Dy shkrime nga Albin Kurti

Kosova ne vitin 1988
Mosha mesatare në Kosovë është rreth 25 vjeç. Kjo do të thotë që pothuajse gjysma e popullsisë aktuale të Kosovës nuk ishin të lindur në vitin 1988. Shumë dëshira e nevoja, ca më pak shpresa e pritje, fare pak mundësi e shanse, dhe gjithnjë e më pak perspektivë ka për të rinjtë në Kosovë. Në kushtet e varfërisë së përhapur dhe papunësisë në rrije, e gjithë popullsia por posaçërisht të rinjtë kanë mbetur edhe të ngujuar edhe të ngulfatur.

Mirëpo, nuk ka mundur të jetë ndryshe. Pa ekonomi prodhuese, pa shtet zhvillimor, pasoja është veçse e këtillë sikurse realiteti ynë. Me afër 60 valë të privatizimeve të egra që sollën deindiustrializimin, me deficit tregtar që është më i lartë se 1/3 e Bruto Produktit Vendor dhe me tokë bujqësore mesatarisht vetëm 1/6 e hektarit për person, mjerimi është i natyrshëm e përparimi është i pamundshëm.

Vjetari statistikor i KSAK-së nga viti 1989, prognozonte që në vitin 2000 Kosova do t’i ketë 2.529.000 banorë, pra mbi 2,5 milionë! Mbase kjo prognozë kishte ndikim në planet dhe projektet antishqiptare të Serbisë së Milosheviqit. Mbi 300.000 shqiptarë u detyruan të shpërngulen përgjatë viteve të ’90-ta, mirëpo kjo dukuri vazhdoi edhe në këto 14 vitet e pasluftës për shkak se as çlirimi dhe as pavarësia nuk e sollën zhvillimin.

Paradoksalisht ekonomia e Kosovës ishte shumë më e zhvilluar para një çerek shekulli sesa që është sot. Të vjen të pëlcasësh nga zemërimi teksa shikon shifrat e ekonomisë kosovare nga viti 1988. Kosova kishte autonomi, por ishte nën Serbi; shqiptarët ishin të shtypur e të shfrytëzuar; 80% të të burgosurve politikë në ish Jugosllavi ishin shqiptarë; e, megjithatë, ekonomia ishte pakrahasimisht më e avancuar sesa sot.

Në vitin 1988, Kosova i kishte 35.272 traktorë (991 të organizatave bujqësore të punës së bashkuar dhe 34.281 individualë). Janë punuar gjithsej 409.000 ha tokë (50.000 ha tokë shoqërore dhe 359.000 ha tokë private). Dhe, i kishim 309.000 krerë bagëtish (18.000 shoqërore dhe 291.000 private).

Në po këtë vit, në Kosovë kishte gjithsej 408.591 hektarë si sipërfaqe punuese bujqësore: 300.565 ha ara dhe kopshte, 12.056 ha pemishte, 9.321 ha vreshta dhe 86.749 ha kullosa. Por, edhe 174.904 ha kullosa e 206 ha moçale, kallamishte e hurdha. Prej këtyre, 300.565 ha ara e kopshte, 220.261 ha ishin të mbjellura me drithëra.

Në vitin 1988, u prodhuan 36.880 tonë mish (16.673 tonë mish gjedhi  dhe 5.116 tonë mish derri), 297.680.000 litra qumësht dhe 203.531.000 kokrra vezë. Kishte 703 ekspertë të bujqësisë të punësuar në organizata bujqësore e që ishin me fakultet ose shkollë të lartë dhe 842 të tjerë me shkollë të mesme, si dhe 254 veterinarë.

Kosova sot ngec dukshëm krahasuar me të gjitha dhe secilin vend të rajonit. Por, nuk ishte kështu edhe në vitin prej kur lindën shumica e banorëve të Kosovës. Në vitin 1988, Kosova prodhonte 379 mijë tonë grurë, Sllovenia 164 mijë tonë kurse Maqedonia 295 mijë tonë. Kosova prodhonte 15.093 tonë vishnje kur Sllovenia prodhonte 791 tonë, Maqedonia 9.688 tonë, Kroacia 13.416 tonë, Mali i Zi 1.178 tonë e Bonja e Hercegovina 4.767 tonë vishnje. Më tutje, Kosova prodhonte 58 mijë tonë rrush kur Vojvodina prodhonte 55 mijë tonë, Mali i Zi 23 mijë tonë e Bosnja e Hercegovina 37 mijë tonë. Edhe rendimenti ishte i lartë në Kosovë. Për shembull, për grurë: në Kosovë3,66 tonë për hektarë, në Serbi 3,65 (pa Vojvodinën), në Maqedoni 2,41, në Mal të Zi 2,82 e në Bosnje e Hercegovinë 3,26 tonë për hektarë.

Krahasuar me Serbinë pa Vojvodinën, rendimenti në Kosovë ishte më i lartë përveç për grurë edhe për elb, thekër, li, duhan, repë vaji, patate, fasule, speca, tërfil, molla, dardha, kumbulla, vishnje, kajsi, arra dhe rrush. Për vishnje dhe rrush, rendimenti në Kosovë për hektar ishte më i lartë edhe se dyfishi i rendimentit në Serbi.

Krahasuar me Maqedoninë, Kosova printe në rendiment në grurë, elb, thekër, misër, repë vaji, panxharsheqeri, duhan, luledielli, li, patate, fasule, tërfil, dardha, vishnje, kajsi e arra. Dhe, në jo pak prej këtyre me diferencë të thellë. Kosova kishte 217 tonë kumbulla të teruna, që ishte më shumë se cilado dy vende marrë së bashku prej këtyre tri sosh: Sllovenia (58 t), Maqedonia (126 t), Mali i Zi (62 t).

Në vitin 1988, Kosova kishte 405 mijë krerë gjedhëve (bagëti e trashë), ku Vojvodina kishte 255 mijë e Maqedonia 291 mijë; Kosova kishte 407 mijë dele, kur Vojvodina kishte 329 mijë e Sllovenia 14 mijë. Kosova kishte 302 tonë mjaltë kur Sllovenia kishte 214 tonë, ndërkohë që produktiviteti ishte përafërsisht i barabartë me diçka më pak se 11 kg mjaltë për koshere.

Gjithnjë në vitin 1988, shkëmbimi tregtar i prodhimit industrial në Kosovë ishte: eksporti 526.360 milionë dinarë ndërsa importi 385.411 milionë dinarë.  Pra, raporti eksport/import ishte 1,37! Sot, ky raport është dhjetëfish më i ultë në mos edhe më shumë se aq.

Indeksi i prodhimit bujqësor në Kosovë (ku përfshihen lavërtaria, pemëtaria, vreshtaria dhe blegtoria) qysh në vitet e ‘70-ta ishte rregullisht i krahasueshëm me mesataren e ish Jugosllavisë dhe më i lartë se ajo në vitet ’73, ’74, ’75, ’79, ’80, ’81, ’82, ’83, ’85, kurse në vitin 1986 ishte më i lartë se në secilën republikë (përfshirë këtu edhe Vojvodinën)!

Edhe në Kosovë ka aso që thonë se duhet t’i harrojmë fabrikat dhe prodhimin bujqësor e industrial vendor nga e kaluara sepse ai i përket komunizmit. Mirëpo, të gjitha ato ndërmarrje e kapacitete prodhuese i takonin qytetarëve e shoqërisë sepse ishin ndërtuar e zhvilluar me djersën dhe kontributin e popullit. Ngjashëm, edhe në Shqipëri në fillim të’90-tave ca thoshin se ullinjtë duhen nxjerrur me rrënjë meqë janë të komunizmit të Enver Hoxhës. Sot,po të njëjtit njerëz ka shumë mundësi që i kultivojnë ullinjtë në Greqi ku punojnë si argat e me remitancat që ua dërgojnë familjeve të tyre në Shqipëri ato i blejë po ata ullinj të importuar!

Neoliberalizmi është vazhdim i luftës me shënjestër tjetër. Teksa agresioni, okupimi dhe gjenocidi i Serbisë na sulmonte para e gjatë luftës si popull e si komb, neoliberalizmi na sulmoi pas luftës si shoqëri e si prodhim vendor.
Prishtinë, 17 dhjetor 2013
Albin Kurti

 

Garantimi i rezervimit

 

Në Kapitullin IV të Kushtetutës së Kosovës, në Nenin 64, Pika 2, aty ku flitet për Strukturën e Kuvendit, thuhet që: “…njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovës, si vijon:

(1) partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin Serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara, në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10);

(2) partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetet e tjera, në Kuvend do të kenë numrin e vendeve të fituara në zgjedhjet e hapura me minimumin e vendeve të garantuara si në vijim: komuniteti Rom një (1) vend; komuniteti Ashkali një (1) vend; komuniteti Egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti Boshnjak tri (3) vende, komuniteti Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend, nëse numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të garantuara.”

 

Pra, Kushtetuta e Kosovës duke derivuar nga Plani i Ahtisaarit, u garanton një të gjashtën e vendeve në Kuvend komuniteteve joshumicë të cilat nuk përbëjnë as një të dymbëdhjetën e popullsisë së Kosovës. Kësisoj, atyre që nuk janë as 8% të popullsisë iu garantohet mbi 16% të përfaqësimit qendror politik. Gjysma e kësaj shkon për serbët dhe gjysma tjetër për romët, ashkalinjtë, egjiptianët, boshnjakët, turqit dhe goranët marrë së bashku.

 

Kapitulli XIV i Kushtetutës, Neni 148 te Dispozitat Kalimtare që iu referohet Dispozitave Transicionale për Kuvendin e Kosovës, thotë që: “Për dy (2) mandatet e para zgjedhore, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë njëzet (20) vende të rezervuara për përfaqësim të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë në mënyrën si vijon: Dhjetë (10) vende do t’u ndahen partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, që janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin Serb të Kosovë, dhe dhjetë (10) vende do t’u ndahen komuniteteve të tjera si vijon: komunitetit Rom një (1) vend; komunitetit Ashkali një (1) vend; komunitetit Egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali ose Egjiptian, i cili ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komunitetit Boshnjak tri (3) vende, komunitetit Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend. Çdo vend i fituar përmes zgjedhjeve, do të jetë vend shtesë, përveç dhjetë (10) vendeve të rezervuara që u ndahen përkatësisht komunitetit Serb të Kosovës dhe komuniteteve të tjera.”

 

Pra, në fazën kalimtare prej dy mandatesh, parashihej që këto 20 vende të jenë më shumë se të garantuara duke qenë të rezervuara. Komunitetet joshumicë e fillonin garën duke i pasur të rezervuara tashmë 20 vende dhe numri i tyre ngritej përmes votave të qytetarëve përmbi këto 20 vende. Pas mbarimit të dy mandateve të para, 20 vende mbesin të garantuara por jo edhe të rezervuara. Komunitet joshumicë nisin garën prej zero vendeve dhe ato i kanë ato 20 vende të garantuara edhe nëse nuk i arrijnë ato nëpërmjet votave të qytetarëve.

 

Pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2014, Kuvendi i Kosovës nis mandatin e tij të tretë dhe kështu merr fund Dispozita Kalimtare, përkatësisht marrin fund ulëset e rezervuara për t’u zëvendësuar me ato të garantuara.

 

Tashmë u bë e qartë se realisht nuk do të ketë reformë zgjedhore pikërisht ashtu qysh asnjëherë nuk është menduar që të ketë një të tillë. Së pari, reforma zgjedhore ishte objektiv dytësor i marrëveshjes Pacolli-Thaçi-Mustafa që kishte për synim nxjerrjen e emrit të Presidentes aktuale nga zarfi. Objektivi dytësor, duke qenë dytësor, s’ishte objektiv as i ngutshëm dhe as i sinqertë. Së dyti, zgjedhjet e fundit lokale të 3 nëntorit dhe 1 dhjetorit të këtij viti e dëshmuan atë që e kemi ditur: në 12 dhjetorin e vitit 2010 nuk kishte faj ligji pse ndodhi ajo që më pas u quajt ‘vjedhje industriale’, por ata që planifikuan dhe u organizuan për ta shkelur masivisht ligjin duke manipuluar procesin.

E ashtuquajtura reformë zgjedhore tani rrezikon të përqendrohet dhe kufizohet te vazhdimi anti-kushtetues i vendeve të rezervuara edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Pra, që të mos kemi vende të garantuara në vend se të rezervuara por të garantohet vetë rezervimi. Serbisë padyshim që i levërdis kjo e po ashtu edhe politikanëve që i dirigjon ajo në Kosovë. Nga reforma si mbrojtje e Kosovës prej vjedhësve të zgjedhjeve po kalojmë te reforma si forcim i Serbisë që na e vjedh edhe atë pak demokraci e shtetësi të mbetur në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht është akuzuar me egërsi nga regjimi dhe analistët e tij pse e kundërshton Planin e Ahtisarit ani se ne jemi të bindur që Kosovës i takon shumë më shumë dhe ka të drejtë shumë më tepër sesa Plani i Ahtisaarit. Tani kur Plani i Ahtisaarit po ndryshohet për të keq (me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tendencën për vazhdimin e vendeve të rezervuara) pothuajse asnjëri prej tyre nuk bëzanë dhe asisoj kolektivisht vihen në pozitat e Serbisë.

Pas çdo serie negociatash po rritet përfaqësimi i serbëve në institucionet e Kosovës sepse këtë e do Serbia. Kështu ishte në Vjenë, kështu është edhe tash në Bruksel. Po rritet ‘diskriminimi pozitiv’ i cili është gjithnjë e më shumë diskriminim për shqiptarët e gjithnjë e më shpesh pozitivitet për Beogradin. Republika e Kosovës po degradohet në një asociacion të komunave ndërkaq asociacioni i komunave me shumicë serbe po avanson në një republikë serbe. Paralelisht, serbëve iu rezervohen vendet në Kuvendin e Republikës për të shprehur rezerva për Republikën e Kosovës.

As shpallja e pavarësisë së Kosovës që u quajt akt historik dhe as mbyllja e zyres së Pieter Feithit që u quajt fund i mbikëqyrjes ndërkombëtare fare nuk e kanë ndërprerë procesin ku Serbia fiton privilegje në Kosovë që bëhen të drejta për edhe më shumë privilegje. Pak ka rëndësi që diku kjo po quhet normalizim e diku reformë…

 

Prishtinë, 10 dhjetor 2013
Albin Kurti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *