dy nga dy, aty prej nga ishin nisur.
Në fillim ishin vetëm dy, një çift, dhe nuk dihesh me siguri, ishte dita e parë e tyre në atë fluturim, apo ndoshta kishin ditë që fluturonin dhe nuk dihej sa ditë të tjera, do të fluturonin, pa u diktuar, sikur një fëmi mos t’i kishte diktuar.
– Dy pëllumba, dy pëllumba, – bërtiti me të madhe fëmija sapo i vuri re.
– Pëllumba, pëllumba, – u bashkua zëri i shokëve të tij.
Fëmijët ngelën me vështrimin nga qielli, pa e shkëputur atë nga pëllumbat deri sa ata u drejtuan andej nga ishin nisur.
Të nesërmen, fëmijët i panë përsëri pëllumbat dhe bërtitën përsëri, si një ditë më parë.
Nuk kaloi shumë dhe të gjithë banorët e qytezës mësuan se në faqen e malit, nga lindja, “banonin” një çift pëllumbash.
Kohë mbas kohe ata u shtuan në katër, dhjetë, njëzetë. U bënë një tufë e madhe saqë nuk numëroheshin dot dhe asnjë banor i asaj qyteze nuk dinte me saktësi numërin e pëllumbave në atë tufë, por dinin veç një gjë, rrugën e fluturimit të tyre. Dukej sikur ishin postjerë që çonin lajmin nga njëri mal në tjetrin, nga faqja e malit, ku gjatë tre muajve të dimrit nuk binte rrezja e diellit, në faqen e malit tjetër që ishte si shullë, me plot diell, nga faqja e malit ku ishte vendosur burgu famëkeq në faqen e malit tjetër ku liria i qante hallin atyre që ishin ngujuar për karshi.
– Është interesante! Ç’duan ata pëllumba në atë vend? Ç’do ai shpend që është simbol i paqes, i lirisë, në atë vend që është symbol i shtypjes, i shfrytëzimit, i lirisë së burgosur?!, – u shpreh një ditë një nga banorët e qytezës.
– Ke të drejtë, – u shpreh një mesoburrë që e kishte vënë re atë tufë pëllumbash prej një kohe të gjatë. – Ke shumë të drejtë. Pëllumbat janë simbol i paqes, por kjo tufë pëllumbash, në atë vend, për mua ka një kuptim të madh. Aty jo gjithçka mund të mbyllet, mund të burgoset. Aty mund të burgosen vetëm trupat fizikisht, por në ata trupa, një gjë, nuk ka ligj t’i ndalojë, nuk ka gjykatë që t’i dënojë, nuk ka hekura, nuk ka tela me gjemba, nuk ka ushtarë me automatikë ta mbajë të burgosur. Janë mendimet, idetë e atyre burrave që nuk mund të mbahen të burgosura, por fluturojnë jashtë telave me gjemba, pa i ndalur askush, si këta pëllumba që i shohim përditë. Për mua këtë simbolizojn ky shpend i bardhë në atë vend.
Maxhuni që në fëmijëri i deshte shumë pëllumbat. Kur shihte në hapësirën mbi qytetin e tij, fluturimin e ndonjë pëllumbi, lumturohej i tëri, si të ishte pëllumbi i tij. Dëshira e tij u plotësua vite më vonë, kur vazhdonte klasën e pestë. Prindërit u befasuan kur ai solli në shtëpi dy pëllumba.
– Janë çift. Ky është mashkulli, – i tregoi gjithë gëzim prindërve, pëllumbin me trup më të madh. – Kjo tjetra është femra.
– Ku i more? Se mos i ke vjedhur, se ta mora shpirtin, – i foli menjëherë i ati.
– Jo babi, nuk i kam vjedhur. Ti e di mirë se unë nuk vjedh. M’i dha një shok. Ai ka gjashtë çifte, një prej të cilëve ma dha mua. Ai do të vijë qysh nesër të më mësojë si rriten pëllumbat.
I lidhi prej këmbësh të dy, që të mos iknin, deri sa i bëri një kafaz të vogël me dërrasë. I shtroi pak lesh brenda dhe i vendosi të dy atje, por të lidhur që të mos iknin.
– Mbaj të lidhur disa ditë e mos i lësho, sa të mësohen, – i kishte thënë shoku që ia dhuroi.
Ashtu bëri. Ditën që vendosi t’i lëshojë në fluturim, ishin të dy shokët, bashkë. I zgjidhi, i mori të dy në duar dhe para se t’i lëshonte, i puthi të dy në kokë, ashtu lehtë, sikur kishte frikë se mos i trëmbte.
– Lëshojë, – i tha shoku.
Ngriti ngadalë të dy duart lart. Zemra po i rrihte fort, si të ishte para një provimi të vështirë.
– Lëshojë, lëshojë, mos ki frikë. Them se do të kthehen, por edhe sikur mos të kthehen do të venë te kafazët e vjetër, e i marrim përsëri, – i dha kurajë shoku.
Hapi pëllëmbët e duarve dhe pëllumbat sikur atë prisnin. Rrahën krahët e u shkëputën në fluturim.
I qeshej e tërë fytyra. E ndoqi fluturimin e tyre deri sa u zhdukën nga sytë. Kur nuk po i shikonte më, u vërejt në fytyrë. Zemra vazhdonte t’i rrihte fort. I dukej se do i çante gjoksin e do të fluturonte bashkë me pëllumbat.
Të dy shokët ngelën me vështrimin nga qielli.
– Ja, ja, po vujnë. Ata janë. – thiri shoku duke treguar me gisht një tufë pëllumbash.
Maxhuni nuk po i besonte syve sepse nuk pa pëllumbat që priste por një tufë prej dhjetë apo dymbëdhjetë syresh.
– Shiko, shiko. Po vijnë të shoqëruar. Do të kenë qenë andej nga shtëpia e vjetër dhe po vijnë së bashku me miqtë e tyre.
I ndoqën ata duke vështruar fluturimin e tyre, sa në një anë në tjetrën, por ishin lart dhe Maxhuni nuk mund t’i dallonte pëllumbat e tij, e nuk ishte i bindur në se ishin në atë tufë apo jo!
– Nuk po dalloj dot, janë edhe pëllumbat e mi në atë tufë apo jo? – tha i merakosur Maxhuni.
– Mos u merakos. Atje janë. Ja do i shohësh kur të vijnë këtu.
Për habinë e tij, doli fjala e shokut. Pëllumbat mbasi bën disa xhiro mbi kokat e fëmijëve, u shkëputën dy prej tyre e qëndruan para kafazit. Të tjerët bënë edhe një fluturim të vogël, aty, rreth mbi fëmijët, si për të përshëndetur ata të dy që u ulën, e pastaj u zhdukën fluturim.
– Erdhën, erdhën, – thirri gjithë gëzim Maxhuni.
U afrua ngadalë te pëllumbat dhe zgjati dorën drejt tyre. Ata e kuptuan. Ngritën kokat në drejtim të djalit dhe nuk lëvizën nga vendi. Me mollzat e gishtave filloi t’i fërkonte dhe ata guisnin nga kënaqësia.
– Të thashë që do të kthehen. Pëllumbat janë shpend i butë, shumë të zgjuar dhe mësohen shpejtë. Ata kuptojnë shumë, si të mirën e të keqen. Duhet t’i duash shumë dhe ata do të mësohen që të bëjnë çfarë t’u thuash ti.
Kurdo mendjen e kishte tek pëllumbat, mandej edhe kur ishte në shkollë. Shpesh shikonte nga dritarja, në drejtim të qiellit, për të parë pëllumbat e tij. Kur kthehej nga shkolla, shkonte drejt e tek ata. Megjithëse vinte i uritur, ushqente në fillim ata, pastaj futej në shtëpi për të ngrënë. Mbasi bënte mësimet, gjithë kohën tjetër e kalonte me pëllumbat. I ushqente, u fliste sikur të ishin njerëz, i fërkonte lehtë, i merrte dhe i vendoste në prehërin e tij, mbi supe, nëpër krahë, i ndiqte pa ndërprerje në fluturimin e tyre. Nuk kishte më frikë, si ditën e parë, se mos nuk ktheheshin. Aq shumë rrinte me ta sa që i ati një ditë i tha: .
– Po qe se do të biesh nga mësimet do i zhduk pëllumbat.
Për mos të ndodhur ajo, filloi të mësonte më shumë se më parë dhe notat po ngriheshin. Duke parë përparimin e të birit, i ati filloi ta ndihmonte.
Gëzimi i djalit arriti kulmin kur një ditë pa në folenë e tyre dy vezë të vogla, dhe akoma më tepër kur prej tyre dolën dy zoq të vegjël, pa pendë. Kështu ata filluan të shtohen dhe i ati e ndihmonte me kafazë të tjerë. Dalëngadalë, streha e shtëpisë së tyre u mbush me kafazë, se pëllumbat u shtuan.
Maxhuni u rrit me pëllumbat dhe numëri i tyre u bë i madh, aq sa të gjithë në qytet, sapo shihnin tufën e madhe të pëllumbave duke fluturuar, thoshin “Pëllumbat e Maxhunit”.
Mbaroi klasën e shtatë, pastaj shkollën e mesme, u fut edhe në punë. U rrit e u burrërua Maxhuni, bashkë më tufën e pëllumbave. U martua e krijoi familje, mandej u bë edhe baba, por nga pëllumbat nuk u nda për asnjë çast. Vetëm një herë u detyrua të ndahet prej tyre, atëherë kur e arrestuan dhe e dënuan për vrasje, me 25 vjet burg. Nuk e kapërdiu dot tradhëtinë e gruas. Një natë kur e zuri në flagrancë, e vrau atë bashkë me dashnorin. Nuk i erdhi aq keq, kur në fillim e dënuan me vdekje, e më pas ia ndryshuan me 25 vjet burg, por i erdhi keq më tepër se u nda nga pëllumbat, nga ata me të cilët ishte rritur dhe që i ishin bërë pjesë e jetës së tij.
Kampi i të burgosurve ku e sollën Maxhunin, ishte vendosur në faqen e malit, pranë hyrjes së galerive që çanin thellë zemrën e malit për të nxerrë mineralin e fshehur brenda në të. E merrte malli shumë për dy djemtë e vegjël, që la nën kujdesin e prindërve të moshuar, por e merrte malli edhe për pëllumbat. Mendonte shumë për ta dhe shpesh vështronte në drejtim të qiellit të pakët, që dukesh nga ai kamp të burgosurish, se ndoshta shikonte ndonjë pëllumb. Asnjë syresh nuk dukej në qiellin e asaj qyteze në rëzë të malit ku ishte vendosur kampi i të burgosurve. Askush nuk merrej me pëllumbat në atë vend të shkretë. Mendonte si t’i rriste edhe aty, brenda telave me gjëmba, por i dukej e pamundur. Edhe sikur ta lejonin me se do i ushqente. Megjithatë nuk e shkëputi asnjë herë dëshirën që edhe aty të rriste pëllumba. Kjo dëshirë iu duk e realizushme, kur mbas tre vitesh, e caktuan me punë si ndihmës kuzhinier. Në këtë kohë iu duk se do i realizohej dëshira e madhe dhe dashuria që kishte për pëllumbat.
I bëri kërkesë me shkrim komandës së repartit, por përgjigja i erdhi negative. Nuk i humbi shpresat dhe mbas disa ditësh e përsëriti kërkesën. Përsëri asgjë pozitive, por ai nuk hoqi dorë.
Një ditë, kur komandanti i repartit bënte oficer roje, dhe hyri brenda kampit, guxoi e i doli para.
– Komandant, të lutem dëgjomë një moment, – iu drejtua ai.
Oficeri mbajti këmbët dhe si me të qeshur i bëri shënjë, dy policëve që e shoqëronin, që ta lejonin të fliste.
Ishte përgatitur për një takim të tillë. Kishte në mendje dhe çfarë do i thoshte, prandaj s’e pati të vështirë që të fillonte menjëherë. Iu lut komandantit dhe ia arsyetoi se pëllumbat janë symbol i paqes. Mandej ata do të sillnin më shumë rregull e qetësi në atë kamp dhe se të dënuarit do të hiqnin nga mendja arratisjen, si rasti që ndodhi para dy javësh, kur një i dënuar u fsheh në galeritë e shumta të asaj miniere të vjetër dhe që alarmoi jo vetëm repartin që drejtonte komandanti, por edhe ministrinë. E kështu, Maxhuni i burgosur, foli rreth pesë minuta, pa ndërprerje para komandantit ushtarak që drejtonte repartin për ruajtjen e Maxhunit me bashkëvuajtit e tjerë.
Si për habinë e tij, dhe të dënuarëve të tjerë që u grumbulluan, oficeri nuk e ndërpreu, por e dëgjoi me vëmendje. Hodhi vështrimin nga dy policët që e shoqëronin, si për të marrë mendimin e tyre, dhe pastaj ia bëri me dorë Maxhunit që të ndalonte ligjëratën.
– Mirë, Maxhun, do mendohem e do të jap përgjigje, – i tha ai dhe i ktheu krahët.
Maxhuni u gëzua se iu dukën pozitive fjalët e komandantit. Me të vërtetë ashtu ndodhi. Mbas dy ditësh, shefi i sigurimit, i njoftoi se kërkesa i ishte aprovuar dhe se ai mund të rriste pëllumba edhe aty, brenda telave me gjëmba. Me vrazhdësinë e tij, shefi i bëri edhe vërejtje, që të kishte kujdes mos të shkaktonte ndonjë problem.
Shumë i kënaqur, dërgoi lajm në shtëpi, që kur t’i vinin në takim, t’i sillnin dy çifte pëllumbash.
Me ndihmën e marangozit u bëri dy kafaze të vegjël dhe kur shpendët erdhën “shtëpinë” e kishin gati.
Kështu filluan të duken shpendët e paqes edhe në atë vend të shkretë. U gëzohej atyre si fëmijëve të vet. I ushqente rregullisht, i pastronte sheshin ku ata rrinin, i merrte në duar e i ledhatonte, i vështronte gjithë gëzim kur ata fluturonin. Por edhe ata ia shpërblenin. Ia paksuan vuajtet dhe koha i dukej se po ecte më shpejt.
Dalëngadalë e kohë pas kohe, ata u shtuan aq shumë sa që nuk numëroheshin dot. Vetëm Maxhuni i dinte sa ishin, por kur e pyesnin, asnjëherë nuk tregonte numërin e saktë. U bëri një vend të veçantë prapa kuzhinës, u ndërtonte vazhdimisht kafaze, kur ata shtoheshin. Vendin ua rrethoi me rrjetë teli, kurse kafazet, kur u shtuan shumë, i bëri me kate. Mandej u kishte vënë edhe emra pëllumbave dhe u drejtohej atyre me emra gjithmonë. Më interesante ishte se edhe ata e kuptonin. Kur ai u thëriste me emër, ata ngrinin kokën. Kur zgjaste krahun dhe i urdhëronte të hipnin në të, ata i bindeshin menjëherë. Kur ai dilte me një tenxhere të vjetër, që e mbante enkas me ushqim për ta, pëllumbat i qëndronin mbi trup, ku mundeshin, mbi supe apo mbi kokë dhe i zbrisnin kur ai i urdhëronte. Mbasi u hidhte për të ngrënë, ulej në mes tyre, mbushte duart me mbeturinat e ushqimeve, që sillte nga kuzhina, dhe ua zgjaste atyre. Ata menjëherë afroheshin te pëllëmba e tij dhe hanin atje. I qortonte ata duke u drejtuar me emër, kur ndonjë grindej me shokun, për ushqimin dhe ata i bindeshin.
Dalëngadalë edhe të burgosurit e tjerë u afruan me pëllumbat, por vetëm për t’i soditur, se Maxhuni nuk linte t’i preknin me dorë. Vinin shpesh pranë gardhit të rrethimit dhe kënaqeshin me veprimet e tyre.
Kur qëllonte që të dilte me tenxheren me ushqim dhe nuk i shikonte aty, linte tenxheren në tokë, bashkonte të dy duart, të mbledhura njëra me tjetrën në formë globi, me dy gishtat e mëdhenj të përthyer, vinte gojën mbi to dhe i frynte me forcë. Prej andej dilte një zukatje si ajo që bënin pëllumbat. U frynte duarëve pa pushim, deri sa ata dëgjonin dhe vinin e uleshin pranë tij. Kur u shpërndante ushqimin u fliste sa njërit e tjetrit, gjithmonë me emrat përkatës.
Kështu vitet e burgut të ngelur për Maxhunin, zvogëloheshin e tufa e pëllumbave shtohej.
Jo vetëm të dënuarit u mësuan me pëllumbat, por edhe policët e shërbimit të brendshëm shkonin shpesh e i shikonin. Tregonin, se edhe shoferët e makinave që ngarkonin mineralin, sapo vendosnin makinën në vendin e ngarkimit, zbrisnin nga makina dhe i hidhnin sytë nga qielli për të parë pëllumbat në fluturim.
Ishte diçka e rallë për atë vend të shkretë kur dukej tufa e madhe e pëllumbave që fluturonte mbi qytezë, poshtë në këmbët e malit të lashtë, kurse banorët e qytezës ngrinin kokën sapo dikush thërriste: “Pëllumbat”.
Një ditë, duke vështruar pëllumbat që fluturonin, dikush i quajti “Pëllumbat e burgosur”. Sa keq, që ata shpend të butë, symbol të qetësisë dhe paqes, u quajtën të burgosur. Fatkeqësisht ai emër, prej atij çasti, erdhi duke u përhapur, deri sa të gjithë filluan të përdornin shprehjet: “Dolën pëllumbat e burgosur”, “Po fluturojnë pëllumbat e burgosur”, “Nuk po duken sot pëllumbat e burgosur”, “Po kthehen pëllumbat e burgosur”, etj, etj.
Kështu Maxhuni solli diçka të re, të bukur, paqësore, në atë vend, në atë grykë malesh, ku ishte ngritur ajo qytezë minatoresh dhe që i bënte shoqëri, në faqen e malit një tjetër qytezë akoma më e vogël, por me vëllezër që ishin të rrethuar nga telat me gjëmba.
Lejimi i mbajtjes dhe rritjes së pëllumbave, Maxhunit ia lehtësuan dhimbjen e vuajtjes së dënimit, i paksonin mallin që kishte për fëmijët dhe prindërit, mandej i lehtësuan edhe dhimbjen e vdekjes së të atit.
Atë ditë kur mësoi se i ati ishte ishte larguar nga kjo jetë, doli prapa kuzhinës, te sheshi i pëllumbave, por aty nuk ndodhej asnjë prej tyre. Ishin në fluturim. U ul në shesh dhe ia dha të qarit. Çudia ndodhi pak më pas. A ishte rastësi, apo pëllumbat e ndjenë dhimbjen e rritësit të tyre, nuk mund ta shpjegonte kush. Fakti ishte se tufa e pëllumbave u kthye dhe u ulën për rreth tij, duke gugatur. Sheshi u mbush plot, por edhe në supet, në prehërin e tij, në çdo vend ku mund të qëndronin, shihje veçse pëllumba. Asnjë pëllumb nuk shihej në atë çast duke fluturuar. Të gjithë të dënuarit, e dinin se në atë orë pëllumbat ishin duke fluturuar dhe u habitën kur i panë ata të ktheheshin në kamp. Disa shkuan tek vendi i pëllumbave dhe u befasuan nga ajo që vunë re, Maxhunin duke qarë dhe duke përgëdhelur pëllumbat, dhe pëllumbat duke gugatur rreth tij. Disa prej të dënuarëve aty mësuan se Maxhunit i kishte vdekur i ati.
Kaluan vite e Maxhuni hyri në të pesëmbëdhjetin vit të vuajtjes së dënimit, kur një ditë oficeri i organizimit e pyeti.
– Po sikur të transferojnë prej këtej, çfarë do të bësh me pëllumbat?
– Do të më vijë keq që do të ndahem prej tyre. Do i lutesha komandës së repartit që në rast të transferimit prej këtu, që besoj se do të ndodhë një ditë, të më lejojë të marrë dy çifte.
– Mirë ne, se mund të lejojmë, – tha oficeri, – por problem është se mund të mos lejojnë në repartin ku do të çojnë.
Unë dua të më lejoni ju, pa atje ku do të shkoj do u lutem e do i bind që të më lejojnë t’i mbaj ata, si më lejuat ju.
Mbas dy muajsh, kur autoburgu solli të dënuar të rinj, Maxhunin e njoftuan të përgatitej shpejt, se do të nisej me autoburgun për në një repart tjetër. Mbas një ore, te porta e madhe e kampit të riedukimit, së bashku me pesë të dënuar të tjerë që transferoheshin, ishte edhe Maxhuni. Në sup kishte hedhur, në formë hejbeje, ato pak mjete personale që kishte, kurse në të dy duart mbante nga një kafaz pëllumbash. Para se të hapej porta e hekurt, nënoficeri i rojes, i lidhi me pranga të dënuarit. Tani Maxhuni nuk kishte mundësi t’i mbante të dy kafazët. Në autoburg hyri me një kafaz, kurse të dytin e mbante i dënuari tjetër, shoku i Maxhunit.