Apolonia, qyteti i Diellit që ende ngroh

Apolonia, qyteti i Diellit që ende ngroh

Albert AVDULI

Para pak ditësh, së bashku me kryetarin e Bashkisë Kamëz, z.Xhelal Mziu, u ndodhëm në Fier. Teksa, dita ka nisur të thyhet, ne marrim rrugën në skajin perëndimor të qytetit. Vetëm 14 km larg, ndodhet një tjetër qytet, jeta e të cilit, tashmë është zëvendësuar me famën e shkëlqimit të dikurshëm.

Apolonia, pagëzuar nga banorët e parakrishtit me emrin e hyjnisë Diell

Rruga, relativisht e mirë, përshkon tej e tej fushat e pamata të Myzeqesë. Syri të sheh shtëpi të bukura, ara të punuara dhe pemëtore. Paradoksalisht, në rrugën automobilistike, na duhet të parakalojmë ose ngecim mbas ndonjë karroce ngarkuar me bar apo prodhime bujqësore.
Ja, në kodrën përballë, zbardhin kollonat e mermerta të Apolonisë. Kilometrat e mbetura përshkohen me entuziazëm. Fshati Pojan shtrihet harmonishem rrëzë asaj kodre mbushur me histori dhe mister në të njëjtën kohë. Rruga që përshkon fshatin është rikonstruktuar e tëra. Në krahun e majtë të saj, trotuari lakohet aq shpesh sa valëzimet të japin idenë e dallgëve të buta të detit. Këtë efekt pamor e japin hyrjet dhe daljet pranë banesave të dendura. Çdo oborr është i mbushur me limona dhe portokallë. Edhe pse dimri është duke dalë, frutat, mesa duket kanë vendosur të presin pranverën. Shtyllat e larta të ndriçimit nuk i kanë shpëtuar etheve të adoleshentëve për t’i “privatizuar” me emrat e tyre apo të të dashurve. Në ngurrimin për t’ju pohuar publikisht atë çfarë ndjejnë, shkruajnë në trupin e ftohtë metalik të shtyllës. Lexoj, Vaso yll, më tej, emri Ina përshkon një zemër të grafituar me kolor të gjelbërt.
Futemi në rrethimin e cunguar të qytetit. Apolonia është shpallur Park Kombëtar në vitin 2006. Më së pari, ballas na del manastiri. Kisha e Shën Mërisë ka një pozicion zotërues në Parkun Kombëtar. Stili i bukur arkitektonik, nuk mund të fshehë deformimin që muret kanë pësuar nga vitet. Porta e rëndë e këtij kompleksi është bjerrur nga koha dhe ndërmend më vijnë vargjet e poetit Ndrek Gjini, Ja çfarë shkruan Gjini te poezia “Shtëpia e vjetër”: “Derën e kthimit e brejti mola/ Zgavra e saj,/ Klithmë pritje u bë”.
Gjithsesi kjo portë ka pritur e përcjellë mijëra vizitorë, shkencëtarë e arkeologë. Një punonjës sigurie bën ritualin, duke na pyetur se nga vijmë. Veshur me një uniformë të ndonjë policie private nuk i shkon aspak atij sfondi që dikur frekuentohej nga gladiator.
Pavioni ku ekspozoheshin zbulimet historike është boshatisur. Një tërmet i lehtë i para pak vitesh ka dëmtuar çatinë dhe muret. Skulpturat e mrekullueshme janë grumbulluar në një skaj. Zinxhiri metalik që ju është vënë për siguri, duket si hallkë robërish të një kohë tjetër. Grumbullimi është bërë pa patur në vëmendje asnjë parim hierarkik. Duket sikur çuçurisin thashetheme patrici, gladiatori, aristokrati, plebeji.
Në fakt, shekujt i kanë barazuar dhe ata s’janë më veç shpirtra në hapësirë.
Eshtë e diel. Muzeu është mbyllur. Një grup restauruesish punojnë në një ambjent të katit të parë. Dëgjoj dikë që thërret drejtorin. Ai, pra është aty, në punë. Nuk e njoh, por di që e quajnë Marin Haxhimihali. Ka dëshmuar në këto vite se është një specialist shumë i mirë dhe po aq administrator i zoti. Menaxhimi plot fantazi prej tij, ka bërë që numri i vizitorëve të rritet për çdo ditë. Veçse, drejtor, doja të të thoja (shkruaja), që sikurse ju, ciceroni apo kujdestari i muzeut, të dielën s’duhet ta bëjë pushim. Aq më tepër të dielën. Një muze i munguar. Një vlerë më pak.
Midis dy ngrehinave, pra manastirit dhe muzeut, gjenden dhomat ku para disa dekadash ka jetuar e punuar Jakov Xoxa, i njohur më së shumti me romanin “Lumi i vdekur”.
Futemi në shëtitoren e Apolonisë. Ajo gëlon nga dhjetëra fëmijë, të rinj, familjarë. Mbas kollonave të mermerta dy të dashuruar puthen, pa ju rënë aspak ndërmend që për dashurinë këtu mund të kenë ndodhur episode dramatike.
Agoraja (Pazari), biblioteka, amfiteatri, pjesa administrative, punishtja e qeramikave, muret e rëndë dhe të praruar…
Ka qenë qytet i shquar i Ilirisë së Jugut, por edhe në Ballkan, Apolonia. Nga afro 30 qytete me të njëjtin emër në Mesdhe, kjo ndriçonte më shumë, Apolonia e Ilirisë.
Këtu ishte formësuar një nga akademitë më në zë të kohës ndaj, familjarët e sollën Çezarin për studime në qytetin e Diellit.
Mbi kodër është e ashtuquajtura “Shtëpia e Francezit”. Bëhet fjalë për shtëpinë ku banoi arkeologu Leon Rei. Atij i dedikohen zbulimet më të mëdha në Apoloni, gjatë viteve 1914-1918.
Ngjitemi në atë kodër hyjnore dhe stepemi nga gjurmët e zjarrit të para disa mujve. Ullinj qindra vjeçarë të përzhitur nga flakët e zjarrit. Një dorë e pakujdesshme apo e qëllimshme ka tentuar të bëjë dëmin që s’e bënë shekujt. Të djegësh ullirin duhet marrëzi e skajshme. Pema e paqes nuk harron. Ajo fal, ndaj personifikon paqen, por nuk harron. T’i vësh zjarrin Apolonisë është një mëkat shumë më tragjik. Ai qytet ka lëshuar e lëshon ngrohtësi prej 2700 vitesh.
Fshati Kryegjatë përballë është mbushur me pemëtore. Nga brendësia e kodrave të saj shfaqen hyrjet e errëta të tuneleve ushtarake të një kohe absurde. Grykat e tyre më shëmbëllejnë si zgavra dragonjsh pa gjuhë. Pranë nesh afrohet një bari me një tufë delesh që e ndjekin. Në dorën e tij një kërrabë gungaçe më bën të mendoj se edhe para 2000 vitesh ai këtu ka qenë, me tufën e tij, si një pastor gjithë kujdes.
Dielli i zbehtë, po perëndon tashmë dhe na duhet të marrim rrugën e kthimit.
Qyteti ka shekuj që s’ka jetë. Ai mbushet përditë me vizitorë që gjithsesi nuk zëvendësojnë dot atë ç’ka ky qytet simbolizonte dikur.
Ky qytet, nuk e ka humbur as simbolikën e tij, Diellin.
Në buzë më vijnë përsëri vargjet e Ndrek Gjinit “Retë kanë pushtuar lartësitë,/ Duke e fshehur në xhep trupin e Diellit”
I vetmi ndryshim është se këtu diellin s’e kanë fshehur xhepat e reve, por thellësitë e tokës. Ne e dimë që aty e kemi. Një pjesë ende ngroh, pjesa tjetër pret të rilind.
Ja pse Apolonia është qytet i diellit që ende diellon. ….

One thought on “Apolonia, qyteti i Diellit që ende ngroh

  1. Bukur shume Zt Avduli,sikurse edhe vena e mire qe me kalimin e viteve permiresohet,ashtu edhe shkrimet tuaja te lane nje shije te kendshme kur i lexon… nuk po krahasoj me Fishten e Kacit ,por ke nje pene te mprehte !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *