Prof. Asoc. Dr. Merita Dollma, M.Sc. Armand Kapaj

 

Qarku i Fierit shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë dhe kufizohet me Qarqet e Tiranës, Elbasanit, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës dhe në perëndim me detin Adriatik. Qarku përbëhet nga tre rrethe: Fier, Lushnjë dhe Mallakastër dhe ka 6 bashki, 36 komuna dhe 276 fshatra. Qarku ka një sipërfaqe prej1890 km2 ku banojnë rreth 310 331 banorë.

 

Në qarkun e Fierit veçoritë fiziko – gjeografike kanë mundësuar një trashëgimi të pasur dhe të shumëllojshme biologjike dhe gjeologjike. Kjo trashëgimi në këtë qark shprehet me prezencën e tre kategorive të zonave të mbrojtura, kategorisë së II, III dhe kategorisë së IV. Kategoria e II (Park kombëtar) përfaqësohet nga parku kombëtar i Divjakë – Karavastasë (22.230.2 ha). Kategoria e III (Monumente natyre) përfaqësohet me 21 biomonumente, 7 gjeomonumente dhe 3 hidromonumente. Kategoria e IV (Rezervat natyror i menaxhuar) përfaqësohet nga rezervati i Pishë – Poros (1500 ha) dhe i Levanit (200 ha).  Laguna e Karavastasë është shpallur edhe zonë Ramsar për shkak të pranisë së një kolonie të Pelikanit dalmat (Pelicanus criptus).

 

Veçoritë fiziko-gjeografike të Qarkut Fier

 

Ndërtimi gjeologjik

Qarku i Fierit shtrihet pothuajse tërësisht në Ultësirën perëndimore gjatë pjesës jugore të saj. Nga pikëpamja gjeologjike pjesa dërrmuese e territorit të këtij qarku i përket Ultësirës pranëadriatike, e cila është e mbivendosur tektonikisht mbi bazamentin strukturor të zonës tektonike Jonike. Kjo pozitë gjeologjike ka përcaktuar dhe ndërtimin litologjik të hapësirës së këtij qarku, ku në pjesën dërrmuese përbëhet prej shkëmbinjve terrigjen dhe molasaik. Në rrethin e Mallakastrës antiklinali i Arianitasit dhe Povlës ndërtohet prej gëlqerorëve të kretakut ku shtrihen edhe lartësitë mbizotëruese. Zona kodrinore e Dumresë ndërtohet gati tërësisht prej gipseve të Permio-Triasit, të cilët paraqiten dendësisht të tektonizuar, duke krijuar kushte për zhvillimin e një relievi karstik tipik me polie karstike të shumta. Përbërja litologjike e molasave paraqitet tepër e larmishme, të cilat përbëhen prej argjilave, alevroliteve ranore, konglomerate.

 

Relievi

Relievi fushor mbizotërues i këtij qarku është formuar kryesisht nga aluvionet e lumit Vjosa, Seman, dhe Shkumbin, kurse gjatë zonës bregdetare në një gjerësi 4-6 km janë formuar nga depozitimet kënetore dhe ato detare. Në tërësi relievi kodrinor i këtij qarku shtrihet në JL dhe L të tij duke u lartësuar në këto drejtime nga 150 deri 700 m, i cili krijon kontraste të shprehuar në fushat e Myzeqesë së Fierit dhe Lushnjës. Përbërja prej shkëmbinjve terrigjen të butë dhe të papërshkueshëm në pjesën më të madhe të relievit kodrinor, ka përcaktuar vlera të mëdha (5-7 km/km2) të copëtimit horizontal të këtij relievi dhe vlera mesatare (100-300 km/km2) duke krijuar ekspozime të ndryshme të shpateve. Copëtimi i relievit kodrinor të këtij qarku lidhet me rrjetin e degëve të lumenjve, që rrjedhin kryesisht në drejtim VP.

 

Klima

Relievi fushoro-kodronor i këtij qarku dhe hapja e gjerë drejt perëndimit ndaj detit Adriatik  ka përcaktuar tiparet e një klime mesdhetare fushore dhe kodrinore. Kjo gjë shprehet në vlerat e larta të rrezatimit diellor me një sasi vjetore 1687 kwh/m2 me numër total oresh me ndriçim diellor deri në 2841 orë (duke përbërë vlerën maksimale të vendit). Numri i ditëve me diell varion nga 263 në 278 ditë. Mbizotërojnë erërat me drejtim VP dhe JL dhe shpejtësi 1-5 m/sek. Mesatarja e temperaturave vjetore është 160C. Territori i këtij qarku dallohet për sasi të konsiderueshme reshjesh me vlerë mesatare vjetore 957 mm.

 

Hidrografia, bimësia dhe tokat

Në pasuritë ujore të këtij qarku dallohet laguna e Karavastasë dhe rrjedhjet e poshtme të lumenjve Vjosë dhe Seman duke përfshirë edhe ujërat nëntokësore të depozitimeve aluvionale. Mbulesa bimore e këtij qarku dallohet nga kati i shkurreve mesdhetare dhe ai i dushqeve. Në relieving fushor mbizotëron bimësia e kultivuar duke përjashtuar ligatinat ku takohen bimësi higrofie dhe kserofile.  Me kushtet natyrore të lartpërmëndura  lidhet edhe prania e një faune të pasur  me gjitarë, shpendë, insekte zvarranikë, etj, të cilat janë një pasuri me vlerë për këtë qark.

Qarku ka edhe një shumëllojshmëri tokash ku mbizotëruese janë tokat e hinjta kafe në ultësirë dhe të kafejta në relievin kodrinor, kurse në tokat azonale ndodhen tokat aluvionale, kënetore dhe të kripura pranë bregdetit, etj.

 

 

Trashëgimia natyrore e qarkut Fier

Sipas ligjit nr. 8906, datë 6 qershor 2002 “Për zonat e mbrojtura” në Shqipëri janë të pranishme gjashtë kategori të zonave të mbrojtura në përputhje më kategoritë e IUCN. Sipas këtij ligji, pjesë të rëndësishme ose të kërcënuara të territorit shpallen zona të mbrojtura, të cilat ndahen në gjashtë kategori sipas rëndësisë: zona rreptësisht të mbrojtura; parqe kombëtare; monumente natyre; zona të menaxhuara; peizazhe të mbrojtura tokësore/detare si dhe zona të mbrojtura për menaxhimin e burimeve natyrore. Në qarkun e Fierit janë të pranishëm tre katëgori zonash të mbrojtura (kategoritë II, III dhe IV) si dhe Ramsar site (Laguna e Karavastasë) në të cilat zbatohen shkallë të ndryshme mbrojtjeje.

Kategoria II – Parku kombëtar Divjakë – Karavasta

Territoret e gjera, zakonisht jo me te vogla se 1000 ha, unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, një pjesë e madhe e të cilave janë ekosisteme natyrore, të ndikuara pak nga veprimtaria e njeriut, ku bimët, kafshët dhe mjedisi natyror fizik janë te një rëndësie të veçantë shkencore dhe edukative, shpallen park kombëtar. Në parkun kombëtar zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes.

Parku kombëtar Divjakë – Karavasta me një sipërfaqe prej 22 230.24 ha, përbën kompleksin më të madh bregdetar në Shqipëri, i përbërë nga 4 laguna me një sipërfaqe rreth 5 000 ha, nga pylli i Divjakës, nga duna rëre dhe delta lumenjsh. Ky park kufizohet në veri nga lumi Shkumbin, në jug nga lumi Seman, në lindje nga pjesa perëndimore e kodrave të Divjakës dhe në perëndim nga deti Adriatik. Ky park ndodhet 40 km larg qytetit të Lushnjes dhe vetëm 5 km nga Divjaka.

Pylli i Divjakës me sipërfaqe prej 1 250 ha ndodhet në pjesën veriore të parkut dhe ndan pjesën veriore të lagunës së Karavastasë nga deti. Pylli i Divjakës me biodiversitet të lartë dallohet për pyjet halore mesdhetare të butë dhe të egër, të shoqëruara nga pisha malore dhe ajo mesdhetare, vidhi, frashëri, mersina, si dhe disa bimë endemike e liane të dendura. Ky park ka faunë të pasur dhe të larmishme (229 lloje shpendësh, 12 lloje gjitarësh, 16 specie zvarranikësh), ku spikasin: bufi, skifteri këmbëkuq, bilbili këngëtar, qukapiku, bualli, kaprolli, çakalli, etj. Ky park ka mundësi të shumta të zhvillimit të ekoturizmit, turizmit detar, gjuetisë sportive, vëzhgimit të zogjve, peshkimit, etj.

 

Laguna e Karavastasë  përbën lagunën më të madhe në Shqipëri dhe një nga lagunat më të mëdha në të gjithë bregdetin e Mesdheut. I gjithë kompleksi ligatinor nën mbrojtje ka një sipërfaqe prej 10 000 ha dhe përbëhet nga  laguna (me sipërfaqe 5 000 ha), duna rëre dhe delta lumenjsh. Laguna e Karavastasë është e përbërë nga laguna e brendshme dhe një lagunë e vogël e jashtme. Përreth lagunës gjenden një numër habitatesh bregdetare si kallamishte, duna, pyje, dhe këneta të kripura. Në dunat bregdetare gjëndet një pyll gjetherënës dhe pishash, një pjesë e të cilit është shpallur park kombëtar.

Në lagunën e Karavastasë jetojnë një numër i madh bimësh dhe kafshësh, shumë prej të cilave janë në rrezik zhdukje në shkallë globale siç është Pelikani Kaçurrel (pelicanus crispus). Në lagunë janë vrojtuar më shumë se 210 lloje zogjsh, duke përfshirë edhe lloje zogjsh në rrezik zhdukje në shkallë botërore, si: Karabullaku i vogël, Shqiponja e detit, Rosa kokëbardhë, Shqiponja e stepave, Lakuriqi i madh i natës hundë patkua, Dallëndyshja e detit ballë-bardh dhe Dallëndyshja e detit. Prania e këtyre shpendëve është një ndër arsyet kryesore që Laguna e Karavastasë është përfshirë në Listën e Zonave Ramsar. Në Karavasta gjenden edhe 12 lloje gjitarësh, 16 lloje zvarranikësh dhe amfibësh dhe disa lloje peshqish, si: qefull, levrek, ngjalë, koce, gaforre, karkalec, etj.

 

 

Kategoria e III – Monumente natyre

 

Formacioni natyror (përfshirë edhe dru të veçantë) me sipërfaqe deri 50 ha, formacioni i veçantë gjeologjik dhe gjeomorfologjik, një depozitë mineralesh ose një habitat i një lloji të rrallë e të kërcënuar ose me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike, shpallet monument natyror. Në një monument natyror zbatohet shkalla e pare e mbrojtjes. Në qarkun e Fierit në kategori janë përfshirë 31 monumente natyre si gjeomonumente, biomonumente dhe hidromonumente.

Në kategorinë e gjeomonumenteve përfshihen objekte gjeologjike, si: zhveshje apo fosile unikale, struktura e formacione gjeologjike të rralla; objekte gjeomorfologjike: mikroforma, forma dhe peizazhe të relievit të krijuara apo modeluara nga era, akujt, dëbora, ngricat, lumenjtë, karsti, valët detare apo liqenore, erozioni etj. Në qarkun e Fierit ndodhen shtatë gjeomonumente natyrore me vlera gjeodiversiteti.

Ishulli i Pelikanit është i vendosur në pjesën veri-perëndimore të lagunës së Karavasta-së. Ky  ishull i formuar nga mbetjet organike, në lartësinë 0.5 m, përbën një ekosistem të veçantë për folenizimin e pelikanit kaçurrel.

 

Ishulli i Kularit është i vendosur pranë deltës së Shkumbinit, 0.5 m mbi nivelin e detit, i formuar nga akumulimi i materialeve të ngurta të transportuara nga lumi. Ishulli ka veshje bimore të pasur (shkurre, plep i egër gjethegjerë, kedër, vërri, etj) si dhe një numër sogjsh ku spikat Pelikani Kaçurrel.

 

Kordoni litoral i lagunës së re të Karavastasë. Në pjesën perëndimore të Lagunës së Karavastasë që prej disa vitesh ka nisur formimi i një lagune të re, gjë që lidhet me zhvillimin gjeomorfologjik të bregdetit. Kjo lagunë ndahet nga deti nëpërmjet një kordoni litoral me gjatësi disa kilometra dhe me gjerësi mesatare mbi 15 – 20 m. Aty kanë nisur të formohen dhe duna me gjatësi disa metra, gjerësi 2-3 m dhe lartësi rreth 1 m. Ky brez rëre mbulohet nga një bimësi e pasur barishtore tipike të dunave ranore.

 

Dunat e Divjakës gjenden në lindje të plazhit të Divjakës. Këto grupe dunash janë krijuar nga veprimtaria transportuese dhe depozituese e erës. Janë grupe dunash 600 m të gjata, 15-25 m të gjera dhe 1-3 m të larta.

 

Dunat e Semanit gjenden në bregdet, 17 km nga qyteti i Fierit dhe më pak se 1 km në jug të plazhit të Semanit. Janë grup dunash rreth 1 km të gjata, 15 m të gjera dhe 3-6 m të larta. Veçori e tyre është vendosja në një brez gati linear me drejtim veri-jug.

 

Shpella e Poçemit e ka marrë emrin nga një lagje e fshatit Drizar, lagjes Poçem. Ndodhet rreth 250 m mbi nivelin e detit dhe njihet nga banorët e fshatit edhe me emrin Vrima e Lakuriqit, pasi aty vazhdon të ketë habitatin e vet natyror një koloni lakuriqësh nate. Shpella është horizontale rreth 80 m e gjatë dhe rreth 8 – 10 m  e gjerë. Hyrja e shpellës është e ngushtë dhe më pas ka 2 – 3 zgjerime rreth 6 – 8 m. Shpella është e pasur në stalaktite dhe stalagmite të cilat ruhen në gjendje të mirë.

 

Mospërputhja këndore e Greshicës. Në pjesën jugore të fshatit Greshicë, në të majtë të rrugës automobilistike kombëtare Ballsh-Fratar-Tepelenë, në skarpatin e rrugës dalin shkëmbinjtë gëlqerorë të Oligocenit dhe të Helvecianit me ngjyrë në të bardhë, ndërsa përreth janë shkëmbinjtë molasikë me ngjyrë të hirtë. Vendosja e këtyre shtresave shkëmbore mbi njëra – tjetrën përfaqëson një dukuri interesante dhe të rrallë në këndvështrimin gjeologjik. Gjatësia e dukshme e këtij gjeomonumenti është 100 m dhe lartësia 4-5 m.

 

Biomonumente

Në kategorinë e biomonumenteve bëjnë pjesë: drurë, grupe drurësh me kurorë interesante apo moshë të hershme; habitate të përbëra nga shoqërime karakteristike bimore ose të gjallesave të rralla, të rrezikuara, endemike. Në qarkun e Fierit ndodhen 21 biomonumente natyrore me vlera biodiversiteti, ndër të cilat po evidentojmë disa biomonumente më me vlera përsa i përket biodiversitetit.

Dushkaja e Senës gjendet në një shtrat të braktisur të lumit Seman, afër fshatit Këmishtaj, në lartësinë 10 m mbi nivelin e detit. Përbën shoqërim bimor me dushqe, frashër dhe vidha. Lartësia e këtyre drurëve është 3-4 m.

 

Selvitë e Manastirit të Ardenicës gjenden pranë Manastirit të Ardenicës 13 km nga qyteti i Fierit dhe 5 km nga rruga nacionale. Selvitë shekullore me lartësi 10-15 m dhe diametër trungu 60-80 cm janë për banorët drurë të shenjtë. Manastiri i Ardenicës është rrethuar nga një kurorë e gjelbër me pisha të buta e të egra, lisa, etj.

 

Dushkaja e Manastirit të Ardenicës ndodhet në shpatin lindor të kodrës së Ardenicës, disa dhjetëra metra pranë hyrjes për në Manastirin e Ardenicës. Është pyll dushku, me lartësi të drurëve 10 – 12 m, diametër të trungut 40 – 60 cm. Përbën një pyll me vlera të larta të faunës ku mbizotërojnë dhelpra dhe lepuri gjithashtu përbën një pikë të rëndësishme pushimi për shpendët shtegtar.

 

Kurora e lumit të vjetër Seman e ka marrë emrin prej formës që ka. Gjendet pranë fshatit Adriatik, komuna Libofshë, rreth 10 m mbi nivelin e detit dhe ka një pyll me sipërfaqe 44 ha. Pylli i Kurorës është një muze i gjallë, me drurë karakteristikë e biodiversitet të lartë. Bimët barishtore të tipit të limaneve që ngjiten në plepat e lartë, bashkëshoqërimi dhe dendësia e shumë llojeve bimore, dihatjet e faunës së egër, e sidomos bretkosave dhe gjinkallave, të japin ndjesinë e një “xhungle” të vogël mesdhetare.

 

Rrepet e Vurgut ndodhen në fshatin Çorrush, në lartësinë 200 m mbi nivelin e detit. Përbën një grup drurësh me lartësi 12 – 15 m, diametër të trungut rreth 80 cm dhe moshë 200 – 250 vjeçare. Ndodhen në të djathtë të luginës së Vjosës, në rrëzën e kodrave të fshatit Çorrush.  

 

Rrepet e Poçemit gjenden pranë burimeve të Poçemit dhe bashkë me një grup drurësh të tjerë, formojnë një pyll të këndshëm. Me moshë mbi 400 vjeçare, ato kanë vlerë historike për banorët, sepse tek këto rrepe është betuar dy herë populli i Mallakastrës për luftën kundër pushtuesit (1920 dhe 1943). Ndodhet 26 km nga Ballshi dhe 16 km nga rruga nacionale.

 

Hidromonumente

Në kategorinë hidromonumente përfshihen: liqene akullnajore e karstike, burime të mëdha dhe interesante karstike, minerare dhe termominerare, shpërthime avulli të nxehtë apo gazi të djegshëm, ujëvara, ligatina etj. Në qarkun e Fierit ndodhen tre hidromonumente natyrore me vlera hidrologjike dhe turistike.

Godulla e Pishës së Divjakës që gjendet në veriperëndim të pyllit të Divjakës, përbën një lagunë të vogël, ku përfundon kanali i Tërbufit. Rrethohet nga pyll pishe dhe duna me shkurre e bimë të tjera. Ka karakteristikë gjithashtu pelikanin kaçurrel.

 

Burimi termominerar i Karbunarës gjendet në fshatin me të njëjtin emër. Janë 4-5 burime të vegjël pranë njëri-tjetrit në një kodrinë të vogël. Uji ka përmbajtje gazi sulfhidrik dhe era e tij ndjehet dhjetëra metër larg burimeve. Banorët kanë krijuar dy gropa me diametër rreth 6 m dhe thellësi 30 cm, ku futen në to për kurimin e sëmundjeve të lëkurës. Efekti ujit është më i mirë nëse lyen trupin me baltën që gjendet brenda pellgut.

 

Ujërat termale të Povlës ndodhen në Rrethin e Mallakastrës në veri të fshatit Symizë. Janë 2-3 burime të vegjël dhe burojnë rreth 50 cm në shtratin e lumit të Povlës. Para se të bashkohen me ujin e këtij përroi ato formojnë një tip ligatine 5-6 m2. Prurja e tyre është 100-150 litra/orë. Temperatura e ujit është 14-16oC me përbërje squfuri ku era e tij ndjehet disa metër larg. Përdoren kryesisht për infeksionet e lëkurës.

 

Kategoria e IV – Rezervat natyror i menaxhuar

Territoret që përfaqësojnë bioqendra dhe biokorridore me rëndësi rajonale e vendore ose zonat me bimë, kafshë, minerale e gjetje paleontologjike, veçanërisht të mbrojtura ose zonat që përdoren për qëllime studimore, edukative dhe kulturore shpallen rezervat natyror i menaxhuar (zonë e menaxhimit të habitateve dhe llojeve). Rezervatet natyrore të menaxhuara në Qarkun Fier  janë rezervati i Pishë Poros dhe rezervati i Levanit.

Rezervati natyror i menaxhuar i Pishë Poro-s i shpallur me rregulloren nr. 1 të Ministrisë së Brendshme, datë 27.07.1977 ka një sipërfaqe prej 1500 ha dhe shtrihet midis këtyre kufijve natyrorë: në veri kanali i Hidrovorit, në jug lumi Vjosë, në lindje toka arë dhe në perëndim Deti Adriatik. Ky rezervat natyror përbën një ekosistem të pasur në florë dhe në faunë, ku flora karakterizohet kryesisht nga pisha e zezë e cila shoqërohet edhe me pishën bregdetare por edhe me bimësi që i përkasin katit të shkurreve mesdhetare, të tilla si shqopa e kuqe, mërsina, dëllinja, etj.

 

Ky peizazh përbën një nga atraksionet potenciale më të rëndësishme turistike të rajonit pasi kombinohen disa element si pylli i pishave, bregdeti me brez të gjerë ranor dhe pothuajse të pashkelur, ajri dhe uji i pastër i detit, një numër i madh shpendësh që folenizojnë në këtë territor por edhe shpend të tjerë shtegtar duke ofruar një peizazh ku mbizotëron qetësia dhe bukuria natyrore.

 

 

Konkluzione

 

Qarku Fier ka trashëgimi të pasur natyrore për shkak të veçorive fiziko-gjeografike,  ku zonat me vlera më të larta gjeodiversiteti, biodiversiteti dhe hidrodiversiteti janë shpallur të mbrojtura. Këto zona pas marrjes së statusit si zona të mbrojtura sipas kategorive përkatëse jo vetëm që duhen mirëmenaxhuar dhe mbrojtur por duhen evidentuar në mënyrë që të nxitet zhvillimi i ekoturizmit. Kjo do ti sillte të ardhura vetë parqeve por edhe popullsisë lokale pranë tyre.

 

 

Prof.Asoc.Dr. Merita Dollma

Prof.Asoc.Dr. Merita Dollma është pedagoge në Universitetin e  Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Departamenti i Gjeografisë që nga viti 2008 e në vazhdim. Ka punuar si kërkuese shkencore në Qendrën e Studimeve Gjeografike të Akademisë së Shkencave nga viti 1995- 2007. Lëndët që zhvillon aktualisht në ciklin bachelor, master dhe shkollën doktorale janë: Gjeografi ekonomike, Ekologji humane, Trashëgimi natyrore dhe kulturore, Lëvizja hapësinore e popullsisë, Problemet mjedisore. Është  autore  dhe bashkeautore e  tre librave, autore e dy teksteve universitare, autore e dy teksteve për shkollat e mesme si dhe autore e mbi 40 artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore shqiptare (Studime Gjeografike, Studime Albanologjike, Buletini i Shkencave Gjeologjike) si dhe revista ndërkombëtare (Population geography,  International Journal of Ecosystems and Ecology Science, Geologia dell’Ambiente,  Science and technology for cultural heritage journal,  IBU-Journal of Social and Human Sciences, Jounal of education and Social Research). Është redaktore shkencore e dy atlaseve gjeografikë, 10 librave si dhe redaktore shkencore e Revistës “Kuvendi”. Së fundmi ka botuar si bashkëautore me shtëpinë botuese Routledge, UK, Coastal erosion and protection of Europe, 488 pages, 2013